Shefi i agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad, David Barnea, ka qëndruar këtë javë në Uashington, ku ka zhvilluar bisedime me zyrtarë të administratës së presidentit amerikan, Donald Trumpit rreth mundësisë së zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza.
Këtë informacion e ka raportuar Axios, duke iu referuar burimeve të njohura me takimin.
Sipas burimeve të mediumit amerikan, Barnea i ka thënë të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, se Etiopia, Indonezia dhe Libia kanë shprehur gatishmëri për të pranuar refugjatë palestinezë nga Gaza, dhe se Uashingtoni duhet t’u ofrojë “nxitje” këtyre vendeve që të pranojnë zhvendosjen.
Megjithatë, burimi thekson se Witkoff nuk është shprehur qartë lidhur me këtë propozim.
Zyrtarë të administratës amerikane theksojnë se Shtëpia e Bardhë aktualisht nuk po e shqyrton idenë e zhvendosjes së popullsisë së Gazës, veçanërisht duke pasur parasysh kundërshtimin e vendeve arabe.
Kjo iniciativë vjen disa muaj pasi Trump propozoi zhvendosjen e përkohshme të gjithë banorëve të Gazës derisa rajoni të rindërtohet.
Ky propozim hasi në kundërshtime të mëdha në botën arabe dhe perëndimore, ndonëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe koalicioni i tij shprehën mbështetje të fortë për këtë ide