Shoqëria përballë krimit

Një valë reagimesh nga të gjitha nivelet nga ana e qytetarëve, për disa ditë me radhë, u sinkronizuan në një thirrje të vetme që kërkonte të dënonte aktin monstruoz të dhunimit të një të miture në Drenas. Vetvetiu u ngritën edhe disa pyetje shqetësuese, e ndër to edhe kjo: sa duhet t’u besojmë organeve të rendit? – shkruan Gazeta e Re.

Policia e Kosovës, për vite me radhë është renditur në krye të listës së institucioneve më të besueshme në vend. Përkundër disa rasteve, përkatësisht skandaleve të herë pas hershme, perceptimi nga ana e qytetarëve për këtë institucion, ka qenë relativisht pozitiv.

Në një raport të paradokohshëm të QKSS-së (Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë), PK renditej madje përpara sistemit të edukimit.

“Sipas anketës, qytetarët e Kosovës kanë renditur Policinë e Kosovës si më të besuarën në vend, me 56 %, e pasuar nga sistemi i edukimit me 55 %, mediat me 41 % dhe organizatat e jo-qeveritare me 38 %. Institucionet më pak të besueshme janë shfaqur Prokuroria me 24 %, sistemi i Drejtësisë me 27 %, etj.”

Për më shumë, raporti i publikuar në vitin 2015-të, konstaton se edhe perceptimi rreth shtrirjes së dukurisë së korrupsionit në këtë institucion, nuk ishte aq negativ:

“Qytetarët janë pyetur edhe rreth perceptimit të tyre për një zyrtar të zakonshëm policor ku 29% e respodentëve e tyre e vlerësuan zyrtarin policor si person i kulturuar dhe i sjellshëm, ndërsa rreth 24% e tyre vlerësuan zyrtarin policor si zbatues dhe mbrojtës i ligjit, i pasuar 18 % të cilët i vlerësuan zyrtarët policorë si persona të korruptuar dhe jo-profesional.”

Por katër vite më pas, cili do të ishte vlerësimi i qytetarëve për këtë institucion?

Në protestën e sotme të mbajtur në Drenas, e organizuar për rastin e abuzimit seksual të së miturës ky dyshohet se janë involvuar një profesor dhe një polic, pati edhe gjuajtje me vezë. Protestuesit pasi kërkuan që policia të tërhiqet dy hapa prapa, si shenjë distancomi nga veprimi i kolegut, por policët që kishin dalë për ta siguruar ngjarjen, nuk u tërhoqën, duke bërë që të shpërthejë një valë revolte, përkatësisht gjuajtje vezësh ndaj tyre nga ana e protestuesve.

Ngjarja e rëndë ka mobilizuar të gjitha institucionet, ndërsa sot ka qenë temë edhe në Kuvendin e Kosovës. Të thirrur me urgjencë, deputetët veç që janë solidarizuar me viktimën, kanë shprehur shqetësim që ky skandal i ka prekur dy nyje kryesore të shtetit: arsimin dhe policinë.

Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Vetëvendosjes, ka kërkuar madje, dorëheqje të Ministrit të Brendshëm Ekrem Mustafës. Kolegia e saj, deputetja Fatmire Kollçaku, ka konstatuar se rasti tronditës, ilustron dështimin në tri nivele të institucioneve: “Këtu kemi shkelje në të tri nivelet” – ka thënë ajo, duke thënë fillimisht se abuzimi seksual me të miturën “filloi në shkollë, e vazhdoi në momentin kur e mitura mori guximin dhe e raportoi rastin.”

Duke bërë thirrje që e gjithë shoqëria të ndërgjegjësohet e t’i parandalojë aktet e tilla, Elmi Reçica u shpreh ndër të tjera se rasti “ka shkaktuar hidhërim dhe tronditje të madhe në vend”.

Se të miturit po përballen me rreziqe shumë të mëdha, e ndër to edhe me abuzimin seksual, këtë e ka pranuar edhe Avokati i Popullit Hilmi Jashari. I ftuar në emisionin Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se nxënësit në shkolla, përveç me abuzimin seksual, ata po përballen edhe me fenomene të tjera shqetësuese.

Rasti është dënuar nga të gjitha anët, duke shkaktuar një reaksion të madh të shoqërisë, e deri në nivel ambasadorësh. Të gjithë kërkojnë që të involvuarit të marrin një gjykim të merituar. Ndërsa është kërkuar që institucionet të japin llogari, të involvuarit gjykim të drejtë, sepse vetëm kështu do të rikuperohej sadopak besimi i humbur i qytetarëve në institucionet vitale të shtetit. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet