Sezoni turistik në Ulqin po jep rezultatet e para pozitive, rritet numri i turistëve

Bregdeti i Ulqinit tashmë ka hyrë në vlugun e sezonit turistik që sjell në këtë qytet turistë nga rajoni dhe Evropa.

Organizata Turistike e Ulqinit njofton se në hotele janë duke pushuar mbi 6.000 turistë, një rritje për 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në kampe 879, ndërkaq në sektorin privat të regjistruar janë rreth 15.000 turistë, që është 17% më shumë se një vit më parë.

Mirëpo gjykuar nga frekuentimi i rrugëve dhe plazheve dhe radhët e gjata të automjeteve, kjo shifër duhet të jetë shumë më e lartë. Andaj strukturat udhëheqëse komunale në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit po marrin  masa shtesë dhe i tërheqin vëmendjen qiradhënësve që të regjistrojnë mysafirët dhe të paguajnë taksën e banimit.

Një tjetër risi këtë vit është vendosja e rregullit në parking nga organizata e porsaformuar “Shërbimi i Parkimit Ulqin”.

Në njoftimet e lëshuara për banorët dhe turistët thuhet se do të ndëshkohet secili vozitës që shkel këto rregulla dhe që nuk paguan parkimin në zonat e shënuara.  Shërbimi i parkimit ka ditë që ka njoftuar vendasit dhe turistët se  mund të pajisen me kartat përkatëse ditore, mujore ose vjetore. Ky shërbim vendoset për herë të parë në Ulqin dhe duket se po jep rezultatet e para pozitive sa i përket rregullit për parkim.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet