Shkodran Ramadani: Thaçi nuk kontrollon as Kuvendin, as Qeverinë, e as opozitën

Njëri prej analistëve më në zë, që përditë e më shumë po e merr vëmendjen e opinionit, përkundër vështirësive dhe përkundër skenarëve të mundshme që mund t’i kalojë Republika e Kosovës, parasheh një të ardhme premtuese për qytetarët, nëse këta i përvjelin mëngët dhe punojnë fort në at drejtim. Shkodran Ramadani, i cili i ka përfunduar Shkencat Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ndërsa studimet Master në Sociologji në Universitetin e Prishtinës, tash e sa kohë është aktiv me komentet e tij rreth zhvillimeve politike në vend dhe jo vetëm.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai e ka komentuar krizën aktuale institucionale, ndërsa e ka paralajmëruar atë që mund të presim prej zgjedhjeve të parakohshme të cilat mund të ndodhin shpejt, si dhe ka reflektuar ndaj çështjeve “të nxehta” të ngritura së fundi, siç është çështja e shkëmbimit të territoreve bashkë me variantet e tjera, pastaj protesta e Vetëvendosjes dhe një mori gjërash e fenomenesh të tjera.

GER: Z. Ramadani, për shkak të rrethanave të krijuara, përherë e më shpesh po përtypet togfjalëshi “zgjedhje të parakohshme”, a besoni që ky opsion i pashmangshëm, mund ta nxjerr vendin nga kjo krizë institucionale?
Ramadani: Qëkur është shpallur Kosova e pavarur, asnjë qeveri nuk ka përfunduar mandat 4 vjeçar. Asnjë nuk ka zgjatur më shumë se 3 vite. Që të gjitha kanë rënë para kohe. Edhe kur ato kanë qenë të përbëra nga koalicione të mëdha, edhe ato me koalicione më të vogla. Stabilitet nuk ka pasur as në qeverinë e parafundit PDK-LDK që kishte afër 90 vota. Secila qeveri ka çaluar nga turbulenca e idesë së zgjedhjeve të parakohshme. Kjo qeveri që tash e kemi, nuk përbën përjashtim nga ky trend, ani që është e formuar nga koalicioni më i gjerë i njohur ndonjëherë, për sa i përket numrit të partive. Mirëpo ky koalicion nuk ka vota të mjaftueshme as për t’i kaluar ligjet më elementare. Por çfarë e bënë situatën të komplikuar është fakti që as opozita nuk i ka 61 vota. Ajo nuk mund të organizojë mocion për të rrëzuar këtë qeveri. Dështimi i mocionit nënkupton që pa kaluar 90 ditë nuk mund të parashtrohet mocioni tjetër. Një gjë e tillë do ta forconte legjitimitetin e kësaj qeverie, kështu që opozita nuk ngutet dhe pret ndonjë lëkundje të deputetëve nga koalicioni qeverisës dhe të ngrit mocion për rrëzimin e qeverisë. Nga kjo perspektivë legjitimiteti është shumë i brishtë. Mirëpo çfarë ofron një stabilitet për këtë koalicion duket të jetë qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar kundër zgjedhjeve të parakohshme. Duket që dialogu me Serbinë është arsyeja pse ekziston një qëndrim i tillë. Ndërkombëtarët e dinë se dialogu nuk është shumë temë popullore dhe nuk duan që atë ta bëjnë temë të debateve të zjarrta elektorale. Po ashtu formimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve pritet të jetë i komplikuar sepse vota me gjasë do të fragmentarizohet edhe më shumë dhe formimi i koalicioneve do të jetë edhe më i vështirë. LDK-ja, AAK-ja e Nisma do të kenë rritje të lehtë, ndërkohë që PDK-ja dhe VV-ja do të kenë rrudhje të elektoratit. Disa parti si Alternativa dhe PSD-ja mund të krijojnë koalicione më të vogla që mund të fitojnë ulëse në parlament. Pastaj, për shembull, pse duhet të jemi optimistë që LDK-ja do të heq dorë nga posti i kryeministrit dhe do t’ia jep VV-së, e cila po e kërkon me ngulm, ose anasjelltas?! Kjo do të interferonte në dinamikat e dialogut me Serbinë, për çka edhe ndërkombëtarët kanë kundërshtitë e veta. Nga ky këndvështrim nuk shoh ndonjë arsye të fortë pse zgjedhjet e reja do të prodhonin ndonjë zgjidhje të qëndrueshme.

GER: Shumë sektorë, duke përfshirë atë të arsimit, shëndetësisë, drejtësisë etj, karakterizohen nga probleme serioze, të mëdha, shpeshherë në dukje të patejkalueshme, si mendon, cili është çelësi i daljes nga ky rreth vicioz?
Ramadani: Këta sektorë kanë qenë shumë të politizuar dhe të partizuar. Administrata është përdorur për të shtrirë rrjetin e militantëve partiakë. Ky kolonizim i administratës shtetërore me rrjete kadrovike partiake në njërën anë e ka tejburokratizuar aparaturën shtetërore, e në anën tjetër ia ka ulur performancën. Kjo e ka penguar vendosjen e rendit që do të mundësonte funksionim të rregullt, racional, efektiv dhe të paanshëm të administratës. Por nuk është vetëm kjo arsye. Kosova është shtet i ri, pa shumë përvojë në institucione, pa shumë kapacitete të ekspertizës dhe pa kulturë solide të qeverisjes. Procesi i ndërtimit të një administrate është i gjatë dhe i vështirë, por ka hapësirë për optimizëm. Ka parti e rryma të caktuara brenda partive që janë të përkushtuara në përmirësim të situatës. Kuadro dhe fytyra të reja, qoftë brenda partive, qoftë jashtë tyre po formohen dhe kanë filluar të lënë gjurmë në këtë drejtim. Ky vullnet do të mbështetet edhe me reformat në kuadër të integrimit në BE. Këto standarde do të kenë më shumë forcë sidomos pas marrëveshjes me Serbinë. Pas zgjidhjes së kontesteve bilaterale, Kosova do të ketë mundësi që energjitë e veta politike dhe strategjike t’i orientojë së brendshmi dhe t’i përkthejë ato në projekte emancipuese. Por as nuk duhet të jemi optimistë se Kosova do të arrijë standarde evropiane shpejt. Vendet si Rumania, Kroacia, Bullgaria e Greqia edhe pse shtete të konsoliduara dhe pjesë të BE-së, kanë shumë korrupsion dhe nuk kanë përpara vetes skenarët më pozitivë. Madje, Rumania është ilustrim i prekshëm i asaj që gjatë integrimit në BE një shtet mund të zbutë korrupsionin e pas integrimit u kthehet praktikave korruptive. Pra trendet janë shumëdrejtimëshe dhe me ritme të ndryshme. Duhet punë e madhe nga të gjithë sektorët e shoqërisë që gjërat të marrin drejtimin dhe shpejtësinë e duhur.

GER: I keni analizuar dhe komentuar gjatë disa prej qëndrimeve zyrtare të shteteve të fuqishme karshi idesë së ndryshimit, shkëmbimit apo ndarjes së territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çka në të vërtetë fshihet prapa kësaj ideje, të cilën disa e kanë cilësuar si ‘Kuti e Pandorës’? Ramadani: Prapa kësaj ideje fshihen tre faktorë vendimtarë. I pari është mosgatishmëria e Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një marrëveshje brenda kornizës së deritanishme të dialogut. I dyti është paaftësia dhe pafuqia e BE-së për të shtyrë Serbinë që të njeh Kosovën me këta kufij dhe pa asociacion që nuk ka kompetenca ekzekutive. I treti është ndryshimi i pozicionit amerikan në raport me kufijtë e Ballkanit. Kjo pafuqi e BE-së ka ndikuar që formati i deritanishëm i negociatave të humbet momentumin dhe të vijnë në shprehje skenare deri tash të tabuizuara. Për shkak të plasaritjeve të relacioneve anëtarëve të NATO-s, tani është e mundur të mendohen opcione të tilla. Opcioni kryesor tani është shkëmbimi i territoreve. Nuk është as ndarja e Kosovës, as vetëm marrja e Luginës, e as korrigjimi i kufijve. Është shkëmbimi. Ky skenar nuk është pa rreziqe dhe pa pikëpyetje të mëdha. Sa sipërfaqe do të jetë pjesë e marrëveshjes, sa banorë, çfarë do të ndodhë me pasuritë e Kosovës në veriperendim, çfarë me ato të Serbisë në juglindje të saj, ku do të vendosen kufijtë, çfarë do të ndodhë me vendet e rajonit, a do ta pranojnë shtetet e fuqishme etj. Fatkeqësisht përgjigjet për këto pyetje nuk po mund të vijnë në shprehje për shkak të debatit irracional të dominuar nga akuzat e kundërakuzat e rënda mes politikanëve, opinionbërësve e kështu me radhë.

GER: Hashim Thaçin si president, si kryeministër ose thjesht si një personalitet politik me të cilin ndërlidhen të gjitha proceset politike të dekadave të fundit, e kanë kritikuar ashpër të gjithë kundërshtarët e tij politikë, por nuk kanë arritur që ta relativizojnë, e aq më pak ta eliminojnë nga skena politike, përse?
Ramadani: Hashim Thaçi është ende politikani më i fuqishëm në vend, edhe pse popullariteti i ka rënë dukshëm. Forca e tij buron në disa nivele. Është lideri kryesor i krahut të luftës. Ka qenë figurë kyçe në secilin proces të Kosovës. Meqenëse Kosova ende nuk e ka përfunduar projektin e saj shtetëror, krahu i luftës ende ka legjitimitet popullor. Ai ka ndërtuar një parti solide në performancë zgjedhore, qoftë për shkak të ideve që mbron kjo parti, qoftë për shkak të klientelës së saj. Ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve politikani më i përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare. E një arsye e veçantë se pse nuk është kthyer në opozitë është edhe për shkak të kundërshtarëve të tij që e kanë luftuar edhe aty ku nuk është dashur. P.sh tash opozita, pos refuzimit, nuk e ka asnjë propozim konkret se si të pozicionohet Kosova në fazën e fundit të dialogut. Ambivalenca e opozitës, ta zëmë paqartësia e VV-së në raport me Luginën po e shtyn këtë që të organizojë protestë kundër Hashim Thaçit si emër i përveçëm: “Një popull nuk mund t’i nënshtrohet një njeriu”. Këtu e sheh që VV-ja e sheh Thaçin si person që nënshtron një popull të tërë. Kjo nuk është e vërtetë sepse kundër ideve të tij janë deklaruar edhe partitë e koalicionit qeverisës. Kryeministri Haradinaj. Kryekuvendari Veseli dhe Fatmir Limaj kanë kundërshtuar publikisht idetë e tij. Shkurt, Thaçi nuk kontrollon as Kuvendin, as Qeverinë, e as opozitën. Nuk ka pasur asnjëherë më pak fuqi sesa tash. Opozita e bën të duket më i fortë se që është në të vërtetë dhe kjo qasje mund të bëhet edhe profeci e vetërealizuar që forcon percepsionin për Thaçin, duke e bërë më dominant se që është ai në realitet.

GER: T’i kthehemi edhe njëherë çështjes së bisedimeve me Serbinë, na e lejoni ta parafrazojmë Yori Orlov-in (Nicolas Cage), nga filmi Lord of War i cili e përshkruan Ballkanin si një bombë me sahat, në rrethanat aktuale, a ka rrezik për hapjen e ndonjë konflikti apo lufte të re, siç druhen disa?
Ramadani: Ballkani Perëndimor është një rajon me konteste bilaterale në një anë dhe me probleme të brendshme në funksionim, në anën tjetër. Shembull i kontestit bilateral është ai në mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Shembull i problemit të brendshëm është Bosnja. Ndërkohë që Kosova i ka të dyja dhe është çështja më e komplikuar në rajon dhe që ka nevojën më të madhe për zgjidhje. Maqedonia është pranë zgjidhjes së kontestit tredekadësh. Bosnja është e zhytur në tensione të brendshme. Në anën tjetër Kosova duket të jetë në pozicion jo të keq për të zgjidhur problemet e saj të jashtme dhe të brendshme. Mirëpo shkëmbimi i territoreve mund të zgjidhë problemet e saj, por të ndikojë jo mirë në Bosnje. Këmbimi i territoreve mund të lexohet si hap drejtë modelit monoetnik dhe kjo pritet të ushqejë ambiciet e serbëve të Bosnjës. Në këtë drejtim, këmbimi i territoreve përçon turbulencë në rajon. Në anën tjetër duket se Serbia refuzon ta njoh Kosovën nëse nuk ka këmbim dhe ky nuk është rrezik i vogël. Nëse Kosova mbetet pa njohje, pa ulëse në OKB, me veriun e saj jo të integruar mirë dhe pa perspektivë integrimi në BE për shkak të 5 vendeve që refuzojnë ta njohin si shtet, atëherë rreziku për destabilitet është edhe më i madh. Konflikti nuk zgjidhet dhe Kosova mbetet teli kryesor i “bombës me sahat” që pritet të eksplodojë nga momenti në moment në Ballkan Perëndimor. Këmbimi mund të nxit tensione në Bosnjë, por me gjasë e zgjidhë çështjen e Kosovës. E çështja e precedentit nuk varet aq shumë prej përmbajtjes së marrëveshjes sa varet prej interpretimeve që vendet tjera ia bëjnë përmbajtjes. Kosova nuk ka lidhje me Krimenë, e prapë është përdorur si precedent nga Rusia. Kosova nuk ka lidhje me regjionet e Rumanisë, por Rumania e lexon Kosovën si precedent për të delegjitimuar ambiciet regjionaliste. Kosova nuk ka lidhje as me hungarezët e Sllovakisë e as me Kataluninë e Spanjës, por këto shtete e shohin si precedent. Në këtë kuptim edhe Republika Serbe në Bosnjë mund ta lexojë si precedent marrëveshjen potenciale. Por e vërteta është që marrëveshja potenciale mes Kosovës dhe Serbisë është precedent për shtetet që duan t’i ndryshojnë kufijtë me marrëveshje e jo për lëvizjet e rajonet separatiste që duan t’i lëvizin kufijtë në mënyrë të njëanshme. Precedent për serbët e Bosnjës do të ishte nëse Lugina në mënyrë të njëanshme do të shpallte pavarësinë dhe të njihej nga shtetet e fuqishme. Vetëm atëherë mund të ketë precedent për lëvizjet secesioniste në rajon. Përndryshe, tjerat janë pretekste që abuzohen për të avancuar projekte në mënyrë unilaterale. Teoria konstruktiviste në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ndihmojë në të kuptuarit e prirjeve dhe tendencave të shteteve dhe akterëve tjerë për të konstruktuar narrativa që u përshtaten interesave të tyre. Kësisoj, Kosova nuk duhet të brengoset shumë për atë se si të tjerët sajojnë prej saj precedent edhe aty ku nuk ka, por duhet të ndjek interesin e saj. Lëvizja e kufijve është e rrezikshme vetëm nëse ndodh në mënyrë të njëanshme dhe të dhunshme. Komisioni i Badinterit në opinionin e tretë që adreson çështjen e kufijve për vendet e ish-Jugosllavisë thotë që kufijtë mund të ndryshohen nëse republikat pajtohen për një gjë të tillë. Robert Cooper së fundmi përmendi faktin se edhe Akordet e Helsinkit lejojnë ndryshimin e kufijve me marrëveshje nëse respektohet ligji ndërkombëtar. Derisa lëvizja e kufijve nuk është pa rreziqe, këto të fundit po hiperbolizohen.

GER: Le t’i kthehemi realitetit, le t’i lëmë mënjan hipotezat. Rezultatet e disa anketave të realizuara së fundi, kanë qenë tronditëse në njëfarë mënyre. 60% e qytetarëve kanë deklaruar që po t’u epet mundësia, do të ikin nga vendi. Si e komentoni ju këtë skepticizëm kaq të thellë?
Ramadani: Ky sondazh është tronditës. Ky disponim mund të komentohet në dy mënyra. E para, njerëzit synojnë të ikin në kërkim të një jete më të mirë për shkak të mundësive të kufizuara në Kosovë. Varfëria, pabarazia, pagat e ulëta dhe kushtet e këqija në vende të punës i shtyjnë njerëzit që të emigrojnë. Këta përbëjnë shumicën e të larguarve. Por ka edhe nga ta që thjesht ndërrojnë vend për të ndjekur ambiciet e veta. Këta janë pakica. Liberalizimi i vizave do të përshpejtojë ikjen e njerëzve së paku për një kohë, por nuk besoj që do të zgjasë shumë sepse liberalizimi i vizave nuk përmban të drejtën për punë. Përveç kësaj, ikin njerëz më pak se që deklarohen. Kështu që edhe fluksi i ikjeve do të ketë limitet e veta. Trende të tilla vërehen në shumë shtete, jo vetëm në rajon, por edhe me gjerë. Vetëm në 10 vitet e fundit nga Rumania ka ikur mbi 17% e popullsisë. Sipas Eurostatit, gjatë kësaj kohe, afër 30% e personave të moshës nga 15 deri 29 vjeçare ka lënë Rumaninë. Vendet tjera fqinje kanë sfida të ngjashme. Nga gjithsej 137 shtete, Serbia renditet e 134-ta në listën e shteteve për “kapacitete për të mbajtur talentët”. Bosnja renditet e 135-ta, ndërkohë që Kroacia e 131-ta. Në një intervistë të tij, kryetari i akademisë së shkencave në Serbi tha se nëse vazhdon ky trend i ikjes së njerëzve më të përgatitur nga vendi, Serbia nuk do të mund të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e institucional. Në Kosovë gjendja është edhe më e rëndë. Por Kosova nuk është vendi i vetëm në rajon dhe më gjerë që ka këto probleme. Edhe shtete me shumë më tepër përvojë çalojnë në këtë aspekt. Pavarësisht problemeve të ngjashme, secili vend duhet ta zgjidhë problemin për veten e vet, që do të thotë se ne duhet të punojmë shumë dhe gjatë në këtë drejtim për shkak që askush nuk i bën punët tona për neve.

GER: Për fund, si e sheh Shkodrani Republikën e Kosovës pas dhjetë vitesh?
Ramadani: Pas 10 vitesh e shoh Kosovën të përkushtuar në reforma të thella shtetërore. E shoh shoqërinë kosovare më të fortë në luftë kundër korrupsionit. E shoh shtet me të drejta të plota dhe me sovranitet në gjithë territorin. Me politikanë më të zgjuar dhe me klimë më të përshtatshme për debat qytetar e politik. Do të doja ta shihja me papunësi e pabarazi më të ulët, me më shumë mundësi për jetë më cilësore e më të dinjitetshme. Por kam frikë se jam optimist më shumë se që duhet. Gjërat mund të marrin lloj-lloj kahjesh. Mund të bëhet më keq dhe mund të mbetet kështu si është. Vetëm puna dhe përkushtimi mund të ofrojnë skenar tjetër. Më mirë mund të bëhet vetëm nëse ka angazhim serioz nga të gjithë sektorët e shoqërisë e sidomos nga politika. Siç thotë Antonio Gramshi, duhet të jemi pesimistë me intelekt dhe optimistë me vullnet. Na pret rrugë e gjatë dhe e vështirë përpara vetes./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet