Shpirti i Prizrenit në Ramazan shpërfaqet me përmasat reale të virtyteve të shenjta të besimit

Dimensioni kulturor e shpirtëror i Prizrenit, gjatë Muajit të Ramazanit shpërfaqet me dimensionin e shenjtë të shpirtit, gjerë e gjatë në gjithë hapësirën te njerëzit e këtij qyteti. Ramazani, qytetin e qetë e të dashur, e bënë qytet edhe më të qetë dhe më të dashur. Ramazani, qytetin e shpirtit human e bënë edhe më solidar dhe dorëlirë. Prizreni i 35 xhamive, në Ramazan, si tërësi gjeografike e njerëzore, për 30 ditë rrezaton qetësi, bamirësi, solidaritet. Rrezaton dashuri.

“Qyteti i Prizrenit në të gjitha trojet shqiptare dallohet si qytet, i cili Ramazanin dhe festat fetare i ka më për shpirt. Prizreni dallon nga qytetet tjera, duke marr parasysh se i ka 35 xhami vetëm në qytet, ku falet namazi me numër qind për qind të rritur të besimtarëve” shprehet për Gazeta e Re, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha.

Ramazani në qytetin e Prizrenit dallohet edhe me ushqimet tradicionale të këtij muaji të shenjtë. Dallohet edhe për shtrimin e iftareve për nevojtarët.

“Iftaret e përbashkëta me skamnorë janë akoma më shumë se viteve të kaluara. Ndihma ndaj familjeve në nevojë, është më e madhe se viteve të kaluara, prandaj shpirti, solidariteti e dallon qytetin dhe qytetarin e Prizrenit nga qytetet tjera”, veçon Berisha.

Gjatë muajit të Ramazanit edhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren është më i mobilizuar, si në kryerjen e riteve fetare me numër shumë më të madh të besimtarëve, ashtu edhe duke iu dalë në ndihmë familjeve skamnore.

“Këtë vit gjatë gjithë muajit të Ramazanit në Xhaminë Qendrore në Xhaminë e Sinan Pashës janë mbajtur ligjërata për besimtarë gjysmë orë para namazit të drekës. Edhe kjo është një veçanti e Ramazanit në Prizren”, pohon Berisha.

Prandaj i veçantë është nga Prizreni edhe urimi për festën e Fitër Bajramit. Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren Besim Berisha, uron të gjithë besimtarët që “begatia lumturia dhe harmonia të mbretërojë në familjet e tyre”.

Nga qyteti i Prizrenit ai kërkon nga të gjithë besimtarët të jenë më solidar e më të dashur me njëri tjetrin, t’i buzëqeshin njëri tjetrit me dashuri.

Edhe degët e të gjitha subjekteve politikë në Prizren, urojnë Këshillin e Bashkësisë Islame, urojnë besimtarët.

Dimensioni kulturor e shpirtëror i Prizrenit, i qytetarëve të këtij qyteti, edhe gjatë këtij muajit të Ramazanit u shpërfaq me një dimension krejt të veçantë, gjerë e gjatë në gjithë hapësirën e qytetit, te njerëzit e këtij qyteti. Duke u karakterizuar me qetësinë, dashurinë, solidaritetin për bamirësi Prizreni gjatë këtij muaji shpërfaq shpirtin e tij me përmasa të virtyteve të shenjta të besimit. /Gazetaere.com/

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet