“Shënohet rritje e rasteve të diskriminimit në Maqedoninë e Veriut”

Në buletinin vjetor të Komiteti të Helsinkit për vitin 2018 janë regjistruar 119 raste të diskriminimit, në krahasim me 82 raste të tilla të regjistruara në vitin paraprak.

Komiteti i Helsinkit në Maqedoninë e Veriut ka publikuar buletinin vjetor për diskriminimin gjatë vitit 2018, që realizohet në kuadër të projektit “Avancimi i të drejtave të njeriut”, i mbështetur nga Zyra e OSBE-së në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Koordinatori i projekteve në Komitetin e Helsinkit, Igor Jadrovski, tha se projekti ka për qëllim parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Ai theksoi se është shënuar rritje në numrin e rasteve të diskriminimit.

“Këtë vit kemi regjistruar gjithsej 119 raste të diskriminimit, që paraqet një rritje prej rreth 30 për qind të rasteve që u dokumentuan vitin e kaluar kur kishim 82 raste”, tha Jadrovski, duke shtuar se është rritur edhe numri i reagimeve të shoqatave qytetare dhe institucionet shtetërore.

Duke folur për bazën e diskriminimit, Jadrovski tha se diskriminimi është bërë në baza të njëjta si edhe vitin e kaluar, duke përmendur këtu statusin personal dhe shoqëror, përkatësinë gjinore, etnike, fetare si dhe orientimin seksual.

Ai tha se numri më i madh i rasteve të paraqitura, 45 gjithsej, janë në sterën e marrëdhënieve të punës, që paraqet një rritje të konsiderueshme pasi në vitin 2017 kishte vetëm 19 raste të tilla.

“Nga ajo që kemi arritur të marrim nga gjykatat si informata të karakterit publik, është se gjykatat kanë iniciuar 36 procese për mbrojtje nga diskriminimi në vitin 2018 dhe kanë miratuar 49 vendime. Nga këto 49 vendime, 28 janë pozitive respektivisht është konstatuar diskriminim, që paraqet rritje të numrit të vendimeve pozitive nga viti paraprak”, tha Jadrovski.

Ai rikujtoi se këtë vit është miratuar ligji i ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi i cili duhet të sjellë disa përmirësime, duke e profesionalizuar Komisionin për Parandalimin e Diskriminimit.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet