SHBA, arrestohet polici i cili shkaktoi vdekjen e afroamerikanit George Floyd

John Harrington, drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike në Minnesota, tha se Chauvin është arrestuar lidhur me vdekjen e Floyd.

Arrestohet polici Derek Chauvin në SHBA i cili shkaktoi vdekjen e afroamerikanit George Floyd, pasi me gjurin e tij i mbante qafën e Floyd në tokë përderisa e arrestonte.

John Harrington, drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike në Minnesota, tha se Chauvin është arrestuar lidhur me vdekjen e Floyd.

Kryeprokurori i rajonit Hennepin, Mike Freeman, në lidhje me arrestimin e Chauvin, në orët e pasditës do të organizojë një konferencë për media dhe do të japë detaje rreth kallëzimeve penale.

George Floyd, 46 vjeç, u arrestua të hënën në Minneapolis, Minnesota, pasi, siç thuhet, u denoncua për përdorim të një banknote të falsifikuar prej 20 dollarësh në një dyqan lokal.

Në videon e përhapur në rrjetet sociale ai shfaqet i prangosur dhe bashkëpunues.

Megjithatë, policia pohoi se ai i ka rezistuar arrestimit. Njëri prej policëve vuri gjunjin mbi qafën e tij, përkundër përgjërimeve të përsëritura të Floyd: “Nuk mund të marr frymë”.

Më pas, Floyd shihet duke humbur vetëdijen, por oficeri i policisë vazhdon të mbajë gjunjin e tij mbi qafën e viktimës.

Ai humbi jetën menjëherë pasi u dërgua në spital.

Katër policë, përfshirë Derek Chauvin, janë pushuar nga puna për vrasjen, e cila ka shkaktuar protesta masive dhe revoltë kundër brutalitetit të policisë.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet