Shqetësues numri i madh i aksidenteve me fatalitet në rrugët e Kosovës

Rrugët e Kosovës nuk kanë qenë kurrë aq të sigurta. Mjaft aksidente me fatalitet ka pasur edhe në vitet e kaluara. Për fat të keq, ky trend negativ, duket që nuk do të ndryshojë as këtë vit – shkruan Gazeta e Re.

Rasti i gruas shtatzënë e cila humbi foshnjën pasi u godit befasisht nga një kamionetë, tronditi gjithë vendin. Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, në gjashtë muajt e fundit nëpër rrugët e Kosovës kanë humbur jetën shtatë persona. Një ndër shkaktarët, sipas këtyre raporteve, mbetet shpejtësia e madhe, përtej normave të lejuara në trafik. Infrastruktura rrugore aspak e mirë dhe mirëmbajtja e dobët e rrugëve, po ashtu ndikojnë mjaft në përkeqësimin e situatës.

Të gjithë i kujtojmë fare mirë rastet tragjike të vitit të kaluar, kur gjatë verës, brenda pak javësh patën humbur jetën 10 persona. Rasti më tragjik ishte ai kur një familje pesë anëtarëshe (5) e cila kishte ardhur t’i kalonte pushimet në vend, qe shndërruar në tragjedi. Vetëm në shtatë mujorin e parë, qenë regjistruar mbi 7000 aksidente, si pasojë e të cilave patën humbur jetën 59 persona.

Duke e parë se gjendja nuk ka ardhur aspak duke u përmirësuar në këtë aspekt, PK në janar të këtij viti ndërmori një fushatë vetëdijësuese “me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve”.

Kështu zyrtarët policorë “përveç kryerjes së detyrave të rregullta në kontroll dhe mbikëqyrje të trafikut, kanë përcjellë mesazhin sensibilizues tek pjesëmarrësit në trafik përmes shpërndarjes së broshurave “EJA TI JO LAJMI PËR TY!”, “PËR NJË VIT MË TË SIGURT NË TRAFIK”, si dhe “PËRQENDROHU NË NGASJE”, që të kenë kujdes më të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve në trafik.”

PK në vazhdimësi ka bërë apel që pjesëmarrësit në trafik dhe veçanërisht tek drejtuesit e automjeteve që t’u përmbahen dispozitave ligjore, ta rrisin vigjilencën dhe ta shtojnë kujdesin  në “respektimin e rregullave që dalin nga ligjet e trafikut, për të garantuar një siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë, me qëllim të shmangies së aksidenteve rrugore në tërësi  e në veçanti të atyre me pasoja fatale.”

Por efekti i këtyre fushatave, nuk duket që ka qenë aq i madh. Me dhjetëra aksidente (30, deri në 40 sosh), ndodhin mesatarisht brenda ditës, sipas raportimeve të PK-së.

Në raportin e përgjithshëm të PK-së për vitin 2016-të, vit ky që konsiderohet si ndër më të përgjakshmit për sa u përket aksidenteve fatale në rrugët e Kosovës, thuhet:

“Fatkeqësisht, edhe përkundër përpjekjeve të mëdha të Policisë, gjatë vitit 2016 janë evidentuar 18541 aksidente, që në raport me vitin 2015 është shënuar një ngritje për 4.62% Është e rëndësishme të theksohet se aksidentet fatale kanë shënuar rënie për 15.38%, ndërsa ngritje kanë shënuar aksidentet me lëndime për 16.21% dhe me dëme materiale për 10.47%. Nga ky numër i aksidenteve, 110 persona kanë humbur jetën, që në raport me vitin 2015 shënon një rënie për 14.73%. Ndërsa numri i personave të lënduar në trafikun rrugor ka shënuar ngritje për 12.54 %.”

Viti 2017-të, po ashtu sipas të dhënave të PK-së, pat shënuar rënie të numrit të viktimave nga aksidentet e trafikut, ndërsa në vitin 2018 kanë humbur jetën më shumë se 85 persona. Por as fillimi i vitit 2019-të nuk ka qenë aspak i mbarë në këtë aspekt. Vetëm në gjashtë muajt e fundit, sipas të dhënave, kanë humbur jetën 7 persona./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet