Shpikjet e eruditëve të civilizimit islam në muzeun e Stambollit (Foto)

Muzeu i Historisë së Shkencës dhe Teknologjisë Islame në Stamboll, i themeluar nga studiuesi i famshëm Fuat Sezgin, tërheq interesim të madh me ekzemplarë të shpikjeve të shkencëtarëve në fushën e shkencës dhe teknologjisë përgjatë historisë.

Muzeu ka një rëndësi të veçantë me estetikën dhe instruktivitetin e veprave shkencore nga njëra anë dhe përshtypjet dhe njohuritë që ofron nga ana tjetër, shkruan AA.

Muzeu i Historisë së Shkencës dhe Teknologjisë Islame pasqyron procesin e botës islame në historinë e shkencës me veprat dhe dokumentet që gjenden aty. Muzeu është gjithashtu i rëndësishëm për gjeneratat e ardhshme, pasi paraqet një urë që bashkon kulturën shkencore lindje-perëndim në aspektin e historisë së shkencës.

Në këte muze gjenden rreth 600 shpikje që u prezantuan për herë të parë në shkencën islame. Muzeu, i cili përfshin maketa të zbulimeve, shpikjeve dhe qendrave shkencore të kohës, shquhet si një nga qendrat më të mëdha në botë në këtë fushë.

Shpikjet e civilizimit islam në midis shekujve 9 dhe 16

Me një sipërfaqe për ekspozita prej 3.500 metrash katrorë dhe një total prej 570 instrumenteve, kopjeve, aparateve, maketave dhe kolokesioneve të modeleve, është lloji i parë i tillë në Turqi dhe i dyti në botë pas Frankfurtit.

Në katin e sipërm të muzeut dykatësh, gjendet një sallë për shfaqje filmash ku mund të shihen video të ndryshme rreth muzeut, si dhe seksioni i astronomisë, teknologjisë, detarisë, teknologjisë së luftës dhe mjekësisë. Në katin e poshtëm të muzeut ekziston një seksion ku ekspozohen dokumente dhe harta të ndryshme në fushën e minierave, fizikës, matematikës-gjeometrisë, urbanizmit dhe arkitekturës, optikës, kimisë dhe gjeografisë. Në sallat e ekspozitave shfaqen modele dhe maketa të veprave nga shkencëtarët islamë.

Ndërkaq, në kopshtin e muzeut shfaqet një glob që përmban kopjen e hartës së botës e cila u përgatit me urdhër të kalifit al-Ma’mun në shekullin 9 dhe që u zbulua në Pallatin Topkapi të Stambollit nga studiuesi turk Sezgin, si dhe Kopshti Botanik Ibn Sina, ku gjenden 26 lloje të bimëve mjekësore të cilat përmenden në vëllimin e dytë të librit “Al-Qanun fi’t-Tibb” (Kanuni i Mjekësisë) të dijetarit të shquar Ibn Sina.

Në sallat e ekspozitës po ashtu mund të shihen një kopje e hartës së botës e hartuar nga Al-Idrisi duke u bazuar në hartën e kalifit al-Ma’mun, ora mekanike e bërë nga dijetari osman Takiyeddin në vitin 1559, Ora Elefant nga libri i dijetarit Al-Jazari, palnetariumi i astronomit dhe matematikanit Abu Said al-Sijzi, sfera qiellore e Abdurrahman al-Sufi, astrolabi i al-Khojandi-t, peshorja e shekullit 12 e bërë nga Abdurrahman al-Hazini që punon sipas parimit të të ujit dhe peshës si dhe ekzemplarë të disa prej shpikjeve të shumë shkencëtarëve të tjerë të rëndësishëm, siç është libri Al-Qanun fi’t-Tibb, të cilat u shpikën gjatë periudhës së artë të civilizimit islami ndërmjet shekujve 9 dhe 16.

Shumica e këtyre ekzemplarëve janë bërë sipas pikturave dhe përshkrimeve në burime të shkruara nga Instituti i Historisë së Shkencave Arabe-Islame pranë Universitetit “Johann Wolfgang Goethe” në Frankfurt, në të cilin Sezgin për një kohë ishte drejtor, ndërsa një pjesë tjetër duke u bazuar në veprat origjinale që janë ruajtur deri në kohët e sotme.

Numri i vizitorëve rritet çdo vit

Profesori i ndjerë Sezgin, i cili krijoi një atelie në Gjermani për përgatitjen e këtyre instrumenteve, punoi me saktësi të madhe për të përgatitur një pjesë të ekzemplarëve duke zgjedhur ekspertë nga Spanja, Egjipti dhe Gjermania. Ndërkaq, disa vepra ai i kompletoi duke bashkuar pjesë të shumta të tyre në disa vende.

I hapur në Parkun Gülhane të Stambollit në vitin 2008, në muze vazhdon të rritet numri i vizitorëve çdo vit e më shumë.

Numri i vizitorëve këtë vit ka shënuar rritje të konsiderueshme, pasi vitin 2019 në Turqi është shpallur si “Viti i Profesorit Fuat Sezgin”.

Me 90 mijë vizitorë sipas të dhënave për pesë muajt e parë të vitit, Muzeu i Historisë së Shkencës dhe Teknologjisë Islame në Stamboll është bërë një nga stacionet më të vizituara kulturore pas Pallatit Topkapi, Ajasofisë dhe Muzeve Arkeologjike të Stambollit.

Kategoritë
Të ndryshmeTeknologji

Të ngjajshmet