Shqipëria mund të përfitojë shumë nga shfrytëzimi i detit vetëm përmes një marrëveshje me Libinë

Malik Hasa

Shqipëria ka një problem serioz për sa i përket çështjes së detit me Greqinë. Greqia ka ndjekur një politikë të njëanshme për çështjen e përdorimit të hapësirës së detit në kurriz të vendeve fqinje dhe atyre që janë rreth Mesdheut dhe si rrjedhojë ka të njëjtën qasje edhe me Shqipërinë.

Edhe pse e pakuptueshme Greqia ka insistuar dhe ka harxhuar miliona euro për lobime politike dhe mediatike për parcelimin e detit sipas dëshirës së saj dhe përfitimin e miliardave nga shfrytëzimi i nëntokës së tyre duke nxjerrë naftë dhe gaz. Jo vetëm vendet e Mesdheut, por edhe vëmendja e shumicës së vendeve të botës është kthyer nga kjo zonë pasi mendohet që poshtë saj ka rezerva maramendëse të gazit natyror dhe naftës.

Por çfarë po bën Shqipëria në këtë drejtim? Pas fatkeqësisë së lënies jashtë kufijve aktualë të shumë trevave shqiptare, politika e vendit tonë ndodhet përballë të një gabimi shumë të madh që mund ti kushtojë shtrenjtë shqiptarëve dhe mund të jetë më i madhi pas atij të para 100 viteve… Atij të ndarjes territoriale dhe përcaktimit të kufijve detarë në mënyrë që të mund të shfrytëzojë të paktën nëntokën që i takon për qytetarët e saj.

Gjeopolitika në rajonin e Mesdheut është tepër aktive dhe të ndjekësh atë sot është shumë e vështirë… Greqia nga njëra anë bën kontrata konçesionare me kompanitë e mëdha botërore për nxjerrjen e arit të zi, nga ana tjetër krijon aleanca dhe bën marrëveshje që bëjnë të lindin dyshime dhe të krijojnë një shije të hidhur duke u bazuar në rregullat ndërkombëtare në lidhje me këtë temë, por ata këtë e bëjnë duke pikasur boshlliqe në ligjet ndërkombëtare. Marrëveshja me Izraelin, me Egjiptin dhe me Qipron Lindore ishin disa nga këto lëvizje të cilat nga ana tjetër kanë hasur në kundërshtimin e Turqisë, e cila la një gjurmë të madhe në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare duke arritur me Libinë një marrëveshje për shfrytëzimin e përbashkët të pjesës së Mesdheut… Kjo gjë i hapi rrugën Turqisë për zgjerimin e pretendimeve në ujërat ndërkombëtare si dhe të hapjes së një korridori për daljen e saj të gjerë në Mesdhe si ekonomikisht, ashtu edhe ushtarakisht.

Pas këtij veprimi Greqia arriti një marrëveshje ditët e fundit me Italinë për ndarje të pjesëve të shfrytëzueshme të kufijve detarë dhe atë të ujërave ndërkombëtare që gjenden mes tyre. Arritja e kësaj marrëveshjeje është një humbje e madhe për Shqipërinë pasi me këtë marrëveshje ajo nuk ka asnjë të drejtë të bëjë kërkime jashtë kufijve të saj të përcaktuar dhe madje çuditërisht në pjesën jug-perëndimore të saj kufiri detar i Greqisë pothuajse vjen deri në afërsi të qytetit të Sarandës dhe Vlorës.

Marrëveshja e Turqisë me Libinë dhe së fundmi ajo e Greqisë me Italinë janë më se domethënëse dhe alarmuese për Shqipërinë në mënyrë që ajo të zgjohet dhe të bëjë të njëjtën gjë dhe duke e bërë këtë pikërisht me Libinë, si rezultat të së cilës mund të arrijë përfitime serioze jo vetëm pranë kufirit të saj detar, por edhe në ujërat ndërkombëtarë.

Shumë pak gazetarë dhe analistë në Shqipëri flasin për një mundësi të tillë, por në Turqi së fundmi është trajtuar kjo çështje në një kanal televiz, madje është vlerësuar në këtë këndvështrim…

Gjenerali turk tashmë në periudhën e pensionit, As. Prof. Dr. Cihat Yaycı, i cili njihet edhe si ideatori i marrëveshjes mes Turqisë dhe Libisë, e ka prekur këtë çështje në një dalje televizive duke nënvizuar edhe rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga marrëveshja e realizuar tashmë mes Greqisë dhe Italisë. Sipas tij kjo marrëveshje doli në pah nga deklaratat e liderit grek të opozitës i cili pohonte se ajo është më e keqe për Greqinë se marrëveshja për përdorimin e ujërave ndërkombëtare, marrëveshje kjo e realizuar në vitin 1977…

Duket qartë që Shqipëria mbetet e humbur nga një marrëveshje e njëanshme mes Greqisë dhe Italisë. Padyshim që miqësia dhe fqinjësia e mirë duhet ruajtur, por interesat kombëtare duhet të jenë mbi çdo gjë. Shqipëria dhe Libia duhet të ishin marrë në konsideratë dhe të ishin bërë pjesë e një marrëveshjeje të mundshme, por lënia e tyre mënjanë tregon edhe qëllimin jo të mirë të Greqisë, pasi kjo e fundit mund të humbiste shumë nga një marrëveshje, në të cilën do të ishin pjesë edhe Shqipëria e Libia…

Në këtë fazë në të cilën Mesdheu është në qendër të vëmendjes, Shqipëria duhet të lobojë dhe shpjegojë më së miri ndaj SHBA-ve, Gjermanisë, Italisë etj. për humbjet që i adresohen vendit tonë nga një marrëveshje e tillë!

Pa dyshim që këtu nuk bëhet fjalë për armiqësi ndaj fqinjëve, por për një ndarje të drejtë të tortës së arit të zi, e cila ndodhet poshtë Mesdheut dhe që me të drejtë i takon të gjithë shteteve që lagen prej tij…


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet