Serbia vazhdon të mbetet importuesi më i lartë në Kosovë

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 1.9% në muajin mars 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 228.9 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 233.3 milionë Eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 10.4%.

“Eksporti i mallrave në muajin mars 2018 kishte vlerën 26.4 milionë Euro, ndërsa importi 255.4 milionë Euro, që është një rënie prej (-15.4%) për eksport dhe (-3.5%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.3% e përbëjnë produktet minerale; 13.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 4.9% e përbëjnë produktet bimore; 4.7% e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 4.5% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4.2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij; 4.0% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar etj”, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për publikimin e të dhënave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2018.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2018, arritën në 66.0 milionë Euro, ose 25.9% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-12.0%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.3%), Maqedonia (5.0%), Shqipëria (4.0%) dhe B&H (2.1%).

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 106.0 milionë euro, ose 41.5% e importeve të përgjithshme, një rënie prej (-9.8%). Importet me pjesëmarrje me të larte ishin nga: Gjermania (12.0%), Italia (5.5%), Greqia (3.1%), Rumania (3.0%) etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 12.8% të importit e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 8.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.6% e përbëjnë produktet bimore etj.

Më tej në komunikatë thuhet se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 9.0 milionë Euro, ose rreth 34.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.9%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.4%), Holanda (4.4%), Britania e Madhe (4.2%), Sllovenia (3.4%) dhe Bullgaria (3.2%).

Në muajin mars 2018, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 13.6 milionë Euro, ose 51.8% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-4.7%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (20.5%), Maqedonia (15.0%), Serbia (8.2%) dhe Mali i Zi (6.2%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.6 milionë Euro, ose 13.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (7.6%) dhe Turqia (4.0%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 83.3 milionë euro, ose 32.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.8%) dhe Turqia (9.6%).

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet