Serbia kishte lobuar në Maldive për tërheqjen e njohjes së Kosovës qysh më 2009

Kërkesa për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Maldivet, e bërë këtë javë, e ka burimin qysh para 10 vjetësh.

Kjo zbulohet në kabllogramet që kishte publikuar me vite WikiLeaks-i.

Në letrat që çonte ambasadori amerikan Robert Blake në Uashington, e njoftonte administratën atje që ka lobim të Lëvizjes Popullore Djathtiste Otpor, që njohja të tërhiqej, raporton KTV.

Kjo, sipas tij, erdhi si pasojë e faktit që udhëheqësi i Lëvizjes Popullore Otpor apo Rezistenca, Srdja Popoviq, kishte raporte të mira me disa prej anëtarëve të Qeverisë së Maldiveve.

Për ta zbutur presionin që bëhej ndaj ministrit të Jashtëm, Ahmed Shaheed Blake sugjeronte që Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, të dërgonte një letër falënderimi për Maldivet, me rastin e njohjes së Kosovës.

Për më tepër, sipas mediave në ishull, lideri i një partie të vogël islamike, e kishte akuzuar Shaheedin dhe të tjetër që kishin marrë ryshfet nga zyrtarët kosovarë në këmbim të njohjes. Shaheed ishte ftuar të dëshmojë edhe para komitetit lidhur me akuzat të cilat amerikanët nuk i besonin.

Edhe ambasadorja e re amerikane kishte raportuar për presionin e vazhdueshëm të Serbisë dhe Otporit për tërheqjen e njohjes, por kishte thënë se letra e Clintonit e kishte qetësuar pak situatën.

E, si duket, nga i gjithë rasti me Kosovën, ka përfituar edhe shteti i vogël, meqë 1 vit pas njohjes së Kosovës, Maldivet u përkrahën nga SHBA-ja që të marrin ulëse në agjencinë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Këtë të hënë, një mocion u paraqit në Kuvendin e Maldiveve që kërkon tërheqjen e njohjes, duke e quajtur aktin të ngutshëm dhe duke e akuzuar ish-ministrin e Jashtëm, për marrjen e 2 milionë dollarëve në këmbim të njohjes.

Në mocion citohet ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, të ketë thënë se ka dhënë para nga xhepi i vet për të lobuar për njohjet.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet