Shkup, protestë kundër rikualifikimit të veprës në rastin e Almir Aliut

Grupi i protestuesve nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë kërkuan që mos të rikualifikohet lënda nga “tentim për vrasje” në “aksident me pasojë vdekjen”

Me iniciativë në rrjetet sociale, një grup qytetarësh u tubuan në Urën e Gurit në Shkup për të shprehur revoltën e tyre kundër rikualifikimit eventual të veprës në rastin e katërvjeçarit Almir Aliu nga Kumanova, i cili dy vjet më parë ndërroi jetë si pasojë e goditjes me automjet pas një zënke banale mes babait të tij dhe të akuzuarit për vrasjen, Bojan Iliq.

Grupi i protestuesve nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë kërkuan që mos të rikualifikohet lënda nga “tentim për vrasje” në “aksident me pasojë vdekjen”. Ata me sloganin “Prokurorët vrasin Almirin për herë të dytë” marshuan drejt Prokurorisë Republikane, ku në shenjë simbolike vendosën lule para hyrjes së objektit.

Diana Tahiri, njëra nga organizatorët e iniciativës, tha se nga të gjithë dëshmitë e paraqitura duket qartë se te i akuzuari ekziston synimi për vrasje dhe se në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si vepër penale tjetër përveç “vrasje”.

“Rasti, siç shihet edhe nga video incizimet, ka të bëjë me vrasje klasike e kryer me paramendim. Nuk duam që edhe ky rast të jetë një nga ato në të cilat do të konstatojmë ekzistimin e drejtësisë selektive. Nuk guxojmë që drejtësia të varet nga përkatësia etnike e të akuzuarit, viktimës ose pjesëmarrësve tjerë në vepra”, deklaroi Tahiri.

Sipas organizatorëve të iniciativës, përmes rikualifikimit të lëndës pala e akuzës tenton ta zvogëlojë dënimin e mundshëm, për shkak se Kodi Penal për aksident parashikon dënim me të paktën 4 vjet burg, ndërsa për “vrasje me paramendim” të paktën 10 vjet burg.

Ndryshe, zënka që la të vdekur Almir Aliun ndodhi më 25 qershor të vitit 2016, kur i akuzuari shtypi me makinë katërvjeçarin së bashku me prindërit e tij, pas një zënke paraprake mes prindit të Almirit dhe të akuzuarit. Almiri kaloi rreth një javë në kujdes intensiv, ndërsa më 2 korrik ndërroi jetë në klinikën e Shkupit.

Vrasja, në atë kohë, shkaktoi reagime dhe revolta të shumta në publik, veçanërisht në rrjetet sociale ku vëreheshin komente të shumta që kërkonin drejtësi për Almirin e vogël, përfshirë edhe ato nacionaliste dhe thirrje për protesta./AA

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet