Shoqëria kosovare, shoqëri e krizave

Shoqëria kosovare që nga përfundimi i luftës dhe ndërrimi i sistemit politik nga ai monist në pluralist, është përballur me kriza të shumta. Qeveritë, më shumë kanë shëmbëllyer në konstrukte institucionale që i kanë mirëmbajtur problemet, se sa si mekanizma të ndërtuar për t’i zgjidhur ato njëherë e përgjithmonë. Breza të tërë janë rritur në këtë kontekst të ndjeshëm socio-kulturor e politik, definomi i së cilit, nuk është i lehtë – Shkruan Gazeta e Re.

Breza të tërë janë lindur dhe po rriten në kohë të krizave të njëpasnjëshme. Ndërsa problemi është edhe se si mund të definohet një “shoqëri e krizave”? Kritikët më të ashpër të qeverive të pasluftës, priren që gjithë kontributin institucional t’ua veshin strukturave ndërkombëtare që e kanë ndihmuar shtetin në krijimin e një baze demokratike. Ata madje thonë që vetëm inercia e institucioneve ndërkombëtare të instaluara në vend, i ka shtyrë zyrtarët institucionalë t’i kryejnë punët me të cilat janë ngarkuar, ndërsa prania e tyre, veçanërisht KFOR-it, është një garantues i paqes, përndryshe konsekuencat e bartjes së pushtetit nga UNMIK-u te vendorët, do të ishin të këqija, për të mos thënë fatale.

Por në anën e kundërt të këtij vëzhgimi ekstremist negativ, kemi palën tjetër që i pranon lëshimet e shumta, i vlerëson si dobësi boshllëqet ligjore, neglizhencën institucionale, pafuqinë e tyre për t’u dhënë përgjigje problemeve, por njëkohësisht vë në dukje infrastrukturën ligjore të miratuar që përbën bazën ligjore të demokracisë (ndonëse të brishtë), pluralizmin politik, infrastrukturën rrugore, ndërtimin e autostradave, shkollave, spitaleve, krijimin e tregut të lirë, krijimin e një klime ku mund të kritikohen pushtetet, tregun medial etj, etj. Në këtë kontekst të ndërlikuar socio-kulturor e politik, definimi më karakterizues i shoqërisë, nuk është i lehtë. Për sociologun Valter Nasufi, periudha e tranzicionit ende nuk ka kaluar ndërsa është i nevojshëm një rishikim i objektivave të sistemit arsimor. Sociologu tjetër Suad Jetullahi, shoqërinë tonë, që është një shoqëri e krizave, e definon nëpërmjet nocionit të improvizimit.

“Përgjatë gjithë kohës që nga paslufta kemi një diskurs të stërngarkuar përmes të cilit ne glorifikojmë zhvillimin e vendeve perëndimore dhe se si ato janë model dhe synim i yni si shoqëri. Mirëpo, kjo është e gjitha çfarë ne kemi bërë. Pra, kemi vetëm fjalë dhe jo veprime të cilat do të na afronin me nivelin e përparimit të vendeve perëndimore. Detyrimisht kjo nënkupton që kemi një vetëdije të cekët mbi substancën e cila garanton evoluimin tonë si shoqëri drejt asaj që vazhdimisht po themi se e synojmë. Si rrjedhojë, jemi shndërruar në një shoqëri ku e vetmja gjë që na shkon për dore është improvizimi. Improvizim në qeverisje, në arsim, në ekonomi, në shëndetësi e gjetiu. Pastaj, natyrisht që në një shoqëri të tillë do të ketë kriza të njëpasnjëshme. Madje, për të vërtetuar që ne si pasardhës të pellazgëve jemi sui generis, ne prodhojmë kriza të reja për të kamufluar ato të vjetrat dhe kjo po ndodh në mënyrë ciklike” – shprehet duke ironizuar Jetullahi.

Për t’i tejkaluar më lehtë barrierat, medoemos duhet që shoqëria të përgatitet, ndërsa sistemi ynë i arsimit, ka mjaft nevojë të forcohet. Nasufi, siç e thamë, vë në dukje pikërisht nevojën që shoqëria ta rikthejë vëmendjen te çështja e arsimit:

“Meqë Kosova akoma nuk e ka kaluar periudhën e tranzicionit dhe të shtet formimit, tashmë ka ardhur koha që të shikoj seriozisht një reformë në sistemi arsimor. Kosova prodhon njerëz me diploma por jo kuadro të cilët rregullojnë sistemin dhe jetën social-ekonomike. Kjo vërehet fare qartë që të diplomuarit gjejnë prehje tek zanatet si, ai i kamarierllëkut, shitësit etj. Duket sikur shkolla, apo dija ka devalvuar fare. Fakulteti është bërë më i lehtë se shkolla e mesme. Edhe thënia e famshme e Kim Mehmetit: “Mjaft doktoruam, por le të mësojmë pak!”, është akoma aktuale, ndoshta më shumë se kurrë më parë. Rrjedhimisht, patjetër duhen gjetur forma se si mund të bëhet një reformë e mirëfilltë arsimore nga e para. Që nga arsimtarët që mësojnë në klasat fillore, e deri tek nivelet më të larta të arsimit.”

Përkundër Valterit, Suadi është skeptik. Boshllëkun që ai e heton te shoqëria, bënë që kjo të mos gjej zgjidhje afatgjata për probleme të mëdha:

“Siç tregon gjendja jonë reale, duket se gjeni ynë superior nuk e përballon rregullin dhe e vetmja prehje është gjetja e ‘zgjidhjeve’ të përkohshme, pa i llogaritur dhe analizuar pasojat e mëvonshme. Me qasjen që kemi aktualisht, ku parapëlqejmë destruktiven karshi konstruktives dhe kaosin karshi rregullit, kjo gjendje nuk ka për të ndryshuar asnjëherë. Çdo gjë tjetër që mund të thuhet në këtë aspekt është mashtrim i vetvetes dhe larg së vërtetës së asaj që na ka ndodhur gjatë kohës së pasluftës dhe që po vazhdon të ndodh.”

Nasufi, nga ana tjetër, këmbëngulë që të përqendrohemi te sistemi i arsimit, meqë ai mund të jetë çelësi për problemet me të cilat do të përballemi edhe në të ardhmen:

“Arsimtarët nuk duhet ta shohin mësimdhënien si profesion, por si mision. Të mos japin vetëm dije, por edhe edukim. Ashtu siç thoshte një nga penat e ndritura të fillim shekullit XX Branko Merxhani që mësuesit duhet të jenë edhe edukues. Domethënë, të edukojmë brezat që e ardhmja të mos na kthehet kundra nesh, që të mos na qortoj historia për atë që kishim mundësi të bënim dhe nuk e bëmë dot. Gjithashtu, ekonomia e dobët ka mbetur në vend numëro, ndoshta sepse investimet e huaja janë të pakta. Kjo pasqyrë ekonomike të cilën e kemi, kur konfrontohet me të dhënat statistikore të papunësisë, progresi mbetet totalisht në hije. Sepse, nuk është duke bërë thuajse aspak për punësimin e njerëzve, në hapjen e vendeve të reja të punës. Sakaq, kur shikojmë establishmentin e klasës politike kosovare, qytetarët e kanë humbur krejtësisht shpresën për rregullimin e gjendjes, edhe ngushëllimi me aksiomën “bohet mirë”, nuk po ndihmon më. Duket sikur në atmosferë po mbretëron një klimë skepticizmi që nga ana psikologjike e përkeqëson edhe me tepër situatën. Ikja e trurit kosovar në vendet e huaja në veçanti, dhe njerëzve të rëndomtë në përgjithësi, duket si e vetmja shpresë për shpëtim. Megjithatë, është e vështirë për të definuar Kosovën, dhe problemet e shumta të cilat ajo i ka. Duket sikur Kosova e ka të pa mundur të dalë nga rrethi vicioz i cili e përndjek që sa kohë.”

Shoqëria kosovare, si “shoqëri e krizave”, së fundi mund të mësojë diçka nga kjo përvojë e shkurtër kohore por e ngjeshur me ngjarje politike. Ngritja e kapaciteteve institucionale, ligjore, humane, natyrisht ka kërkuar kohë dhe mund. Proceset nuk kanë qenë të lehta. Vetëm rigjenerimi i infrastrukturës rrugore, ndërtimi i autostradave, objekteve të ndryshme infrastrukturore etj, ka kërkuar kosto tejet të lartë. Por kosovarët, në pluralizëm, kur dalë ngadalë filluan t’i marrin përsipër disa detyra mbi supe dhe t’i drejtojnë institucionet, për herë të parë u njohën me dukuritë si korrupsioni, nepotizmi dhe llojet e tjera të krimeve ekonomike. Këto erdhën si “efekt anësor i demokracisë”, me standardet e larta të së cilës ata, ende nuk janë njohur./ImerTopanica/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet