Shqipëria në zjarr

Republika e Shqipërisë prej kohësh nuk ka qenë në një gjendje krize kaq të thellë politike. Që nga djegia e mandateve të deputetëve opozitarë, gjendja ka ardhur vetëm duke u rënduar. Fundi i këtij muaji, ndërkaq, pritet të jetë më i nxehtë për shkak të mospajtimeve të thella për sa i përket datës së zgjedhjeve lokale – shkruan Gazeta e Re.

Një dekret i Presidentit Ilir Meta, i botuar në ‘fletoren zyrtare’, po del të jetë një pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, për të cilat kreu i qeverisë Edi Rama me socialistët e tij, po këmbëngulë njëanshëm që t’i realizojë ato.

Sipas mediave në Shqipëri, edhe pas presionit të mazhorancës, presidenti është shfaqur i vendosur duke sqaruar se: <<Ky dekret është botuar në fletoren zyrtare e për pasojë është i njohur dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë përfshi këtu edhe Kuvendin>>.

Për socialistët, kjo pengesë (Ilir Meta), do të eliminohet së shpejti dhe për këtë po mobilizohet Kuvendi i Shqipërisë (i cili defakto ka mbetur pa opozitë).

Elisa Spiropali, nëpërmjet një deklarate për media ka thënë ndër të tjera se presidenti aktual ka humbur të drejtën për të qëndruar në postin e Republikës së Shqipërisë, prandaj parlamenti do t’i fillojë procedurat e shkarkimit të tij.

<<Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur që të enjten, në seancën plenare, të zhvillojë një debat të gjatë parlamentar duke shtjelluar të gjithë argumentet se si Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, në asnjë Kushtetutë, të quajtur ç’dekretim.

Ky debat do t’i përmbledhë të gjithë argumentet tona. Në fund do ti takojë Kolegjit Zgjedhor apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike. Ne si Kryesi e Partisë Socialiste mendojmë se Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion dhe Parlamenti i Shqipërisë do fillojë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.>>

Mbrëmë opozita e bashkuar e prirë nga Partia Demokratike e Lulzim Bashës, organizoi njërën prej protestave më masive të radhës, e cila dëshmoi edhe njëherë se revolta ndaj pushtetit aktual është akumuluar.

Ndonëse protesta e mbrëmshme ishte e qetë, në disa vende brenda këtyre pak ditëve ka pasur fërkime ndërmjet autoriteteve të rendit dhe protestuesve. Eskorta e Kryeministrit Rama ka hasur mjaft telashe bukur serioze, ndërsa e ka shoqëruar kryeministrin në atë që po cilësohet si fushatë zgjedhore gjysmake.

Data e tridhjetë qershorit, është kthyer në një datë të kobshme qysh tash, ndërsa tensionet ndërmjet palëve kanë ardhur duke u shtuar. Skandali që shpërtheu pas artikullit të gazetës gjermane Bild, ku përshkruhej se si mafia shqiptare i ka manipuluar zgjedhjet në Shqipëri, ka qenë “qershia mbi tortë”.

Për një pjesë të analistëve, ky është fillimi i fundit i epokës Rama. <<Qeveritë diktatoriale janë në gjendje të mos i lejojnë të tilla përgjime të dalin, por kur ato dalin as ato nuk mbijetojnë dot. Në Shqipëri gjatë gjithë kësaj jave, por sidomos dy ditët e fundit, ka një angazhim të pazakontë të qeverisë, të kryeministrit, të njerëzve të tij me media të cilët nuk duan t’ia dinë asfare për asnjë grimë morali dhe po mbrojnë me zell qeverinë>> – ka shkruar analisti i njohur Fitim Zekthi.

Për Zekthin, sikurse për shumë të tjerë të cilët i janë bashkuar parullës tashmë të njohur ‘Rama Ik’, këto janë shenjat ekstreme ku stadi i ngufatjes së demokracisë, është në fazën e fundit. Hë për hë, 30 qershori për socialistët do të jetë datë e zgjedhjeve lokale, me apo pa dekretimin e presidentit, ndërsa për opozitën, koha e zgjedhjeve të tilla ku merr pjesë vetëm një parti politike, ka kaluar./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet