Shkrimtari turk takohet me lexuesin shqiptarë: Libri im i ri tanimë ka aromë Kosove

Medina Pasoma

Kosova u bë vendtakim i lexuesve shqiptarë dhe shkrimtarit të njohur turk, Sinan Yağmur. Ishte fjala e shkruar ajo që i bëri këto dy palë të takohen; ndërkaq është mikpritja shqiptare, natyra e bukur dhe gjallëria e vendit ato që do ta mbushin penën e autorit me tregimet e tij për Kosovën, shkruan KultPlus.

Yağmur erdhi në Panairin e Librit në Pejë si mysafir i Institutit për Kulturë “Yunus Emre”, përgjatë së cilit takoj shtëpi botuese të ndryshme të vendit, shkrimtarë si dhe lexuesit e tij, të cilëve iu dha edhe autografe.

“Librat na sjellin këtu sepse ne paskemi zënë vend në shpirtrat e njerëzve për shkak të asaj që shkruajmë saqë ata vet të thonë “eja”. Duke dhënë, ne nuk i mbyllim dyert, ne hapim dyer brenda dyerve”, u shpreh Sinan Yağmur duke treguar për arsyen e ardhjes së tij në Kosovë.

Takimi me lexuesit e tij, shkrimtarit turk i kishte falur një ngrohtësi të madhe, madje ai ishte çuditur nga interesimi i tyre për të dhe për ambientin e bukur letrar.

“Populli i Kosovës u interesua, librat e mia u shitën për gjysmë ore, i nënshkrova për lexuesit. Nuk e prisja një panair kaq të gjallë të librit, të ndërlidhur aq fuqishëm me letërsinë. Jam i lumtur”, vazhdonte Yağmur, duke theksuar se ky panair duhet të organizohet dy herë në vit sepse sipas tij në Kosovë ka potencial për këtë.

Ai është autor i veprave “Lotët e Dashurisë”, “Rrugëtimi ndaj dashurisë”, “Çdo nënë është një engjëll” dhe shumë emra të tjerë librash, të cilat kulmojnë me lexueshmëri.

Sinan Yağmur qëndroj në Kosovë për katër ditë, duke vizituar disa nga qytetet. Gjatë kohës sa e realizonim intervistën ai shprehej se sa më shumë që i afrohej ora e fluturimit për në Turqi, fillonte të ndjente një mallëngjim për vendin tonë. Madje ai tha se përderisa edhe nëpër qytete turke ndonjëherë ishte ndjerë si “I huaj”, në Kosovë i kishte ndodhur e kundërta.

“Këtu mu duk sikur jam duke jetuar që një kohë të gjatë, sikur kam shkuar diku por jam kthyer përsëri. Njeriu krijon lidhje shpirtërore me këtë vend, me ajrin, ujin, njeriun. Madje kam shkruar kështu në rrjetin tim social: “Pa e parë dhe ndjerë Kosovën, mos thoni se kam jetuar një jetë në një vend të botës”, shprehet tutje autori i veprës “Lotët e Dashurisë”.

Ai tanimë është duke e shkruar një libër, të cilin e pati nisur në qytetin Konja të Turqisë, ndërkaq finalen ia dha gjatë kohës sa ishte në Kosovë. Këtë do ta përmend kur të dal në dritë vepra, ndërkaq ai shprehet se “libri tanimë ka aromë Kosove”. Mirëpo, këtë aromë do ta ketë edhe libri të cilin planifikon ta shkruaj. Përjetimet dhe momentet në Kosovë do t’i shndërroj në tregime.

“Fjalët janë pasqyrë e ndjenjave, mendimeve dhe emocioneve tona, andaj unë si Sinan Yağmur do të shkruaj përmes fjalës ato që kam jetuar. Kam jetuar gjëra të bukura dhe ky libër do të ketë këto bukuri”, theksoj autori i librit të ardhshëm për Kosovën.

Yağmur duke qenë autor i shumë veprave, në secilin prej tyre reflekton dimensione të dashurisë së përjetshme. Ai beson se gjithë rrugëtimi njerëzor që nga lindja e deri te vdekja është dashuri në vete.

“Ne mund të duam çdo gjë, një send, një makinë por dashuria është admirimi dhe ndjenja që kemi për krijuesin e të gjitha gjërave, të atyre që duam, madje vet dashurisë. Rrjedhimisht edhe urata e nënës për fëmijën kur thotë “lum ai që të krijoi” është dashuri”, thekson Sinan Yağmur.

Ai vazhdon duke thënë se pronësia, robërimi, shkelja, ngritja në kurriz të dikujt nuk janë trajtë reale e dashurisë. Njëjtësimi me dikë, sakrifica për të, ngopja shpirtërore që ndjejmë kur i dashuri ynë ngopet qoftë edhe me ushqim mbesin disa nga arsyet pse ai ka vendosur qysh moti të shkruaj për dashurinë.

“Sot njerëzit për hir të dashurisë vrasin, ndahen, zihen mes veti dhe kjo ka marrë një dimension të keqtrajtimit. Dashuri është ajo që na ledhaton e nuk na bie shuplakë; nuk na largon por na përqafon; ajo që në brendi ka mëshirë, ndihmë, bukuri dhe këndvështrim të mirë”, shprehet Sinani.

Të shkruarit për të mbetet një çlirim shpirtëror, një komunikim nëpërmjet fjalës dhe një heshtje në të njëjtën kohë. Për të, përderisa një pemë e cila jep frute e lumturon njeriun, natyrën, botën; të njëjtën e bëjnë shkrimtarët me poezitë, librat dhe krijimtarinë e tyre.

“Një letrar apo artist duhet të ushqehet nga populli, të sodis dhe dëgjoj njerëzit, të thellohet në natyrë. Ka disa vende gjeografike të cilat i hapin dyert artistëve, Kosova është e tillë, me orë mund të shkruaj. Ndërkaq për të shkruar, duhet pasur një zemër plotë, mendjen të qetë dhe kohën të madhe”, rrëfen shkrimtari Yağmur.

Sinan Yağmur duke qenë një shkrimtar i cili shkruan për dashurinë e përjetshme është tejet i lexuar nëpër botë. Madje, autori i cili është i përkthyer në 14 gjuhë të botës, tanimë ka vendosur që t’ia hap dyert edhe gjuhës shqipe për krijimtarinë e tij. Librat e tij veçse kanë filluar procedurat përgatitore për t’u bërë gati për lexuesin shqiptar. Ai mbetet me shpresën se do të vie sërish në Kosovë dhe kësaj radhe do të sigurohet që edhe familja e tij ta sheh vendin tonë./KultPlus.com

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet