Serbia do të pajiset me sistemin raketor rus përkundër sanksioneve amerikane

Matthew Palmer, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, më herët ka paralajmëruar Serbinë se blerja e armëve ruse mund të shkaktojë vendosjen e sanksioneve nga ana e Washingtonit.

Rusia do ta furnizojë Serbinë me sistemet e mbrojtjes ajrore Pancir-S brenda disa muajve të ardhshëm në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar, njoftoi agjencia shtetërore serbe e lajmeve Tanjug.

Matthew Palmer, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, më herët ka paralajmëruar Serbinë se blerja e armëve ruse mund të shkaktojë vendosjen e sanksioneve nga ana e Washingtonit.

Sipas Tanjug, sistemet e mbrojtjes ajrore Pancir-S, sisteme raketore dhe anti-ajrore me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, planifikohet të dorëzohen në Serbi brenda disa muajve.

Alexander Mikheev, kreu i kompanisë zyrtare ruse për eksportimin e armëve Rosoboronexport, ka thënë se nuk do të ketë vonesa në dërgesat dhe gjithçka po vijon siç është planifikuar.

“Marrëveshja do të zbatohet brenda disa muajve të ardhshëm dhe Rusia do të fillojë dorëzimin pas trajnimit”, ka thënë Mikheev.

Sipas tij, trajnimi i ekspertëve serbë është duke vazhduar.

Ndërkaq, ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin ka deklaruar se sistemi raketor është garantuesi i paqes afatgjate në rajon.

Sipas agjencisë serbe, qëllimi i blerjes së sistemit raketor është mbrojtja e pikave kritike, siç janë aeroportet, komanda dhe qendrat e kontaktit, nga sulmet e mundshme me avionë, helikopterë dhe dronë.

Siç thuhet, sistemi raketor “Pancir S-1” është përdorur me sukses në Siri.

“Pancir S-1” u ekspozua së bashku me sistemin raketor “S-400” gjatë një stërvitjeje ushtarake në Serbi në muajin tetor.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet