Selimi: Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës përtej politikave ditore, është interes nacional

Në 22 vjetorin e masakrës së Reçakut, është mbledhur të premten paradite Grupi Punues që po merret me themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, me ç’rast kanë prezantuar oranogramin.

E ministri i Drejtësisë Selim Selimi ka deklaruar sot se ky institut është interes nacional që shkon përtej politikave ditore.

Ai ka bërë të ditur se pavarësisht se kush do të jetë në krye të Ministrisë së Drejtësisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk do të ngutë Grupin Punues, pasi siç tha ai, mbi të gjitha është e rëndësishme që ky institut të jetë i qëndrueshëm.

Selimi: Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës – interes nacional

 

“Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, është një çështje që shkon përtej politikave ditore, zgjedhjeve, kalkulimeve politike, është diçka nacionale[…]Sot e kemi pasur një mbledhje të GP në përkujtim të masakrës së Reçakut, që është kthesa historike dhe kthesa më e dhimbshme e cila na ka bërë që të ngrihemi nga hiri dhe ta ndërtojmë këtë që e kemi sot. Ky Institut vazhdon punën. Sot është prezantuar organogrami, është duke u punuar në të. Unë nuk kisha dashur që ta jap një datë, nuk kisha dashtë që t’i nguti, për shkak që është shumë e rëndësishme që të jetë një institut i qëndrueshëm. Por, mendoj që kjo punë do të shkojë edhe përtej zgjedhjeve, sepse nuk e kemi bërë për zgjedhje. Dhe, sado që ata kanë nevojë për kohë, ne do t’iu japim kohë në dispozicion, vetëm le të jetë një institut i qëndrueshëm dhe një institut i përhershëm”, u shpreh ai.

Ndryshe, kjo do të jetë hera e dytë që themelohet një institut i tillë, pasi Institutipër Hulumtimin e Krimeve të Luftës u pat themeluar njëherë, porse ishte shuar. 

Kategoritë
LajmeVendi