‘‘Shqipëria si m’u duk’’Faik Konica

Mahir Morina

Historia e mendimit shqiptar që zë fill me Rilindjen Kombëtare dhe zhvillohet me fuqishëm pas pavarsisë së Shqipërisë deri të lufta e dytë botërore si periudhë, ngritet mbi mendimet dhe idetë politike, sociale e kulturore, mbi formimin e një shoqërie që arrin të menaxhoi fenomenet jetësore, me karakter nacional dhe shtetformues, që përbëhet nga emra të spikatur të kulturës shqiptare të kësaj kohe, siç janë: Vaso Pasha, Sami Frashëri, Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Stilian Noli, Eqrem Bej Vlora, Branko Merxhani, Mehdi Frashëri, Anton Harapi, Xhuzepe Valentini, Vangjel Koca, Tajar Zavalani, Krist Maloki, Ernest Koliqi, Stavro Skëndi, Nebil Cika, Safet Butka, Ismet Toto, Nonda Bulka, Sejfulla Malëshova, Zef Mala, Arshi Pipa, At Gjon Shllaku etj.

Në këtë ngritje të mendimit shqiptar, që përfshin idetë nacionaliste, kulturore, filozofike, Faik Konica zë vend mjaftë të vecantë me veprat e tij, dhe me revistën ‘‘Albania’’. Në këtë punim synohet të analizohet vepra me karakter publicistik ‘‘Shqipëria si mu duk’’ dhe përmes saj, dhe mendimi i përgjithshëm i Faik Konicës, mbi fenomenet e botës shqiptare.

Faik Konica është konsideruar kritiku i parë i letërsisë shqipe, duke qënë i shkolluar në perëndim, ai vjen në Shqipëri me idetë e tij që manifestojnë një personalitet protestues për ngritjen e vetëdijes kombëtare, kulturore e civilizuese të shoqërisë shqiptare.

‘‘Shqipëria si mu duk’’ përbën një analizë të hollësishme shoqërore e psikologjike të shoqërisë shqiptare, bazuar në udhëtimin e autorit në Shqipëri, më 1928-n. Është një vepër tërësisht dokumentare e argumentuar, me ngjyrime të satires.

Faik Konica

Faik Konica është ndër të rrallët njerëz të ditur të Shqipërisë që i deshi aq shumë, por dhe i kritikoi aq ashpër shqiptarët.[1]

Figura e Faik Konicës është kapital i kulturës shqipe, me një biografi të mbushur me aktivitet, vepra e angazhime qe kontribojnë në ngritjen e një vetëdije me të lartë shoqërore, intelektuale e kulturore në Shqipëri, dhe në anën tjetër prezantimin ‘diplomatik’ të vlerave të popullit shqiptar nëpër Europë e deri në Amerikë.

Konica përveq shumë shkrimeve të botuara në shtypin shqiptar dhe atë botëror, dhe atyre në revistën e madhe kulturore të tij ‘‘Albania’’, Konica shkruan edhe këto vepra :  “Një ambasadë e Zulluve në Paris” botuar më 1922, “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, botuar më 1924 dhe “Shqipëria si mu duk” botuar më 1929 dhe la në dorëshkrim anglisht veprën “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore” dhe ese të tjera, e cila u botua pas vdekjes (1957).

Prozës së shkurtër të Konicës i takojnë dhe disa skica letrare dhe rrëfenjëza që ai i quan përralla si “Urika”, “Në dritë të hënës”, “Ai që ishte gati të vdesë për Shqipërinë” etj. me tematikë atdhetare ose përrallat “E bija e mbretit dhe trëndafilat”, “I urti i malit” etj. shkrime këto plot fantazi nga bota e legjendave.

Faik Konica është i pari që lëvroi në prozën tonë esenë, një lloj letrare-publicistike, me mundësi të reja shprehëse. Nëpërmjet tyre, ai parashtroi mendime origjinale, ngriti probleme të rëndësishme, të kohës, tregoi për diturinë e gjerë që zotëronte.[2] Një nga esetë më të bukura është “Jeta dhe librat”, ku, duke dhënë gjykime për vlerën e librit në jetën e njerëzimit, i bëhet një analizë ideo-artistike tragjedisë së Eskilit “Prometeu i lidhur”.

Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë.

‘‘Reflektimi i Konicës në veprën e vet qoftë artistike apo eseistike buron drejtpërdrejt nga kontakti me dukurinë, nga përballja me të e cila nuk jep zgjidhjen reale të problemit, por ofron një zgjidhje më të ngadaltë të problemit nëpërmjet goditjes me veprën satirike të artit.’’[3]  Kështu e sheh Neli Naco lidhjen e Konicës me letërsinë dhe mendimin e tij mbi fenomenet qe ai i kritikon apo qe i pëlqen.

‘‘Shqipëria si mu duk’’

‘‘Shqipëria si mu duk’’ është botuar në vitin 1929, si një udhëpërshkrim analitik mbi moralin dhe psikologjinë e botës shqiptare. Vepra e Konicës e pasur më gjuhë poetike, duke qënë e shkruar në diskursin publicistik, ajo lexohet edhe si pamflet qe i drejtohet lexusit shqiptar.

‘‘Shqipëria si mu duk’’ përbëhet nga pesë nënçështje, me këta tituj:

  • Dukja e përgjithshme e vendit
  • Mbreti
  • Ekspertët
  • Robotët ose Njerëzit Makina
  • Levantinët

‘‘Konica na bën një përshkrim të gjendjes fizike, morale, shpirtrore e ekonomike të popullit tonë përsa i përket dy periudhave të ndryshme kohore, të cilat ndahen nga njera-tjetra me rreth 15 vite, por që nuk është se ndryshojnë shumë ndërmjet tyre.’’[4] Kështu e paraqet ndërtimin e kësaj vepre Alba Janaqi, në komentin botuar bashkë me veprën në 2010 në Tiranë, madje ajo këtë rikthim të Konicës e vlerëson si tronditës ‘‘Rikthimi i Konicës është tronditës, ai mbetet i habitur nga gjithcka që sheh përreth.’’[5]

‘‘Shqipëria si mu duk’’ e Konicës shkruhet me fuqinë e një autopsie, duke përdorur diskursin e një gjuhe realiste, na e pasqyron portretin e Shqipërisë së asaj kohe.Që në fillim të udhëpërshkrimit të tij Konica thotë se e ëndërron që ta shoh vendin e tij të lulëzuar. Por ëndrrat e tij largohen menjëherë sapo ai kupton që ka arritur në Durrës. Në këtë rikthim të Konicës nëse nuk ka ndryshuar asgjë në Shqipëri, ka ndryshuar sistemi politik dhe qasja ndaj tij, pasi me 1913 Konica nuk mirëpritet, madje atij i kërkohet të largohet nga Shqipëria si njëri i padëshiruar, me 1928 Konicën në portin e Durrësit del ta pres me mjaft respekt ministri idrejtësisë me urdhërin e mbretit. Përshkrimin e rrugëtimit nga Durrësi në Tiranë e ka paraqit dhe në veprën e tij ‘‘Dr. Gjilpera’’, ku flet për ndjesinë e keqe, kur nuk e sheh më pyllin e gjelbëruar të Shijakut, mungesën e cicërimave të zogjëve.

Nuk i durohet, ndaj kritikon  pa masë, sepse do që të përshpejtohet ecja drejt përparimit e lulëzimit në këtë cep të botës ku natyra ka falur gjithcka, madje Ali Lleshi e përshkruan kështu idenë e tij ilimuniste mbi Shqipërinë ; ‘‘Nuk i qetësohet për asnjë cast shpirti Konicës për të përshpejtuar zhvillimin, aq sa edhe ka harruar të martohet.’’[6]

Përmes këtyre pesë temave, autori duke i plotësuar si njësi me të dhëna tjera, historike e me ide politike e kulturore, e pasuron rrëfimin e tij dhe paraqet informacione me interes për shqiptarët dhe përtej.

Dukja e përgjithshme e venditështë një paraqitje e bindjeve dhe përshtypjeve të Konicës mbi Shqipërinë, mbi dashurinë e tij ndaj këtij vendi, për dëshirën e zjarrt që ky vend të përparoj. Paraqet me fuqinë e imazheve, rrugëtimin nga Italia për në Durrës, nga mirëpritja në Durrës përshkruan rrugëtimin për në Tiranë, deri të analizat e karakterëve të minstrave të mbretit deri të shërbetori.

Dukja e përgjithshme e vendit fillon me këtë pjesë; “Njeriu që e shkon kohën me ëndërra të pëlqyera ka frikë të zgjohet. Dëshira që vendi të lulëzojë të bën pak nga pak të ëndërrosh se lulëzon, dhe largimi i gjatë të këllet ca më thellë në gjumë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur, e cila s’ka trup dhe s’ndodhet gjëkundi, veçse në trup të ëndërronjësit. Por le të marrë fund gjumi dhe menjëherë e sheh veten të rrethuar me gjëra të shëmtuara. Të do zemra të futesh përsëri në gjumë e të kthehesh në botën e lulëzuar nga e cila sapo dole; po më kot! një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet.”[7]

Kjo hyrje është simbolikë e gjithë përmbajtjes se veprës, ku secila analizë fillon me idetë dhe dëshirën e përparimit dhe përfundon me dëshprimin nga realiteti, për të cilin Konica i sheh fajtor vetë shqiptarët, ku i cilëson si njerëz me urrejtje ndaj se bukurës, pasi nuk arrin ta kultivojnë tokën e tyre, ta ruajnë dhe ta zhvillojnë vendin e tyre. Siç shprehet Sabri Hamiti ai “dëshmon edhe njëherë se ashti i shkrimit të tij letrar janë idetë; idetë kulturore dhe shoqërore, fatet individuale dhe fatet kolektive, të cilat artikulohen me një qartësi të ashpër.”[8]

Konica në këtë pjesë flet për habinë e pritjes së mirë të tij nga shteti shqiptar, konkret nga mbreti, veqon pamjet e bukura te Tiranës, malin e Dajtit, bukuritë tjera që për Konicën janë arsyeje të bollshme qe shqiptarët të mos shkojnë për të jetuar jashtë Shqipërisë.

Mbretikjo pjesë i kushtohet mbretit Zog, për të cilin Konica atëherë kur e shkruan librin paraqet përshtypje te larta ndaj figurës se tij, flet për njohjen paraprake qe ka, dhe mirëpritjen në takim, madje dhe mban shpresë se figura e mbretit do bëhet figurë e madhe shqiptare sa e krahason me figurën e Skënderbeut; ‘‘Në qoftë se vete mbarë, fytyra e Zogut do të shtjerë në histori një hie më të madhe se hieja e Skendërbeut. Përkrahjet për këtë vepër herkulane janë tëshuma: pengimet janë edhe më të shuma se përkrahjet.’’[9] Me këto fjalë ai sikur pohon që është mjaft e vështirë ta lulezojë Shqipërinë ashtu si në kohë të Skënderbeut, të cilat Konica i paraqet kur flet për drejtusit e vendit, për mangësitë e tyre.

Ekspertëtështë çështja e tretë qe e trajton Konica në veprën e tij, me një titull ironik qe i drejtohet kryesisht diplomateve e politikanëve shqiptar, nënpunësve qe vetshpallen ekspert të shumë çështjeve.

Përbërja e ekspertëve të Konicës, është me burime të ndryshme: ‘‘Ca kanë dale nga administrata e Turqisë, ku kalbeshin në latrinat e huqumeteve si kapistë; ca janë ngritur nga moçalet dhe llucat e Myzeqesë ose të Durrësit dhe janë sulur të rrinë në frona, pa fshirë baltën e njomë nga opingat e tyre’’[10], madje Konica shkon me larg duke e kritiku ashpër paturpësinë e tyre: ‘‘Guximi dhe paturpësia e tyre zunë vendin e diturisë, serviliteti i tyre në të zotërit e zunë vendin e shërbimeve të kombit.’’[11]

Nga ky shkrim kuptojmë se Konica mjeshtrisht trajton problematika shoqërore me një nivel të lartë. ‘‘Mënyra se si ai e ka shkruar këtë vepër tregon se ai karakterizohet nga patosi atdhetar dhe nga shqëtsimi qytetar, duke u dalluar për forcën e tij të argumentimit dhe aftësitë shprehëse.’’[12] Këtë e thekson Alba Janaqi me të drejtë pasi Konica zotëson një nivel të lartë qytetarie, i cili ndergjegjshëm dhe largpamës reagon me gjuhë të thellë kritike.

Shqetësimi i Konicës për ekspertët e vetshpallur është i madh, ai e sheh si dëm të  madh kombëtar egzistencën e tyre, si përfaqësues të dobët të vetës dhe Shqipërisë: ‘‘Taksirati i Shqipërisë është, siç thashë disa herë, që të tillë ‘‘ekspertë’’ venë dhe i kasnecojnë marrësitë e tyre në qendra, ku i dëgjon tërë bota e stërvitur, në vend që t’i mbajnë për kafenetë e fshatit të tyre ku s’mund të prishin punë.’’[13]

Robotët ose Njerëzit Makina na e tregon dhe një pasqyrë tjetër të vëzhgimit kritik të Konicës, i cili tani ndalet përseri tek njerëzit me pozicione, të zyrave e holleve politike, por tani në reflektimin e mungesës se ndjesisë se tyre në punën që bëjnë, andaj i quan Robotë dhe Njerëz Makina, ideja për këtë emrim i vije nga një vepër e shkrimtarit çek Capek, ku flitet për njerëzit-makina, pa ndjenja: ‘‘Në vafshi në Shqipëri dhe në patci sadopak të bëni me nënpunës shteti, kini shpejt për të zbuluar se fantasia letrare e Capekut ka marrë trup në zyrat e Shqipërisë.’’[14]

Idetë e Konicës shpesh dalin pikërisht ne kritikën e tij, e cila jehonë si ankth i ëndrrës se tij, qe Shqipëria të bëhet nga shqiptarët, dhe pasi Shqipëria kishte filluar të bëhej ai kërkon të bëhen shqiptarët, të bëhën shqiptar të aftësisë e vlerave, e jo të bëhen ‘‘ekspertë’’ e robotë, andaj ai nuk ndalon se pasqyruari mosaftësitë e atyre shqiptarëve qe nxitonin ta bënin Shqipërinë na variantin primitiv të tyre: ‘‘Pazotësia për të gjykuar vetë e për të marrë masa të duhura pa pyetur – kjo është kryeshënja e nënpunësve të Shqipërisë.’’[15]

Ky element sipas Konicës ndikon që të përhapet si sëmundje e cuditshme fenomeni i robotizmit, madje duke e parë këtë gjëndje, Konica rekomandon të instalohen robotë-makina të vërteta; ‘‘Kur merr nën sy turmën qesharake, të padobishme, dhe të kushtushme, të robotëve që pinë gjakun Shqipërisë dhe i thajnë burimet e jetës, njeriu pyet vetveten, vallë nuk do ish më mire sikur pjesën më të madhe të punës në zyrat e Guvernës sonë ta mbaronte një sistem makinash të vërteta?’’[16]

Pjesën disa faqeshe për funksionimin e institucioneve, për robotët, për njerëzit makina, pa ndjesi, për idetë e tij se si duhet të zgjidhet kjo gjëndje e trashiguar, për një Shqipëri ku mbreti i Shqipërisë qe i kishte ngjallë shpresë Konicës, do arrinte ta bëntë Shqipërinë një shtet modern pa kanune, dhe të ndarë ne fise, Konica e mbaron me një përvojë të tij si shëmbull, qe i ka ndodhur në Londër, ku rrëfen për sistemin e drejtësisë dhe praktikës se tyre, ku e sheh si shumë të nevojshme të adaptohet dhe në Shqipëri, por dhe si të pamundshme për rrethanat.

Levantinëtështë çështja e pestë, e cila e mbyll këtë vepër, njëherit është tema ku Konica ndalet me së shumti, duke ekspozuar gjendjen e njerëzve joatdhetar, dhe kritikën e tij mbi ta, si faktori me i lartëqe vepron në të kundërten  e ngritjes dhe rujtjes se vlerave shoqërore e kombëtare.

Levantinët e Konicës janë lloj njerëzish qe ndjehen keq me kombësinë e tyre, me identitetet kombëtare siq janë gjuha e simbole tjera, që e huaja u tingëllon me bukur, madje me shumë preferojnë të propogandojnë kulturë të huaj, gjë që përfaqeson servilet e vetdëshiruar, sesa qe dinë dhe duan ta kultivojnë dhe mbrojnë kulturën dhe identitetin kombëtar; ‘‘Mendimi i themelit për Levantinët (në qoftë  se kukllat mund të thuhet se kanë mendime) është që cdo gjë e vjetër  në Shqipëri u duket atyre ose të poshtër, ose qesharake. Janë plotësisht të bindur se shqipja është një gjuhë e dobët dhe e pazonja të përdoret për të biseduar punë me rëndësi ose për të shfaqur ndjenja të holla.’’[17]

Konica i analizon thellë dhe qartë veprimet e këtyre, duke i përshkruar  si njerëz të shijes së keqe, të ç’kombësuar dhe ç’kombësonjës. ‘‘Ndjenja e thellë dhe e fshehtë e Levantinëve është një besim i fortë se çdo i huaj, i cfarëdo dege a zotësie që në qoftë, makar një cirak bakkalli, është më i mirë dhe me i lartë se ata.’’[18]Sjelljen servile të këtyre levantinëve, Konica e përkufizon me një sëmundje qe Frojdi e quan ‘‘an inferiority compelx’’ apo në shqip kompleks inferioriteti.

Levantinët shkojnë dhe me larg në zhvlersimin e vlerave identitare, madje edhe ato vlera qe i theksojntë huajt kur vin në Shqipëri, ata vlersojnë lartë traditën mikpritëse, bujarisë, kulturën dhe zakonet tjera, edhe pse të varfëra por të vecanatanë Ballkan dhe Europë, andaj Konica i sheh levantinët si njerëz qe synojnë ta prezantojnë vendin me imazhin e varfër të tyre, mohues dhe zhvlerësues.

‘‘Levantinët janë të bindur se shqiptarët s’dinë gjësendi nga ‘‘etiketa’’, kurse ‘‘etiketa’’ e një malësori që ka trashëguar zakonet e stërgjyshërve ka një bukuri, një hollësi, një erë të kthiellt të cilat u kanë pëlqyer gjithë artistëve, shkrimtarëve, njerëzve prej shtëpish të mira të Evropës së Perëndimit që kanë pasur rastin t’i njohin. Dhe gjithë ata udhëtarë janë tallur me mënyrat e Levantinëve tanë.’’[19]

Me Levantinët, Konica i ka dhënë veprës një karaktersocio-filozofik, me shumë shembuj e informacione, me ide dhe argumente me njohuritë e tij mbi historinë, kulturën, traditën, dhe jo kot Konica i sheh si rrezik këtë grup njerëzish, të cilët siç parasheh Konica shkojnë duke u rritur e shumuar, si fara e keqe.

Faik Konica në këtë vepër përmes pesë temave që ka trajtuar ka venë gishtin në dukuri qenësore të cilat bëhen fenomene të një shoqërie, që kur i lexojmë edhe pse të shkruara afër një shekull me parë, i shohim të pranishme këto veti, apo grupe njerëzish të pa formuar, të vetshpallur, të çkombëtarizuar dhe servile mohues.

Vepra e Konicës, ngritet në diskurs të kundërt me atë të Rilindjes Kombëtare, pasi idetë e tij nuk i përkasin himnizimit dhe kryengritjeve, por institucionalizmit dhe kritikës personale e kolektive, politike e kulturore, intelektuale e shoqërore.

‘‘Shqipëria si mu duk’’ e Konicës si e gjithë vepra e tij, lexohen si argumente të natyrshme për vetnjohjen, madje kontribojnë në këtë element deri në përparimin e mendësisë kolektive, fal gjuhës kritike dhe alternative.

‘‘Shqipëria si mu duk’’ e përbërë nga  këto pesë njësi e çeshtje: Dukja e përgjithshme e vendit, Mbreti, Ekspertët, Robotët ose Njerëzit Makina, Levantinëte përbëjn brumin e mendimit publicistik të Faik Konicës, i cili është shumë me i veçantë në historinë e mendimit shqiptar.

Qëndrimi i Faik Konicës mbështetet kryesisht në “Reflektimin” si një vlerë e re që ridimensionon modelin e deriatëhershëm që ishte krijuar kryesisht nga letërsia e Rilindjes Kombëtare model me të cilin Konica ka një lidhje gjenetike dhe që të gjitha shkrimet e tij të hershme ta kujtojnë atë, por të cilit nuk i qëndron konsekuent dhe i largohet duke krijuar një varietet të ri të menduari që opinionin e tij vetjak e ngre mbi krahasimin fort të rëndësishëm të botës shqiptare me atë perëndimore. Brenda një kohe shumë të shkurtër në letërsinë shqiptare bëhen dy modele të cilat kanë udhëhequr letërsinë me ide të reja, ai i Rilindjes Kombëtare i vazhduar edhe nga letërsia pas-romantike dhe modeli i Faik Konicës i mbështetur kryesisht në kritikën e pseudovlerave dhe në kërkimin e vlerave burimore shqiptare në një kontekst të qartë evropian ose perëndimor.

‘‘Shqipëria si mu duk’’ lexohet si reflektim intelektual jo i zakonshëm, i cili ngritet mbi kritikën si filozofi përparimi, që merr trajtën e esesë por që bëhet skicë historike e analizës dhe gjykimit të dukurive që mund të bëhen fenomene, në një kohë të caktuar, siq ish ajo në Shqipëri, ku udhëheqte një mbret me një popull që jetonte me kanun dhe që analfabetizmi ishte mbiemri me i madh i tyre.

Shqipëria është Atdheu i Konicës, në të cilin Konica jeton me pak se kudo tjetër. Edhe pse cdo herë një ‘diplomat i pavarur’ i saj, ai dashurinë dhe kritikën për këtë vend nuk e pushoj asnjëherë, për këtë dëshmon më se miri dëshira e tij qe eshtrat e tij të prehen në tokën Shqiptare.

_________________________

[1]Ndriqim Kulla, Antologji e mendimit shqiptar 1870-1945, Plejad, 2003, fq-201

[2]http://floripress.blogspot.com/2013/09/jeta-dhe-vepra-faik-konica.html

[3]http://www.gazetakritika.net/Forumi/index.php?itemid=3615

[4] Faik Konica, ‘‘Shqipëria si mu duk’’, Reklama, Tiranë, 2010, fq.57

[5] Po aty, fq.58

[6] Faik Konica, ‘‘Shqipëria si mu duk’’, Reklama, Tiranë, 2010, fq.3

[7] Po aty.fq.7

[8] Faik Konica, Vepra, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1993, faqe 224

[9] Faik Konica, ‘‘Shqipëria si mu duk’’, Reklama, Tiranë, 2010, fq.18

[10] Po aty, fq.20

[11] Po aty, fq.20

[12] Po aty, fq.61

[13] Faik Konica, ‘‘Shqipëria si mu duk’’, Reklama, Tiranë, 2010, fq.24

[14] Po aty, fq.26

[15] Po aty, fq.29

[16] Po aty, fq.33

[17]Faik Konica, ‘‘Shqipëria si mu duk’’, Reklama, Tiranë, 2010, fq.41

[18] Po aty, fq.43

[19]Faik Konica, ‘‘Shqipëria si mu duk’’, Reklama, Tiranë, 2010, fq.42

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet