SHBA, gjatë rinumërimit gjenden fletvotime të panumëruara në Georgia

Rreth 2.600 vota të panumëruara u gjetën në Qarkun Floyd, ku Trump ishte pas Biden-it me 14.000 vota.

Gjatë rinumërimit të votave në shtetin Georgia të SHBA-së janë gjetur më shumë se 2.600 vota të panumëruara në Qarkun Floyd, sipas raportimeve të mediave.

Në Georgia, presidenti i sapozgjedhur Joe Biden ishte përpara presidentit Donald Trump me rreth 14.000 vota, ose 0,3 për qind, sipas Associated Press.

Trump dhe Partia Republikane kishin kërkuar një rinumërim dhe shteti filloi të rinumërojë afërsisht 5 milionë fletëvotime me dorë të premten pasi që nuk ka proces automatik të rinumërimit.

Sekretari i Shtetit i Georgia-s, Brad Raffensperger, udhëzoi zyrtarët e zgjedhjeve të qarkut të premten që t’u sigurojnë mundësi partive politike të monitorojnë procesin e rinumërimit.

Kryetari i Partisë Republikane të Qarkut Floyd, Luke Martin, tha se fletëvotimet e panumëruara nuk duket të jenë një çështje në gjithë vendin, ndërsa qarqet e tjera në Georgia nuk kanë gjetur fletëvotime të panumëruara deri më tani.

Trump këmbëngul se është bërë “mashtrim” në zgjedhjet e vitit 2020. Nëse disfata e tij në Georgia konfirmohet pas rinumërimit, kjo do të jetë një humbje historike për republikanët në shtetin juglindor kryesisht republikan.

Mes kundërshtimeve kundër rezultateve të zgjedhjeve, kampi i Trump-it aktualisht ka ngritur procese gjyqësore në pesë shtete të ndryshme, Georgia, Pennsylvania, Michigan, Arizona dhe Nevada.

Kategoritë
BotaLajme