“SHBA dhe Franca me hatërmbetje ndaj Rusisë sepse nuk morën pjesë në marrëveshjen për Karabakun”

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov tha se SHBA dhe Franca kanë luajtur një rol të rëndësishëm politik në krijimin e kushteve të nevojshme në marrëveshje.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se SHBA dhe Franca kanë hatërmbetje ndaj Rusisë për shkak se nuk kanë marrë pjesë në marrëveshjen që ndaloi konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë në Malësinë e Karabakut.

Në një deklaratë në televizionin “Russia Today”, Lavrov iu përgjigj pretendimeve që vendi i tij nuk ka përfshirë SHBA-në dhe Francën në procesin e marrëveshjes në Malësinë e Karabakut.

Lavrov tha se SHBA dhe Franca kanë luajtur një rol të rëndësishëm politik në krijimin e kushteve të nevojshme në marrëveshje. “Edhe në bisedën mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit rus Vladimir Putin por edhe në bisedat e mia lidhur me Malësinë e Karabakut me homologët amerikanë dhe francezë ndjehet se kanë hatërmbetje. Kjo është shumë e trishtueshme”, tha ministri rus.

Ai theksoi se në bisedimet me ministrin e Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian është përpjekur t’i shpjegojë se dëshirojnë që në Malësinë e Karabakut të mos vriten njerëz, të mos braktisen shtëpitë dhe të mos rritet numri i refugjatëve dhe personave të zhvendosur.

Lavrov potencoi se nuk do të ishte e përshtatshme që të bëheshin përpjekje duke telefonuar Washingtonin dhe Parisin për arritjen e dakordimit nëse i mbështesnin apo jo pikat e marrëveshjes në një situatë kur edhe një minutë ishte në vlerën e jetës së një personi.

“Nuk është etike dhe morale që të drejtohen akuza ndaj Rusisë”, tha Lavrov i cili tërhoqi vëmendjen se është për të ardhur keq që dalin në plan të parë dëshirat për të “shkëlqyer” në politikë dhe për të forcuar pozicionet në struktura me shumë drejtime si Bashkimi Evropian.

“Jemi të kënaqur kur gjërat që bën Rusia mbështeten nga komuniteti ndërkombëtar”, nënvizoi Lavrov duke mbrojtur idenë e tij se objektivat e tyre më të rëndësishme janë që të mos ketë konflikte dhe kriza në Siri, në Malësinë e Karabakut dhe në vende të tjera.

Kategoritë
BotaLajme