Shastisja e mediave serbe: u bë Shqipëria e madhe!

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive e cila u mbajt dje në Pejë, s’qe kryetemë vetëm e opinionit publik kosovar por edhe e atij serb. Një ditë pas vizitës së bujshme të Kabinetit Rama në Pejë, shtypi beogradas, kryetitujt i ka filluar me fraza bombastike – shkruan Gazeta e Re.

Pikëpamjet e kritikëve të pushtetit, nacionalistëve, skeptikëve, realistëve etj, lehtësisht mund të diferencohen nga njëra tjetra. Por përtej interpretimeve, një fakt mbetet i pamohueshëm, qeveritë e dy vendeve shqiptare, si kurrë më parë, gëzojnë një liri të madhe e cila ua falë mundësitë e jashtëzakonshme për ndërtimin e bashkëpunimeve në të gjitha rrafshet. Pikërisht këtë duket që e ka hetuar shtypi serb. Blic, Kurir, Informer etj, kanë vënë theksin te akti i përbashkët (ani që krejt simbolik), i zyrtarëve të lartë shqiptarë, të cilët u fotografuan duke bërë me duar simbolin e “shqiponjës dykrerëshe”. Shqiptarët po e bëjnë Shqipërinë e madhe – alarmojnë ato, ose, ose citojnë Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili shpërtheu me një fjalor të ulët duke shtruar një pyetje retorike: “What the fu…?”.

Kabineti i Qeverisë së Shqipërisë, u mirëprit nga nikoqiri kosovar Ramush Haradinaj, i cili po ashtu, pas vetes kishte gjithë vartësit e tij. Por, për dallim nga rastet e tjera, kësaj radhe, takimi nuk ishte thjesht formal. Me këtë rast të dy qeveritë nënshkruan gjashtë marrëveshje, dy protokolle dhe dhanë dy informata. Më saktë, sipas raportimeve të djeshme, bëhet fjalë për:

 

  1. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës”.
  2. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve”.
  3. Protokolli për Kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë” në mes të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë.
  4. Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet Financiare Ndërkombëtare.
  5. Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
  6. Marrëveshja për “Bashkëpunim në fushën e Rinisë.”
  7. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushën e shëndetësisë.
  8. Protokolli ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, për njohjen e bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fito sanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe tranzitit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës; dhe:
  9. Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për pronësinë industriale të RKS dhe Drejtorisë së përgjithshme të pronësisë industriale të Republikës së Shqipërisë.

Gjithsesi në qendër të vëmendjes, nuk u ndodhen këto akte, por fotografitë e krerëve me duar përpjetë duke e bërë simbolin e shqiponjës, si dhe deklaratat e Ramës. Kjo e shtyri analistin Fatos Lubonja t’ua rikujtojë përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, se nacionalizmi është streha e fundit e horrave. I ftuar në një emision televiziv, ndër të tjera Lubonja është shprehur se: “sa herë kanë probleme me shqiptarët, për shqiptarët, ofrojnë këtë idenë e Shqipërisë Abstrakte” – duke nënkuptuar me këtë se këta krerë, shfrytëzojnë këtë gjuhë propagandistike, duke i shkëputur qytetarët, nga ideja e realitetit.

Për gazetarin Fehmi Maloku, pikërisht kjo të bie në sy në rend të parë “dalldia” e të zgjedhurve të popullit, fotografitë e takimit, simbolika e shqiponjave dhe deklaratat e Ramës.

“Ky Kryeministër- megjithëse i ftuar e mysafir në shtëpi tonë, u soll kapadai, dhe mori rolin e ‘Babës’!. Në këtë dalldi e kapadaillëk, Edi Rama, u kujdes të na jap edhe disa këshilla- sado në formën e urdhrave!. E arsyetoi me lehtësi- skandalin e ministrit të tij kundër Kosovës, e përbuzi madje e ofendoi nikoqirin, Kryeministrin Ramush Haradinaj, dhe e glorifikojë Presidentin Hashin Thaçi – më saktë “idetë” shumë të kontestueshme për kufirin me Serbinë!. E quajti dostin e tij, Presidentin Thaçi- komandant të UÇK- së ndërsa po fliste krah për krah komandantit real të UÇK-së. S’i nuk e dinte, a s’i kishin treguar atij kurrë se Presidenti-dosti i Edi Ramës, s’ka qenë Komandant i asnjërës zonë operative të UÇK-së, por vetëm përfaqësues politik – në të shumtën e kohës si e thotë vetë presidenti ynë: “Larg fronteve të luftës”, ndërkohë personi përkrah tij, Kryeministri Ramush Haradinaj, edhe ka qenë brenda në UÇK- edhe brenda në luftë, madje edhe komandant përnjëmend dhe goxha i shquar! Duhej ta dinte gjithsesi Kryeministri Rama, se nga ata që nuk pajtohen me idenë e Hashim Thaçit për “korrigjim kufijsh”, është pikërisht Kryeministri nikoqir, ish-Komandanti Ramush Haradinaj! Provokim i rëndë ishte, prandaj, deklarata e pamatur aspak diplomatike se “Hashim Thaçi ka qenë Komandant i UÇK-së,…kushdo që kundërshton idenë e tij është gomarë”! Mirë u përmbajt Kryeministri Haradinaj, se mund t’i kundërpërgjigjej me të njëjtën tallje t’u i thanë, për shembull: ” Hashim Thaçi nuk ka qenë kurrë Komandant, e as afër fronteve të luftës, ka qenë veç përfaqësues- nga distanca, politik i UÇK-së, o Magar!” – Thotë Maloku.

Por është kohë e turbo-folklorizmave dhe këto skena do të përsëriten gjatë kohë – kujtojnë analistët. Thënë ndryshe me gjuhën e Fatos Lubonjës, pikërisht këta krerë shtetërorë punojnë përditë kundër shqiptarëve, pastaj flasin për ‘Shqipërinë e Madhe’. Perspektiva e analistëve shqiptarë, në një mënyrë ua hedh poshtë pretendimet mediave serbe, duke i karakterizuar alarmet e tyre, si të rrejshme./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet