Shqipëria, hapa pas në liberalizimin e tregut dhe rritjen e sigurisë energjetike

Sekretariati i energjisë në Vjenë e klasifikoi Shqipërinë si vendin e vetëm në rajon, që ka shënuar regres në reformat energjetike gjatë këtij viti.

Vlerësimi, i cili përbën një goditje të fortë në planin e qeverisë për rimëkëmbjen e sektorit energjetik, vëren se vendi ka bërë hapa mbrapa në shumë drejtime, që nga liberalizimi i tregut e deri te diversifikimi burimeve apo rritja e sigurisë energjetike.

“Progresi i reformave strukturore në sektorin energjetik të Shqipërisë këtë vit ishte vetëm në letër”, thuhet në vlerësim.

Sipas sekretariatit, ndërtimi i bursës së energjisë në Shqipëri vazhdon të zvarritet, ashtu si ndarja funksionale e Operatorit të shpërndarjes, masa që duhet të hapnin tregun. Por, veç tyre, raporti ka kritika të forta edhe për zvarritjen e centralit diellor të Akërnisë.

“Ankandi i parë për energjinë e rinovueshme të centralit diellor 50 mega u zhvillua në fund të 2018-ës. Por është shqetësuese që kontrata nuk është firmosur ende.”

Centrali i Akërnisë u fitua nga një konsorcium i kryesuar nga India Power Generation. Por ministria e infrastrukturës ende nuk ka firmosur marrëveshjen për blerjen e energjisë. Këtë sekretariati e konsideron shqetësuese.

“Stabiliteti dhe parashikueshmëria e kuadrit ligjor të energjisë së rinovueshme duhet të garantohen. Ashtu si transparenca dhe mos diskriminimi i investitorëve.”

Raporti vëren se reformat në vend janë penalizuar edhe nga ndërrimi i stafeve, ku veçohet shkarkimi i drejtorit të agjencisë për efiçiencën e energjisë.

Sipas sekretariatit, ky akt ka ndikuar negativisht në mbështetjen financiare të projektit nga BE. Për vite me radhë, reforma energjetike është cilësuar si një nga sukseset më të mëdha të qeverisë. Por Banka Botërore dhe FMN vërejnë se reforma është ngadalësuar, ndërsa sipas sekretariatit vendi po bën hapa pas

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet