Shqipëri, arrestohen zyrtarë bashkiakë për pengim të zgjedhjeve

Policia në Shqipëri ka arrestuar zyrtarë bashkiakë në qytete të ndryshme si të dyshuar për veprën penale “Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese” të kryer në bashkëpunim.

Në Mallakastër, dy punonjës të Bashkisë dhe roja e një shkolle në qytetin e Ballshit, janë arrestuar ndërsa është shpallur në kërkim nënkryetari i Bashkisë Mallakastër.

D.D, 57 vjeç, E.I, 39 vjeç, si dhe roja N.K, 58 vjeç, janë tre personat e arrestuar. Mësohet se policia po punon për kapjen e 38-vjeçarit H.S, nënkryetar i Bashkisë Mallakastër.

Bëhet e ditur se nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se këta shtetas janë autor të dyshuar të mbylljes dhe bllokimit 2 shkollave në qytetin e Ballshit dhe 21 shkollave në fshatrat e Bashkisë, të cilat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë vendosur e miratuar si Qendra Votimi për zgjedhjet e Pushtetit Vendor të datës 30.06.2019.

Ndërkohë, S.B, 61 vjeç; dhe G.B, 59 vjeç, të dy me detyrë punonjës shërbimesh në Seksionin e Arsimit pranë Bashkisë Pogradec, janë arrestuar nga policia e këtij qyteti nën akuzën e “Pengimi i zgjedhësit, kryer në bashkëpunim”.

Mësohet se arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, duke mbyllur me çelës tre shkolla dhe një kopsht fëmijësh në lagjet nr 2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, të cilat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë vendosur dhe miratuar si qendra votimi, për zgjedhjet e Pushtetit Vendor të datës 30.06.2019.

Kategoritë
KulturëRajoni

Të ngjajshmet