SHBA – Izolohen antitrupat që neutralizojnë infeksionin COVID-19

Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë izoluar antitrupa të forta, të cilat janë marrë nga pacientë të infektuar me llojin e ri të koronavirusit (COVID-19) dhe mund ta neutralizojnë virusin.

Rezultatet e studimit të realizuar nga një grup shkencëtarësh të Qendrës Mjekësore “Irving”, në Universitetin e Kolumbias, u botuan në revistën “Nature”.

Grupi i shkencëtarëve vërejti se 19 nga 61 antitrupat e izoluara dhe të siguruara nga 5 pacientë, të cilët e kaluan COVID-19 në gjendje të rëndë, kishin aftësi të neutralizonin llojin e ri të koronavirusit në mjedisin laboratorik dhe 9 prej tyre kishin potencial dhe efektivitet shumë të fortë në këtë aspekt.

Sipas ekipit shkencor në fjalë, këto antitrupa mund të prodhohen në sasi të mëdha nga kompanitë farmaceutike për trajtimin e pacientëve në fazat e hershme të infeksionit dhe për parandalimin e tij.

“Tani kemi një akumulim më të efektshëm dhe më të larmishëm të antitrupave në krahasim me antitrupat e gjetura deri më tani. Këto antitrupa janë gati të shndërrohen në kura”, tha dr. David Ho, lider i grupit shkencor të Qendrës Mjekësore “Irving”.

Kategoritë
BotaFamiljeLajmeShëndetësi

Të ngjajshmet