ShKA “Agimi” vazhdon të veprojë në dy grupe

Dy njoftime të ndryshme në adresë të gazetarëve në Prizren kanë ardhur nga Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi”, që në fakt dëshmon se “Agimi” vazhdon të jetë i “çarë” në dy grupe, të cilat në një ose në një formë tjetër, veten e quajnë edhe ShKA “Agimi” edhe legjitim.

Njoftimi i parë nga Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi”, është për përurimin e sallës së korit pas renovimit të saj.

Salla e korit ishte “mollë sherri” që ndau Agimin në dysh.

T’i kthehemi njoftimit të parë. Në të thuhet:

“Me rastin e përurimit të objektit të renovuar dhe sallës se korit dhe orkestrës së SHKA AGIMI, do të ju njoftojmë dhe me aktivitetet dhe punën të cilën SHKA AGIMI do ta ketë në vijim.

Ky aktivitet do të ndodh të enjten.

Njoftimi tjetër nga grupi tjetër që lindi si shpërfaqje e pakënaqësisë në kundërshtimin e dhënies me qira të sallës së korit të ShKA “Agimi”, por edhe të aktivitetit të “Agimit”.

Grupi i dytë, në kohën kur grupi i parë njofton për përurimin e sallës dhe për planin e aktiviteteve, njofton për mbajtjen e Kuvendit zgjedhor, siç thuhet në njoftim të anëtarëve të ShKA “Agimi”.

Në njoftim thuhet:

“Ju ftojmë të merrni pjesë dhe të mbuloni punimet e Kuvendit Zgjedhor të Anëtarëve të ShKA Agimit, ku do të diskutohen dhe votohen dokumentet e brendshme dhe do të zgjidhen organet e brendshme të ShKA Agimit.

Kuvendi Zgjedhor mbahet më 20 Maj 2017, ditë e shtunë, në objektin e ShKA Agimit në Prizren dhe fillon në orën 11.00.

Grupi i parë që i ka çelësat e objektit të ShKA “Agimi” ka paralajmëruar se do të dal me qëndrim me rastin e përurimit të sallës ku do të bëhet publik moslejimi i mbajtjes së Kuvendit të paralajmëruar nga grupi i dytë, në sallën e ShKA Agimi.

Nëse kjo ndodh grupi i dytë ka paralajmëruar se Kuvendin do ta mbaj në një ambient tjetër. /Gazetaere.com/

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet