Shkup, protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Protesta erdhi pasi në fund të muajit të kaluar, Komisioni Rregullator për Energjetikë paralajmëroi rritje të çmimit të energjisë elektrike për 7,42 për qind.

Sot në Shkup u mbajt marsh protesues kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga Komisioni Rregullator për Energjetikë i Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Qytetarët së pari u mblodhën në parkun në Komunën e Çairit, ndërsa më pas marshuan paqësisht nëpër rrugët e Shkupit dhe destinacioni i tyre i fundit ishte ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ku u mblodhën rreth disa qindra protestues.

Omer Fejzullahu, anëtar i këshillit organizativ të protestës paqësore në Shkup, tha në një prononcim për mediat se çështja e rritjes së vazhdueshme të energjisë elektrike në vend është një brengë e përbashkët e çdo qytetari pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare, sociale ose politike.

“Kjo protestë paqësore ka për qëllim t’ia bëjë me dije Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut se durimit të qytetarëve i ka ardhur fundi”, tha Fejzullahu, duke shtuar se duan ta ngrenë zërin kundër “një dukurie të keqe që ka qenë vazhdimësi për një kohë të gjatë”.

Fejzullahu vuri në dukje se sipas Sindikatës së Punëtorëve të Ndërtimtarisë, për 14 vjet çmimi i energjisë elektrike është rritur për 230 për qind.

“Llogaritë e larta të energjisë elektrike kanë qenë shkak i shumë fatkeqësive që u kanë ndodhur qytetarëve të vendit tonë. Prandaj, ne sot jemi organizuar t’i themi ‘stop’ plaçkitjes legale të parave të qytetarëve nga ana e kompanive private të distribuimit të energjisë elektrike në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shtoi Fejzullahu.

Ai tha se duke pasur parasysh specifikat dhe përvojën e keqe me kompaninë private për shpërndarjen e energjisë elektrike në vend, EVN, ata dëshirojnë t’i drejtohen qeverisë së vendit me shtatë kërkesa:

“Urgjentisht të anulohet vendimi i fundit i Komisionit Rregullator për Energjetikë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike; të zhbëhet Komisioni Rregullator për Energjetikë, organ që i shërben interesave të grupeve të biznesit dhe korporatave duke dëmtuar ekonominë mjaft të rënduar të qytetarëve; të krijohet një trup i pavarur arbitrar në shërbim të qytetarëve për të verifikuar cilësinë e shërbimeve energjetike; qeveria të kthejë nën administrim të shtetit kompanitë private të distribuimit të energjisë elektrike; zbritje të çmimit të energjisë elektrike për 46 për qind; qeveria urgjentisht të ndërpresë kontratën famëkeqe me EVN; dhe faljen e të gjitha kamatave nga faturat e EVN që qytetarët nuk i kanë paguar deri tash, pasi konsiderojmë se llogaritë e larta të gjeneruara nga EVN janë shkaktar kryesor për mospaguarjen e tyre në kohë”.

“Kjo protestë është vetëm fillim dhe ju sigurojmë se nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona deri në plotësimin e tyre. Po ashtu, kjo protestë le të jetë edhe mesazh për të gjithë ata pushtetarë që do të ulen në kolltuqet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që sot e tutje, çdo vendim që do të cenojë të drejtat e qytetarëve do të kundërshtohet me anë të protestave”, shtoi Fejzullahu.

Kujtojmë se më 31 korrik, Komisioni Rregullator për Energjetike i Maqedonisë së Veriut njoftoi se çmimi i energjisë elektrike të paguar nga amvisëritë do të rritet me 7,42 për qind nga shtatori, ndërsa qytetarët do të jenë në gjendje të përdorin tarifën e lirë në të njëjtën periudhë si më parë.

Sindikatat, organizatat e shoqërisë civile dhe parti të caktuara politike në vend reaguan pas njoftimit të komisionit.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet