Sektori privat, sektori i vdekjeve

Edhe njëherë është bërë krye-temë çështja e të punësuarve në sektorin privat. Gjendja e rëndë, pasiguria në punë dhe pagat e ulëta, janë vetëm disa nga segmentet shqetësuese. Ndërsa ajo që i preokupon më shumë, është numri i të vdekurve në vendin e punës, numër i cili sa vjen e po shtohet – Gazeta e Re.

Viti i kaluar është cilësuar me të drejtë si viti më fatal për sa u përket të punësuarve në sektorin privat. Jusuf Azemi, Kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat konfirmonte se: “Gjatë vitit 2018 kemi më se 23 raste të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës. Faktikisht është numri rekord në krahasim me vitet e kaluara.”

Viktima e parë për këtë vit, është shënuar para pak ditësh. Rasti i njëzetedyvjeçarit nga fshati Mushtisht i Suharekës, shënjon viktimën e parë për këtë vit. Krenar Jemini, gjeti vdekjen pasi u lëndua rëndë në vendin e tij të punës, ndërsa fillimisht nga vet prokurori i rastit, është cilësuar si i dyshimtë. Pronarët e kompanisë (Lab-Oil), ku ka qenë i punësuar, kanë thënë se ai aksidentalisht është lënduar, ndërsa janë treguar të hapur për bashkëpunim me autoritetet. Ndërkaq Kryeinspektori i Punës Basri Ibrahimi ka premtuar se do ta hetojnë rastin, bashkë me institucionet relevante. Ai po ashtu ka siguruar se ky Organ i Pavarur i Administratës shtetërore, do të bëjë të pamundurën për sa i përket monitorimit të punës së kompanive private, në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla,

 Në këtë sektor, i cili ngërthen në vete numrin më të madh të të punësuarve, sipas shumë raporteve të organizatave të ndryshme, më së paku respektohet ligji i punës.

Përveç pagave të ulëta, orarit të tej-zgjatur, kushteve të vështira të punës etj, shqetësim përbënë edhe numri i madh i të punësuarve pa kontratë.

Sipas raportit të fundit të ASK-së (Agjencia e Statistikave e Kosovës), për tremujorin e fundit të vitit të kaluar, shumica e të intervistuarve (83.3%), janë deklaruar se kanë një kontratë individuale “ndërsa pjesa tjetër punonin pa kontratë. Për të rinjtë e moshës (15 deri 24 vjeç), përqindja e atyre që punonin pa kontratë ishte 30.5 %.”

I njëjti raport, konstaton se sa u përket të ardhurave: “Pagat neto të shumicës së punonjësve ishin midis 400 € deri 500 € në muaj. Janë vërejtur dallime gjinore me 7.2 % më e lartë te femrat se sa te meshkujt.”

Gjithsesi ajo që ngjallur pakënaqësi më shumë, është pasiguria. Aktivistë të shoqërisë civile në nëntor të vitit të kaluar patën protestuar duke i vendosur mbi koka 93 helmeta, që në mënyrë simbolike simbolizonte numrin e të vdekurve në sektorin privat. Por që nga nëntori, numri është rritur dhe tash po i avitet treshifrorit.

Sektorët e tregtisë dhe ndërtimtarisë, kanë numrin më të lartë të të punësuarve meshkuj, ndërsa kjo e fundut konsiderohet të jetë puna më e rrezikshme në Kosovë. Vetëm vitin e kaluar patën përfunduar me fatalitet me dhjetëra viktima (deri në nëntor të vitit që iku – 18 të vdekur).

Aprovimi në parlament i Ligjit të Pagave, çuditërisht nuk ka ngjallur reagime nga të punësuarit në sektorin privat, ani që ky ligj krijon një hendek të thellë për sa i përket pagës mesatare ndërmjet dy sektorëve (privat dhe publik).

Vdekja e fundit, ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa qytetarët kanë kërkuar që i ndjeri Jemini, të shpallet hero, meqë vdiq në vendin e punës, në ditë vikendi, duke dashur që t’i ndihmojë sadopak familjes./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet