SHBA, shpërthim i madh në qytetin Nashville

“Ne besojmë se ky incident ishte i qëllimshëm. Dëmtime serioze u shkaktuan në rrugën ku ndodhi shpërthimi, ne po e hetojmë ngjarjen”, tha zëdhënësi i policisë së qytetit

Një shpërthim i madh ndodhi në mëngjesin e Krishtlindjeve në qendër të qytetiit Nashville në shtetin Tennessee të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të bërë për mediat lokale nga Zyra e Menaxhimit të Emergjencave Metro Nashville, u tha se një automjet rekreativ (RV) i parkuar në qendër të qytetit shpërtheu rreth orës 06:30 me kohën lokale dhe rreth dhjetë ndërtesa në rrethinë janë dëmtuar.

Flakët dhe retë e zeza të zjarrit që u shkaktuan pas shpërthimit u panë nga një distancë e largët, ndërsa u vu re se zjarrfikësit përpiqeshin ta merrnin nën kontroll zjarrin në vendin e ngjarjes.

Zëdhënësi i Departamentit të Policisë Metro Nashville, Don Aaron, u tha mediave se tre persona u plagosën dhe u shtruan në spital për shkak të shpërthimit, por nuk janë në rrezik për jetë.

“Ne besojmë se ky incident ishte i qëllimshëm. Dëmtime serioze u shkaktuan në rrugën ku ndodhi shpërthimi, ne po e hetojmë ngjarjen”, tha Aaron.

Trump informohet për shpërthimin

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë theksoi se Presidenti i SHBA-së Donald Trump është informuar në lidhje me shpërthimin dhe se zhvillimet do të ndiqen rregullisht.

Zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë, Jeff Rosen, i cili aktualisht është edhe ushtrues i detyrës së shefit të këtij Departamenti, gjithashtu është informuar për çështjen dhe Departamenti do të sigurojë ndihmën e nevojshme për hetimin.

Guvernatori i shtetit Tennessee, Bill Lee, tha në llogarinë e tij në Twitter se gjithçka që është e nevojshme do të bëhet për të zbuluar shkakun e shpërthimit.

Kategoritë
BotaLajme