Shqipëri, 17 raste të reja me COVID-19, shkon në 400 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë njoftoi për 17 raste të reja me COVID-19, ndërsa shkoi në 400 numri i të prekurve. Po ashtu, u njoftua për 23 të shëruar në 24 orë, shkon në 154 numri i të shëruarve.

Dr. Albana Fico nga Instituti i Shëndetit Publik tha se po vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.

Fico: 17 raste të reja dhe 23 të shëruar në 24 orë

“Në 24 orët e fundit janë testuar 236 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 17 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 2989 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 400 raste. […] Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. Gjatë 24 orëve të fundit, 23 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 154”, deklaroi ajo.

Fico konfirmoi se në shërbimin infektiv aktualisht janë 52 të shtruar ku 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, tha se janë 6 pacientë të shtruar gjithsej, ku nga këta 5 pacientë janë në terapi intensive, një në pavion, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 58 pacientë.

Rastet e reja janë paraqitur në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Shkodër.

Fico: Harta e të prekurve u zgjerua në Tiranë, Fier, Elbasan e Shkodër

“Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 9 raste, Elbasan 1 rast, Fier 6 raste dhe Shkodër 1 rast. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon: Tiranë 190 raste, Durrës 3 8 raste, Lushnje 5 raste, Elbasan 12 raste, Fier 32 raste, Kavajë 8 raste, Rrogozhinë 4 raste, Korçë 17 raste, Vlorë 5 raste, Shkodër 45 raste, Lezhë 14 raste, Berat 2 raste, Has 12 raste, Krujë 5 raste, Tropojë 4 raste, Pukë 4 raste dhe Mirditë 3 raste”, deklaroi Fico.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkoi qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

Sipas tyre, siç tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet