Shahini: Trendi i rënies së numrit të nxënësve është në gjithë rajonin

Ministrja Shahini në një deklaratë për mediat foli në lidhje me numrin e nxënësve të regjistruar në sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri, tekstet shkollore dhe trendin e rënies së numrit të nxënësve në shkolla.Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, tha se braktisja e shkollës nga nxënësit ka rënë në mënyrë drastike, ndërsa sipas saj trendi i rënies së numrit të nxënësve është në gjithë rajonin, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja Shahini në një deklaratë për mediat me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor foli në lidhje me numrin e nxënësve të regjistruar në sistemin arsimor parauniversitar, tekstet shkollore, trendin e rënies së numrit të nxënësve në shkolla dhe çështje të tjera.

Shahini theksoi se numri total i nxënësve që përfitojnë libra falas në vitin shkollor 2019-2020 është rreth 220 mijë.

“Sot të gjithë nxënësit në arsimin parauniversitar punojnë me tekste të reja dhe korrikula të përmirësuara që bëjnë ndërlidhjen shumë më të mirë të njohurive që nxënësit marrin mes viteve të ndryshme, por edhe ndërlidhjen shumë më të mirë mes lëndëve të ndryshme”, tha Shahini.

Duke folur mbi arsimin parashkollor, ajo theksoi se “Shqipëria është lider në të gjithë rajonin dhe më gjerë për përfshirjen e kësaj grupmoshe në arsimin e hershëm.”

“Në arsimin parauniversitar, nëse përfshijmë arsimin profesional numri total shkon rreth 480,000 nxënës. Ne supozojmë që në krahasim me vitin e kaluar do të kemi rreth 10 mijë nxënës më pak. Sa për krahasim, në Kosovë, nga viti 2016 në 2018 janë mbi 25,000 nxënës me pak, në Serbi 32,000, në Bosnjë dhe Hercegovinë 34,000. Trend i njëjtë vërehet edhe në Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Shahini.

Ajo theksoi se rënia e numrit të nxënësve në shkolla nuk është një dukuri e viteve të fundit dhe as një dukuri ekskluzivisht shqiptare dhe shtoi se “trendi i rënies së numrit të nxënësve nuk është një trend unik në Shqipëri. Është në gjithë rajonin”.

Sipas Shahinit, trendi i rënies së nxënësve në arsimin parauniversitar ka filluar në vitin 1992. “Trendi i rënies ka të bëjë kryesisht me rënien e natalitetit që është një çështje e cila afekton gjithë Evropën Juglindore, përfshirë rajonin tonë të Ballkanit. Ajo çfarë duhet të nënvizohet si një sukses i madh i qeverisjes sonë është që braktisja e shkollës ka rënë në mënyrë drastike”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se procesi mësimor filloi më 16 shtator në të gjitha gjimnazet dhe shkollat 9-vjeçare të Shqipërisë. Viti i ri shkollor filloi edhe në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar të Fondacionit Turk Maarif.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni

Të ngjajshmet