Shkëlzen Marevci: Lus Zotin që në vend dhe kudo në botë, të mbretërojë paqja

Shkëlzen Marevci është autor i disa librave e artikujve të ndryshëm, që kryesisht shtjellojnë tema rreth dukurive negative. Studimet bazike i ka kryer në fushën e kriminalistikës, ndërsa ato të nivelit Master, i ka kryer rreth shkencave të sigurisë. I shtyrë, mbase, edhe nga njohuritë e velura gjatë studimeve, ai ka shteruar mjaft tema, që gravitojnë rreth ideve të parandalimit të dukurive negative.

Në këtë intervistë dhënë për Gazeta e Re, ai është përgjigjur rreth pyetjeve që kanë të bëjnë pikërisht me këto probleme.

GER: Z. Marevci, jeni një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve sociale e kulturore në vend. Disa herë e keni ngritur zërin kundër gjërave negative, të cilat janë duke e gërryer shoqërinë, si fjala vjen: përdorimi i drogës, alkoolit etj, sidomos nga të rinjtë. Kush besoni se duhet të jap llogari për një përhapje kaq të vrullshme të këtyre dukurive?

Marevci: Në lidhje me dukuritë e tilla, mendoj që ekziston një trekëndësh në të cilin bëjnë pjesë familja, Ministria e Arsimit dhe organet e rendit dhe ligjit; pra mbi këtë trekëndësh bie përgjegjësia. Por, natyrisht se, mbi familjen bie përgjegjësia kryesore, ngase fëmijët edukimin bazë e trashëgojnë nga familja dhe janë prindërit ata që kanë obligim moral që të kujdesen për rrugëtimin e jetës së fëmijëve të tyre. Ajo që duhet dihet është se, çdo gabim në edukimin e fëmijëve, që rrjedh nga neglizhenca apo pakujdesia e prindërve, ndikon tej mase negativisht në jetën e fëmijëve. Ndërsa sa i përket Ministrisë së Arsimit, mendoj që duhet që të merret më seriozisht me fenomenin e drogave, ngase jo rrallë ndodh që përdoruesit e drogave të jenë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Prandaj, duhet një qasje më serioze në parandalimin e këtyre dukurive (me programe e ligjërime vetëdijësuese). E sa i përket organeve të rendit dhe ligjit (polici, prokurori e gjykatë) mendoj se, zyrtarët e këtyre institucioneve duhet ta kryejnë punën e tyre me ndërgjegje të pastër. Si përfundim, pa një koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet familjes, Ministrisë së Arsimit, dhe organeve të rendit e ligjit nuk do të ketë përmirësim të situatës sa i përket dukurisë së abuzimit me drogat.

GER: A s’është rinia e ardhmja e këtij vendi?

Marevci: Po të bazohemi në masat e marra deri më tani, e të cilat masa aspak nuk përkojnë me nevojat e edukimit dhe mbrojtjen e të rinjve, mendoj se rininë nuk po e konsiderojmë si themel të së ardhmes, ngase nuk jemi duke punuar aq sa duhet për t’i ruajtur e mbrojtur nga të këqijat e kohës.

GER: Në një reagim tuajin, lexova ndër të tjera se konteksti aktual, na e imponon një qasje tjetër të edukimit, ndryshe nga ajo që manifestohet në linjën zyrtare. A mund të na e shtjelloni më tej këtë?

Marevci: Natyra e problemeve apo sfidat të cilat ballafaqohet sot rinia dallojnë nga ato të kaluarat, prandaj duhet që raporti i mbyllur apo zyrtar fëmijë-prind siç ka qenë në të kaluarën, duhet të ndryshohet në raport me komunikim të hapur ndërmjet prindi e fëmijës, ngase fëmija apo i riu, duhet ta ndjejë prindin e tyre sikur një mik apo mikesh, se kështu prindi është shumë afër jetës së fëmijës së tij dhe ka shumë informacione se si dhe me kënd fëmija i tij e kalon kohën jashtë shtëpisë.

GER: Ju jeni edhe autor i romanit E bardha që vret, vepër kjo në të cilën trajtohen pikërisht këto tema. Sa mendoni që ka ndikuar në ndërgjegjësimin e shoqërisë, për sa u përket këtyre rreziqeve dhe në përgjithësi, sa mund të na ndihmoj arti në këtë drejtim?

 Marevci: Romani ‘’E bardha që vret’’, autor i të cilit jam unë, është pritur mjaft mirë nga lexuesit. Nga disa syresh, madje, kam kërkesa që të shpërndahet nëpër gjitha shkollat gjithandej vendit. Sigurisht, e kam të pamundur i vetëm të merrem edhe me pjesën e shpërndarjes, ngase unë timen mendoj se e kam përfunduar në çastin kur libri ka dal nga shtypi. Gjithsesi jam përpjekur që ta shpërndajë nëpër shumë vende, në mënyrë që të jetë sa më afër lexuesve. Ndërsa sesa mund të ndihmoj arti në parandalimin e dukurive negative në shoqëri, jam i sigurt se po. Vetëm se duhet të ketë materiale të mira dhe ato të trajtohen nga njohësit e fushave, ngase jo rrallë veprimet e marra nga jo kompetentët kanë prodhuar kundër-efekt.

GER: Si shoqëri, përveç përballjes me ndryshimin e sistemit politik, na është dashur që të përballemi edhe me ndryshimin e sistemit të vlerave. Ky proces ende nuk ka përfunduar, meqë edhe sot e kësaj dite ka një përplasje të vazhdueshme ndërmjet këtyre vlerave, disa prej të cilave godasin atë që në kulturën tonë konsiderohet si e shenjtë, familjen. Kjo është një temë e komplikuar, por ju, çka mund të na thoni, a ka diçka të vjetër, konservatore, e cila vlen të mbrohet në këtë luftë ndryshimesh të vazhdueshme? 

Marevci: Tanimë dihet botërisht se, populli jonë ka qenë me moralin më të lartë si shoqëri për faktin se, familjen e kemi konsideruar vërtetë të shenjtë dhe jo vetëm deklarativisht, por edhe në vepër. Pra, në familjet tona ka mbizotëruar respekti dhe dashuria, diçka që sot ka filluar të dobësohet. Ajo që duhet ruhet me çdo kusht është morali, ngase po u ruajt morali, brenda familjeve tona gjithnjë do të mbretërojë harmonia, lumturia, dashuria e respekti. Me një fjalë, në këtë kohë të rrënimit të vlerave vitale, gjëja për të cilën duhet të shpenzojmë qoftë dhe pikën e fundit të potencialit është ruajtja e moralit dhe pengimi i degjenerimit, ngaqë vetëm kështu do ta ruajmë rininë, të pastër nga rreziqet e kohës.

GER: Shoqëria s’ka model më popullor se sa politikanin, ndërsa ky manifeston një karakter me probleme serioze. Çka duhet të bëjmë, si mund t’ia ndërrojmë modelin?

Marevci: Forcë tjetër për ta ndryshuar modelin e ditëve të sodit, nuk kemi, përpos votës. Pra, ne si qytetarë të këtij vendi, duhet që mos i votojmë me sy mbyllur politikanët. Thjesht, duhet që t’i takoj së kaluarës koha kur votën e kemi hedhur në kutit e votimit për shkak se njëra palë ka qenë siç përdorej në popull ‘’krahu i luftës’’ dhe tjetra ‘’rugovjanët’’. Ne kemi nevojë imediate për njerëz me ndërgjegje të pastër, cilitdo subjekt që t’i takojnë. Sepse me politikanë të tillë, me parime të shëndosha e me ndërgjegje, do të ngrihet niveli i mirëqenies në shtetet dhe shoqëri. Mendoj se ka ardhur koha që, politikanët tek të cilët konsiston politikbërja e tyre në interesa personale, klanore e partiake, medoemos duhet që të ndëshkohen me votën tonë e të hiqen njëherë e përgjithmonë nga skena politike.

GER: Fare në fund, a jeni optimist?

Marevci: optimist jam për faktin se, nuk dua që të lejoj pesimizmin që të më pengoj në kontributin tim në të mirë të shoqërisë. Me një fjalë, nuk dua që të dorëzohem, se vend për pesimizëm fatkeqësisht në vendin tonë ka mjaftueshëm.

Për fund, e lus Zotin e Madhërishëm që, në vendin tonë dhe kudo në botë, të mbretëroj paqja e jo dhuna e gjakderdhja, të mbretëroj dashuria e jo urrejtja, të mbretëroj morali e jo degjenerimi!

 

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet