Shpendi në “krahët” e Ramushit

Për disa, koalicioni parazgjedhor ndërmjet AAK-së dhe PSD-së ishte i pritshëm. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, u cilësua madje si koalicion i fitores. Në fakt karvanit të udhëhequr nga Haradinaj, pritet që t’u bashkohen edhe disa parti të tjera më të vogla – shkruan Gazeta e Re.

Kreu i Partisë Social Demokrate (PSD), në disa intervista, e bëri të qartë që jo gjithçka është sqaruar ndërmjet partnerëve, por ai premtoi që do të punonte për t’i shkrirë dallimet.

Në opinionin publik, ky akt, u komentua në mënyra të ndryshme.

Profesori dhe analisti Rrahman Paçarizi e cilësoi si: «koalicion pragmatik!». Sipas tij, “resursi” human i PSD-së, mund t’i shërbejë shumë forcës elektorale të AAK-së.

«AAK i ka votat dhe një moment interesant të euforisë elektorale për shkak të disa veprimeve populiste. PSD me kapacitete njerëzore në udhëheqje (Shpend Ahmeti, Dukagjin Gorani, Visar Ymeri, dy Dardanët, Aida Derguti, Shqipe Pantina etj), e ka ekspertizën dhe marrëdhënien e me publikun. Këta dy komponentë mund të jenë pika kritike e zgjedhjeve pasi këto dy parti vjelin dy ekstremet e elektoratit kosovar. Me PSD-në në koalicion AAK nuk e humb asnjë votë të vetme, por i shton më shumë vota seç do t’i vilte PSD sikur të garonte e vetme (me rrezikun për kalimin e pragut).

Diskutimet për të djathtën e të majtën në Kosovë, nuk e kanë relevantën e mjaftueshme, madje në shumë pikëpamje ky koalicion nuk prodhon telashe përbrenda. Telashet janë të tjera. Tashmë, gjasat për matje reale ndërmjet partive janë gati zero. AAK është dashur të garonte e vetme, për të na tregu se ku është me vota – njëjtë do të duhej të vepronin edhe LDK, LVV e PDK. Ky sistem tashmë është prishur.

Po çelësi ku është tash? Çelësi është: Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt. Ky koalicion e ka shndërruar Fatmir Limajn në faktorin përcaktues. Është në dorën e tij tashme pothuajse gjithçka, edhe koalicioni i fuqishëm eventual LDK/NISMA.

Këto dy koalicione do të nxisnin reaksion të PDK-së elektorati i frikësuar i të cilës do të mobilizohej duke e rikthy në pozitën e dyte p.sh. LVV ka me i rujtë parimet edhe këtë mandat nëse nuk ndodh ndonjë e papritur… » – ka shkruar Paçarizi ndër të tjera.

Të tjerët e akuzuan PSD-në se ajo u është frikësuar zgjedhjeve të parakohshme, nuk ka dashur që t’i hyjë garës e vetme, pasi nuk do të mund ta kalonte as pragun zgjedhor. Por deputeti i këtij subjekti Visar Ymeri, mbrëmë në Interaktiv tha që kjo nuk është e vërtetë, pasi që ata e kanë të garantuar kalimin e pragut zgjedhor. Bashkimin me AAK-në ndërkaq e bënë për t’i «maksimalizuar mundësitë tona politike», në mënyrë që në të ardhmen të kemi një qeveri më të mirë, e më të përgjegjshme.

Sipas tij, kontributi i PSD-së nuk mund të mohohet, as në rastin e formimit të ushtrisë, përkatësisht pasi ligjet e nevojshme u votuan në parlament, e as në ligjet e tjera të nevojshme, siç është ai i punës.

Marrëveshja ndërmjet dy subjekteve parasheh që PSD-ja t’i ketë vetëm 25 vende për kandidatë për deputetë, ndonëse aktualisht ajo është e barabartë për nga numri i deputetëve me AAK-në (me nga 12 sosh).

Këtyre dy partive mundet fare lehtë që t’u bashkohet edhe Nisma Socialdemokrate, që sipas Kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, nuk qëndron larg kësaj mundësie. Ai sot ka pasur një takim me Kryetarin Fatmir Limaj, por përkundër disponimit, marrëveshje konkrete nuk ka pasur./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet