Shoqata e të Burgosurve Politik do të botojë veprat e Adem Demaçi në 40 vëllime

Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit Adem Demaçi, është mbajtur një akademi përkujtimore, ku u tha se ai mbetet një nga figurat më të ndritshme të vendit.

Shoqata e të Burgosurve Politik në këtë përvjetor ka bërë të ditur se do të botojë veprat e Adem Demaçit në 40 vëllime, e kjo sipas tyre bëhet për të dëshmuar që ai nuk ka vdekur.

Profesor Ahmet Qeriqi ka folur rreth jetës dhe veprës së veprimtarit Adem Demaçi, për të cilin tha se mbetet një shembull i sakrificës shqiptare për liri e bashkim.

Qeriqi: Ishte bërë zëdhënës i më i fuqishëm dhe më i përkushtuar i së drejtës

“Baca për së gjalli nuk i duronte fjalët e mëdha edhe pse tërë jetën është sprovuar, ishte sakrifikuar për të vërtetën dhe të drejtën, ishte bërë zëdhënës i më i fuqishëm dhe më i përkushtuar i së drejtës, humanizmit, të vërtetës jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Në anën tjetër ishte bërë kryengritësi i papërmirësueshëm që nuk thyhej në asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, derisa e theu Jugosllavinë dhe Serbinë. Duke qenë i çiltër si nga natyra, humanist dhe i njerëzishëm deri në pakufi, i sprovuar në jetë nga forcat e errësirës, Adem Demaçi ishte dhe mbetet një shembull i sakrificës shqiptare për liri e bashkim, ishte vet simboli i kësaj sakrifice, ishte epiqendra e një drame kombëtare”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve politik, Hydajet Hyseni, tha se Adem Demaçi bashkonte në mënyrë shembullore veprimtarin atdhetar, humanistin, njeriun e mirë me intelektualin dhe shkrimtarin e vërtet.

Hyseni: Adem Demaçi bashkonte në mënyrë shembullore veprimtarin atdhetar

“Këtu e 60 vjet më parë mu në kulmin e terrorit dhe zullumit, Adem Demaçi intelektual dhe shkrimtar i talentuar e disident, autor i romanit të parë shqiptar në Kosovë dhe në viset e mëdha shqiptare, në gjuhën e personazhit të tij të vrarë nga arma vrastare e luftës speciale, nga arma e përçarjes, e hakmarrjes e vëllavrasjes. U jepte porosi brezit të ri ku bënte pjesë edhe vet dhe brezave më të rinj që po vinin… Adem Demaçi bashkonte në mënyrë shembullore veprimtarin atdhetar, humanistin, njeriun e mirë me intelektualin dhe shkrimtarin e vërtet”, tha ai.

Kurse, ish i burgosur politik Selatin Novosella, duke folur për jetën e Adem Demaçit, tha se ai i kishte udhëhequr në rrugën drejtë lirisë për Kosovën.

Ai bëri të ditur se veprat e Demaçit nga Shoqata e të Burgosurve Politik do të botohen në 40 vëllime.

Novosella: Adem Demaçi nga udhëhiqi në rrugën drejtë lirisë së Kosovës

“Adem Demaçi për 82 vjet dhe 60 vjet veprimtari na frymëzoi, na organizoi, na motivoi, na orientoi, na priu dhe na udhëhiqi në rrugën drejtë lirisë së Kosovës. Për të dëshmuar se Adem Demaçi vetëm ka ndërruar jetë, Shoqata e të Burgosurve Politik ka marrë iniciativën për botimin e veprave të zgjedhura të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin në 40 vëllime. Kjo iniciativë vjen edhe për faktin se në këtë Shoqatë i kanë grumbulluar së bashku me veprimtarët e mi rreth 10 mijë faqe dokumente arkivore, shkrime, dorëshkrime të Adem Demaçit, si dhe mijëra faqe analiza, ese dhe komente të ndryshme për jetën dhe veprën e Adem Demaçit. Janë grumbulluar rreth 30 libra të botuara dhe të ribotuara të Adem Demaçit, disa prej të cilave edhe në gjuhën gjermane, franceze, angleze, italiane”, tha ai.

Sot në një vjetorin e vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi janë bërë homazhe tek varri i tij dhe është bërë vënia e gurëthemelit për shtatoren e tij.

Kategoritë
KulturëLajmeVendi

Të ngjajshmet