Shota me shumë çmime ndërkombëtare, problem po u shkakton mosliberalizimi i vizave

Me valle e këngë folklorike, këta artistë promovojnë Kosovën në rajon dhe më gjerë. Pas çdo festivali kthehen me shpërblime, e vitin 2018 po e përmbyllin me disa çmime ndërkombëtare.

Por, vallja dhe zëri i tyre shpesh po pengohet në kufij. Sepse edhe për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, mosliberalizimi i vizave po paraqet izolim.

Drejtori i këtij ansambli, Shefqet Gjocaj, në një intervistë për KosovaPress thotë se “Shota” po ftohet edhe në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, por sipas tij, shteti i Kosovës nuk po u ofron përkrahjen e nevojshme.

Gjocaj: Kosova duhet të investojë në diplomacinë kulturore

“Shteti i Kosovës duhet të investojë më tepër në atë që quhet diplomaci kulturore, që ndonjëherë është shumë më e rëndësishme, për shembull ansambli ‘Shota’ të përfaqësojë kulturën atje, se sa të shkojë i gjithë parlamenti i Kosovës në takime. Është tepër më e rëndësishme sepse përmes artit, përmes sportit dalin ambasadorët më të mirë, sidomos në vendet e vogla të cilat janë të pafuqishme… Konsideroj se në këtë drejtim i kemi dy telashe të mëdha, për viza, dhe telashja më e madhe është për buxhet”, thotë Gjocaj.

Gjocaj thotë se procesi i rizgjedhjes së drejtorëve dhe mungesa e buxhetit u bënë shkas për zvarritjen e disa aktiviteteve, që megjithatë, ia dolën t’i realizonin.

Për ansamblin “Shota” vazhdon të jetë problem mungesa e kodit buxhetor që do të menaxhohej nga vetë ansambli.

Ndërkaq, rregulloren për gradimin e punëtorëve të kulturës, Gjocaj e cilëson si të keqe dhe të papërmirësuar.

Gjocaj: Rregullorja për gradimin e punonjësve të kulturës nuk u përmirësua

“Sa i përket rregullores për gradimin e punonjësve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, që ka rezultuar me ngritjen e pagave, konsideroj që është rregullore e keqe e cila nuk është përmirësuar fare si rregullore. Janë ngritur pagat mbi bazën e asaj që kanë qenë, ndërkaq nuk është bërë as harmonizim e as kategorizim në kategori të caktuara artistike, dhe si rezultat i kësaj ka edhe pakënaqësi”, deklarohet Gjocaj.

Krahas sfidave, ansamblit “Shota” nuk po i mungojnë sukseset. Gjocaj tregon se çmimet e mirënjohjet tashmë janë bërë rutinë për ta, e thotë se nuk ndodhë që të kthehen nga ndonjë festival pa u shpërblyer.

Edhe këtë vit, ata morën pjesë në disa festivale, e së fundmi, në “Vitosha Folk Fest 2018”, në Bullgari, ansambli “Shota” triumfoi me katër çmime kryesore.

Gjocaj: Shota ngadhënjeu me katër çmime në Sofja të Bullgarisë

“Shota ka shkuar në Vitosha, në Sofja dhe atje ka ngadhënjyer, praktikisht nga pesë kategori ka ngadhënjyer me katër prej tyre, siç ishin Ansambli më i mirë, Muzika më e mirë, Veshjet më të bukura dhe valltarja më e mirë e festivalit, që u shpall valltarja jonë Valentina Haziri”, tregon Gjocaj.

Ndërkaq, 20 vjetori i epopesë së UÇK-së dhe 550 vjetori i vdekjes së Skënderbeut ishin ndër ngjarjet që karakterizuan vitin 2018. Edhe për ansamblin “Shota”, këto dy ngjarje u bënë frymëzim për dy koreodrama, që pavarësisht sfidave, arritën të shfaqeshin para publikut.

Gjocaj: Shfaqëm koredramat për UÇK-në dhe Skënderbeun

“Bëhet fjalë për koreodramën ‘Lulet e marsit’, e cila ka qenë realisht një homazh për fëmijët e familjes Jashari, por edhe për epopenë e UÇK-së. Pastaj, në muajin maj, kanë filluar përgatitjet e koreodramës për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e cila ishte menduar që të mbaronte në muajin qershor, por për shkak të disa problemeve është zgjatur koha e realizimit dhe puna kryesore është bartur në muajin shtator, për arsye se muaji gusht është muaji i pushimit kolektiv. Dhe ne kemi arritur ta realizojmë më datën 26 shtator koreodramën ‘Kumt’”, tregon Gjocaj.

Për vitin që po vjen, ansambli “Shota” po përgatitë projekte të veçanta. Gjocaj ka treguar për KosovaPress se janë duke përgatitur një program special për vitin 2019, që shënon edhe 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Po ashtu, 2019-ta pritet të jetë si viti kur “Shota” do ta krijojë edhe arkivin e saj, për të cilin Gjocaj thotë se kanë marrë premtim për përkrahje nga Ministria e Kulturës.

Përpos kësaj, në një të ardhme të afërt, “Shota” planifikon edhe themelimin e Akademisë së të rinjve, përmes së cilës synohet ndër të tjerash që të përgatiten artistët e ardhshëm të ansamblit “Shota”.

Kategoritë
KulturëLajmeVendi

Të ngjajshmet