SHBA-ja: Po shqyrtojmë opsionin e ndërhyrjes ushtarake ndaj Iranit

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Iranin, Brian Hook, deklaroi të mërkurën vonë se po shqyrtojë opsionin e ndërhyrjes ushtarake ndaj Teheranit për mos t’i lejuar zotërimin e armës bërthamore.

“Pyetja që ne bëjmë në emër të popullit amerikan, është: Cila është rruga më efektive, e cila do të garantonte që Irani të mos posedojë kurrë armë bërthamore? Përgjigja nuk është Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPoA). Presidenti (Trump) e ka bërë të qartë se Irani nuk do të sigurojë kurrë armë bërthamore dhe opsioni ushtarak është gjithmonë në konsideratën tonë”, tha Hook për një kanal televiziv izraelit.

Një marrëveshje që rregullonte dhe monitoronte aktivitetet bërthamore të Teheranit, u nënshkrua ndërmjet Iranit dhe SHBA-së, Bashkimit Evropian, Rusisë, Kinës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar e Gjermanisë në vitin 2015.

Akordi hyri në fuqi më datë 16 janar 2016, mbështetur nga rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mirëpo Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vetëm disa muaj pasi kishte marrë drejtimin e Shtëpisë Bardhë, njoftoi tërheqjen e njëanshme të Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore më 8 maj 2018 dhe rifilloi aplikimin e sanksioneve kundër Teheranit.

Irani, i cili u kërkoi palëve të tjera të marrëveshjes që të ndalonin Uashingtonin, por pa sukses, shpalli pezullimin e disa artikujve të marrëveshjes bërthamore në korrik 2019 dhe të gjitha angazhimeve të tij në kuadër të JCPoA-së më 5 janar.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet