Shenjat e mira për bujqit kosovarë

Jo të gjitha investimet të cilat bëhen në fusha të ndryshme, pritet të sjellin përfitime ekonomike në nivel vendi. Por ato që bëhen në sektorin e bujqësisë, nuk futen në këtë kategori. Ngjallja e ekonomisë dhe rritja e GDP-së (ose BPV –së, Bruto Produktit Vendor), është më se e sigurt me investime të këtij lloji. Prandaj, mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), ndaj bujqve dhe blegtorëve, po vazhdon edhe këtë vit. Kjo ministri, sapo ka nënshkruar Marrëveshjen e Mirëbesimit me Misionin e USAID-it, si një hap tjetër në kuadër të  mbështetjes së sektorit të bujqësisë – shkruan Gazeta e Re.

Marrëveshja e Mirëbesimit – e nënshkruar ndërmjet USAID-it dhe MBPZHR-së, sipas njoftimit të kësaj të fundit, kap vlerën e 3.8 milionë eurove. Marrëveshja parasheh krijimin dhe implementimin e një programi të veçantë, për mbështetjen e zinxhirit të vlerave të frutave të imta dhe bimëve mjekësore e aromatike.

<<Bazuar në këtë marrëveshje, synohet zhvillimi ekonomik e bujqësor i vendit, rritja e prodhimit bujqësor e bashkë me këtë edhe rritja e të ardhurave të fermerëve, si dhe krijimi i vendeve të reja të punës>> – thuhet ndër të tjera, në njoftimin e ministrisë.

Vet Ministri Nenad Rikalo këtë bashkëpunim e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm, për zhvillimin e  sektorit bujqësor, sidomos sepse është nënshkruar një <<kontratë tre vjeçare, e cila garanton mbështetjen e prodhuesve tanë bujqësor që merren me kultivimin e mjedrave, manaferrave e bashkë me këtë synojmë që përveç rritjes së prodhimtarisë, ta shtojmë edhe cilësinë e këtyre prodhimeve. Po ashtu synojmë edhe të rrisim mundësinë e eksportit të këtyre prodhimeve në tregjet e huaja, si dhe të ndihmojmë në krijimin e kontratave afatgjate që garantojnë sigurinë e këtyre prodhimeve>> – ka thënë ministri.

Lisa Mango, drejtoreshë e Misionit USAID, ka thënë se e rëndësishme është që po ndihmohet ministria t’i targetojë sektorët më të rëndësishëm, veçanërisht: <<ato asete që i kanë dhe t’i shfrytëzojnë ato më mirë>>. Sipas saj, objektivi themelor nuk mbetet rritja e prodhimit, por përmirësimi i standardeve në gjithë zinxhirin industrial që e përbënë këtë sektor, deri te hedhja e produktit në treg, i cili, medoemos duhet të jetë cilësor.

Investimet e këtij lloji, madje edhe sipas ekspertëve të fushës, do ta ndihmonte ngjalljen e sektorit dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi. GDP-ja, respektivisht BPV-ja, e cila konsiderohet të jetë ndër më të ulëtat në rajon dhe Evropë, mund të ngrihet për më shpejt, po qe se sektori i bujqësisë do të ketë një përkujdesje të tillë edhe në vitet në vijim. Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK-së) për vitin 2016-të, BPV-ka ishte 6.070.1 milionë euro.

<<Rritja reale në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015, ishte 4.06%. Ndërsa, BPV-ja për kokë banori për vitin 2016 ishte 3 386 euro.>>

Por raporti, ndër të tjera, nxjerr në pah edhe fushat të cilat kanë gëzuar më shumë zhvillim, ku bujqësia duket që ka qenë ndër sektorët e fundit në këtë listë të aktiviteteve ekonomike.

<<Rritje reale për vitin 2016 kishte në këto aktivitete ekonomike: Ndërtimtaria 4.47%; Aktivitetet financiare dhe të sigurimit 4.39%; Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave 4.38%; Transporti dhe magazinimi 4.30%; Furnizimi me energji elektrike, me gaz 4.12%; Bujqësia, gjuetia, pylltaria dhe peshkimi 3.08% etj.>>

Por raporti i sektorëve të mësipërm, në aspektin e zhvillimit, mund të ndërrojë në të ardhmen, në qoftë se programet mbështetëse e inkurajuese për bujqit, do të vazhdonin edhe në të ardhmen. Bujqit ndërkohë, kërkojnë një dorë mbështetje edhe nga programet e hartuara nga qeverisjet lokale, ndërsa në nivel nacional nga ajo qendrore, kërkojnë kushte më të mira dhe një treg më të sigurt për produktet e tyre. Ata janë të gatshëm të punojnë më tepër në ngritjen e standardeve, duke i ofruar tregut, produkte cilësore./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet