Shoqata bamirëse turke dërgon mish kurbani për 20 milionë njerëz në të gjithë botën

Duke folur për AA, Ihsan Acik, kryesuesi i dytë i Bordit në Fondacionin e Dijanetit të Turqisë tha se do të therin kurbanë dhe mishin do të dorëzojnë në të gjithë Turqinë si dhe në 287 rajone në 75 vende

Një shoqatë bamirëse e drejtuar nga autoriteti i lartë fetar i Turqisë gjatë festës së Kurban Bajramit do të dërgojë mish kurbani për afro 20 milionë njerëz në të gjithë botën, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për AA, Ihsan Acik, kryesuesi i dytë i Bordit në Fondacionin e Dijanetit të Turqisë (TDV) tha se do të therin kurbanë dhe mishin do ta dorëzojnë në të gjithë Turqinë si dhe në 287 rajone në 75 vende.

“Kombi ynë ka besim tek fondacioni dhe na dhuron kurbanët. Ne do të therim kafshët që na janë besuar në Turqi dhe jashtë vendit në përputhje me parimet islame dhe do t’ua dorëzojmë atyre në nevojë”, tha ai.

“Bamirësia ka shënuar rritje të donacioneve këtë vit prej 25 për qind në 30 për qind në krahasim me vitet e kaluara”, tha Acik, duke shtuar se kjo kryesisht është për shkak të pandemisë së koronavirusit me njerëzit të cilët zgjodhën të dhuronin për bamirësi sesa duke kryer ritualin në cilësinë e tyre personale.

Në festën e Kurban Bajramit, muslimanët e mbarë globit, të cilët mund të përballojnë të flijojnë një kafshë, pjesën më të madhe të mishit e shpërndajnë tek të afërmit, fqinjët dhe nevojtarët.

– Uniteti dhe solidariteti

“Si pjesë e festës muslimane të Kurban Bajramit, këtë vit, ne synojmë të arrijmë te vëllezërit e shtypur, nevojtarët dhe azilkërkuesit brenda dhe jashtë vendit”, shtoi ai.

Duke iu referuar kufizimeve nga COVID-19, Acik tha se kombi turk gjithmonë ka qenë në gjendje të kapërcejë ditët e vështira me unitet dhe solidaritet.

“Shpresojmë se në këtë mënyrë do të kapërcejmë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia”, tha ai.

Acik tha se organizatat joqeveritare kanë krijuar “urë midis duarve që japin dhe nevojtarëve” gjatë shpërthimit të koronavirusit, duke përcaktuar nevojat e njerëzve.

Gjatë shpërndarjes së mishit, njerëzit mbi 65 vjeç, të papunët ose njerëzit me të ardhura të kufizuara do të kenë përparësi nga TDV, tha ai.

Fondacioni përcaktoi 975 lira turke (rreth 140 dollarë) për kafshët që theren në Turqi dhe 825 lira turke (rreth 120 dollarë) për kafshët që do të theren jashtë vendit.

E themeluar në vitin 1975, TDV është një organizatë vullnetare që punon në një gamë të gjerë fushash që përfshijnë arsimin, kulturën, shërbimet shoqërore, fetare e deri tek aktivitetet e ndihmës ndërkombëtare me 1.003 degë të saj në 149 vende të ndryshme të botës.

Kategoritë
BotaLajme