Secila më e rëndësishme se tjetra, çfarë pozitash mbanin të arrestuarit e sotëm?

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka nisur një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Aty janë arrestuar disa zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, përfshirë edhe ushtruesin e detyrës së kryeshefit, Agim Nuha.

Ky aksion është zhvilluar edhe në disa komuna tjera të Kosovës. Aksioni ka vazhduar edhe në katër komuna.

Por çfarë pozitash mbanin të arrestuarit në AZhB?

Merret vesh se në këtë aksion është arrestuar ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agim Nuha. I njëjti në këtë pozitë ishte emëruar në shkurt të vitit 2020.

Para kësaj pozite ai mbante pozitën e drejtorit për autorizimin e pagesave në AZHB.

Njëri ndër të arrestuarit në aksionin e sotshëm të Policisë së Kosovës, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë është edhe S. Sh.
I njëjti punën në këtë Agjenci e kishte filluar në vitin 2015, si inspektor teknik.

“Sipas konkursit të shpallur me dt. 06.08.2015 me përkrahjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe për punësim të përkohshëm në Agjencionin për Zhvillim të Bujqësisë deri me dt. 29.02.2016, ju njoftojmë së kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe janë përzgjedhur këta kandidatë: 1. Inspektorë Teknik: a), b) S. Sh”, thuhej në vendim.

Në ndërkohë A.U., poashtu e arrestuar mbante pozitën e inspektores në AZhB.

Në aksionin e sotëm të Policisë në këtë agjenci është arrestuar edhe drejtori përgjegjës për pagesat direkte, L.S. Madje të njëjtit raportohet t’i jenë bastisur edhe pronat në Batllavë.

Po në këtë fshat të Podujevës, policia bastisi edhe një nga firmat e njohur dhe arrestoi S.S. I njëjti së fundmi kishte një marrëveshje me AZHB’në, që përfituesit e granteve të furnizohen me mekanizëm bujqësor, fidane të pemëve të ndryshme të importuara nga BE, ndërtimin e serrave, sistemin e ujitjes dhe energji solare.
I arrestuar në këtë aksion ishte edhe B.N, zyrtar i kësaj agjencie i cili edhe më herët ishte i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndaj të njëjtit në vitin 2017, Gjykata Themelore në Gjilan kishte shpallur aktgjykim lirues.

Në ndërkohë K.B, që u arrestua sot në AZhB, kishte punuar në Divizionin për Burime Njerëzore në Departamentin për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme. E njëjta u punësua aty me datë 08.02.2018.

Policia e Kosovës, sot në AZhB, ka arrestuar edhe një nga programerët e Agjencisë me inicialet D.A.

Në ndërkohë P.K, që u arrestua sot ishte inspektor në komunën e Lipjanit.

Ndërsa emri i K.Z, figuron në listën e zyrtareve të AZhB’së në Istog, po poashtu kishte aksion të policisë.

Në këtë qytet u arrestua edhe H.M, zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë.

Ndaj tij, Agjencia Kundër Korrupsion më herët ka hapur rast ndaj tij për shmangie të konfliktit të interesit.

Ndërsa për Sh.K ende nuk dihet se çfarë pozite ka mbajtur në këtë Agjenci.

Pas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, aksioni i Policisë ka vazhduar edhe në disa prej komunave ku janë shoqëruar Polici zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në Komunën e Istogut, dy zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë janë shoqëruar nëPolici për intervistim.

Aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës ka vazhduar edhe në Komunën e Gjilanit.

Zyrtarë policorë në këtë komunë kanë bërë të ditur për Express se si në komunat tjera edhe në këtë komunë është duke u zhvilluar aksioni i njëjtë, duke mos dhënë më shumë informacione.

Njësia Speciale është parë edhe në afërsi të objektit të Komunës së Lipjanit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka deklaruar se pas përfundimit të këtij aksioni, do të dalë me komunikatë zyrtare.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se informacione shtesë rreth këtij aksioni do të jepen pas përfundimit të operacionit.

“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor në disa lokacione, në rajone të ndryshme. Informacione shtesë mund të jepen pas përfundimit të operacionit policor”, ka thënë Kelani.

Gjatë bastisjes së sotme, janë konfiskuar edhe dy çanta me para, gjë për të cilën reagoi edhe Ehat Miftaraj përmes një postimi duke thënë se në këtë aksion duket se janë konfiskuar dy valixhe me para, teksa ka lavdëruar prokurorin e rastit Rafet Halimin dhe zyrtarët policorë që kanë marr pjesë në këtë aksion.

Kategoritë
LajmeVendi