Shkup, protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Sipas organizatorit, nuk është normale që Maqedonia e Veriut të jetë në krye të listës për çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike në Evropë. Ai tha se çmimi i energjisë elektrike në vend që nga viti 2006 është rritur për 230 për qind

Në Shkup është mbajtur marsh protestues kundër rritjes së paralajmëruar të çmimit të energjisë elektirke

Qytetarët u tubuan në dy lokacione, njëri grup në parkun e komunës së Çairit dhe grupi tjetër në parkun “Gruaja Luftarake” në qendër të qytetit. Të dy grupet marshuan nëpër rrugët e qytetit, ndërsa destinacioni i tyre i fundit ishte ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë marshit, protestuesit mbanin pankarta të tilla si “Ne jemi këtu”, “Mjaft më!”, “Në vend të dritës na sollët errësirën”, si dhe thirrnin parulla të tilla si “Drejtësi, drejtësi, drejtësi sociale”, “Anti-kapitalizmi”, “Së bashku jemi më të fuqishëm” dhe të tjera.

Ilir Reçi, një nga organizatorët e protestës në Shkup, në fjalën e tij para të të tubuarve para ndërtesës së qeverisë, tha se nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut presin të reagojë dhe të dënojë vendimin e Komisionit Rregullator të Energjisë, si dhe t’i kërkojë këtij komisioni shfuqizimin e menjëhershëm të, siç e quajti ai, vendimit skandaloz.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e konsideroi të arsyeshme ta bëntë këtë. Por kjo nuk do të thotë se ne, qytetarët, do të qëndrojmë duarkryq dhe do të jemi pasiv”, tha Reçi.

Përndryshe, shtoi Reçi, ata do të dalin në rrugë përsëri për të shprehur revoltën e tyre kundër, siç tha ai, “grabitjes së parave të qytetarëve”.

“Mjaft na keni bërë të varfër, mjaft na poshtëruat. Erdhi fundi i durimit tonë”, u shpreh Reçi, duke kërkuar uljen e çmimeve të energjisë elektrike.

Sipas tij, nuk është normale që Maqedonia e Veriut të jetë në krye të listës për çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike në Evropë. Ai tha se çmimi i energjisë elektrike në vend që nga viti 2006 është rritur për 230 për qind.

Reçi i bëri thirrje qeverisë që t’i pranojë kërkesat e tyre dhe të gjejnë zgjidhje të menjëhershme.

Protestuesit kërkojnë që Komisioni Rregullator i Energjisë të rrëzojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 7,4 për qind dhe më pas të ulë çmimin e energjisë elektrike për 46 për qind, ndërsa nga qeveria kërkojnë që të ulin TVSH-në në energji nga 18 për qind në 5 për qind dhe ta ndajnë monopolin e kompanisë private EVN.

Protestuesit po ashtu kërkojnë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut të heq Komisionin Rregullator të Energjisë dhe të formojë një organ të pavarur që do të ketë mision t’i verifikojë shërbimet e kompanive të energjisë për qytarët.

Në qytetin e Tetovës, ku sonte po ashtu u protestua kundër paralajmërimit të rritjes së çmimit të energjisë, mbrëmë u dogjën dy automjete të EVN-së, ndërsa policia ndaloi një të dyshuar.

Kujtojmë se edhe javën e kaluar në Shkup u mbajt një protestë e ngjashme paqësore, ku protestuesit kërkuan ulje të çmimit të energjisë elektrike.

Më 31 korrik, Komisioni Rregullator i Energjisë (KRE) i Maqedonisë së Veriut njoftoi se nga shtatori çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 7,42 për qind dhe se qytetarët edhe më tej do të mund ta përdorin tarifën e lirë në të njëjtat periudha si më parë.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet