Seb Bytyçi: Koalicioni pas-zgjedhor nuk duhet të varet nga Lista Serbe

Seb Bytyçi është ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Vinçesterit (University of Winchester) në Angli dhe e drejton Institutin Ballkanik të Politikave (IPOL).

Doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin e Jorkut (University of York), Angli në fushën e menaxhmentit. Më herët ka studiuar për magjistraturë (analizë të politikave publike dhe çështje ndërkombëtare) në Universitetin e Indianës (Indiana University), SHBA; magjistraturë (në integrime europiane dhe regjionalizëm) në Universitetin e Gracit (Universitaet Graz), Austri; dhe baçelorat (shkenca politike) në Universitetin e Prishtinës.
Ai shkruan artikuj akademik e publicistik mbi tema që lidhen me edukimin e tij si: politikat publike, zhvillimi, çështjet ndërkombëtare e Europiane, anti-korrupcioni, burimet njerzore, ndërtimi i institucioneve, ndërtimi i shtetit dhe konflikti. Ka punuar edhe si këshilltar në këto lëmi për organizata ndërkombëtare si UNDP, OSCE e GIZ.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, Bytyçi vlerëson se në zgjedhjet e 11 qershorit pamohueshëm qytetarët e Republikës së Kosovës votuan për ndryshime, duke mos harruar se këto përpjekje janë vazhdimësi edhe e zgjedhjeve të kaluara. Ai po ashtu konsideron se pati një emancipim dhe kjo nga fakti se dhjetëra mijëra votues kanë ndryshuar mënyrën e zgjedhjes.

Ndërsa, kur flet për rezultatin e Partisë Demokratike të Kosovës si partia që pati qeverisjen për kohën më të gjatë në vend, ndër tjera Bytyçi thotë se “PDK pati rënie të konsiderueshme, gjë që ka ndodhur për herë të parë në historinë e saj”, dhe shton se tek qytetarët “kësaj radhe, u forcua bindja se Lëvizja Vetëvendosje mund të sjellë ndryshimet në qeveri”. Për mundësinë e një qeverie teknike Bytyçi ka bindjen se kjo nuk mund të ndodhë. “Qeveria teknike nuk ka gjasa të mëdha të ndodhë, sepse asnjë nga blloqet kryesore nuk janë të interesuar për këtë”, pohon ai në këtë intervistë për Gazeta e Re.

GeR: Z. Bytyçi, a e vlerësoni votën e 11 qershorit si votë të revoltës qytetare? Respektivisht, a shënjon kjo një stad më të lartë të emancipimit shoqëror?

Bytyçi: Mund të thuhet se qytetarët votuan për ndryshime në këto zgjedhje, edhe pse nuk duhet të mohojmë përpjekjet për ndryshime në zgjedhjet e kaluara. Atëherë, ekzistonte bindja më e fortë se LDK do të mund të hiqte PDK-në nga pushteti. Dhe LDK mori më shumë vota se LVV. Kësaj radhe, u forcua bindja se LVV mund të sjellë ndryshimet në qeveri, dhe pamë rritje të LVV-së e rënie të LDK-së. Gjithashtu, është me rëndësi të theksohet se edhe PDK pati rënie të konsiderueshme, gjë që ka ndodhur për herë të parë në historinë e saj.
Fakti që dhjetëra mijëra votues kanë ndryshuar mënyrën e votimit për herë të parë përbën emancipim. Pra, kemi një numër të madh të votuesve që për herë të parë kanë braktisur PDK-në. Dhe një numër të madh të votuesve që për herë të parë kanë votuar për LVV-në. Për më tepër, ndryshimi ka ndodhur si në zona urbane ashtu edhe rurale, gjë që e bën më domethënës.

GeR: Duke qenë që forcat politike janë mjaft të balancuara dhe duke pasur parasysh që subjektet politike pritet të hasin në vështirësi në aspektin e formimit të koalicioneve pas-zgjedhore, a ka rrezik që vendi të përballet me një krizë të re politike?

Bytyçi: Tashmë vendi po shkon nga kriza në krizë, kështu që kemi krizë kronike. Edhe pse qeveria e kaluar kishte shumë më shumë se 61 deputetë, nuk ishte në gjendje të miratojë shumë ligje. Kështu që edhe nëse formohet një qeveri e re së shpejti, nuk ka garancion për stabilitet. Kriza e menjëhershme mund të vijë nga vendimet e LDK-së. Nëse LDK bën marrëveshje me PAN ose LVV atëherë do të mund të krijohej qeveria shpejtë. Nëse LDK ka konfuzion brenda vetes, dhe paqartësi se kah do të shkojë, kjo mund të qojë në vonesa dhe krizë.

GeR: Nëse nuk do të kemi koalicion pas-zgjedhor, në tavolinë do të mund të servohet opsioni i qeverisë teknike, a mund ta shmangim këtë variant qeverisës?

Bytyçi: Qeveria teknike nuk ka gjasa të mëdha të ndodhë, sepse asnjë nga blloqet kryesore nuk janë të interesuar për këtë. Mënyra më e mirë të shmanget kjo është nëse LAA arrin një marrëveshje me PAN ose LVV. Por ka edhe opsione tjera të formimit të qeverisë, sepse anëtarë të dy koalicioneve PAN dhe LAA mund të ndërrojnë anë, ose të bëjnë marrëveshje me LVV për të formuar qeverinë.

GeR: Sipas jush, cili do të ishte koalicioni ideal që do të mund t’u bënte ballë sfidave të republikës?

Bytyçi: Është me rëndësi që koalicioni pas-zgjedhor të ketë mjaft vota në parlament që mos të varet nga Lista Serbe, sepse ky subjekt nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe më shumë përfaqëson interesat e Beogradit. Pra, kjo do të thotë që koalicioni mes partive shqiptare do të ishte ideale të kishte 61 deputetë. Versioni tjetër është që ky koalicion pas-zgjedhor të funksionojë edhe me së paku 50 ose 51 deputetë nëse llogariten edhe 10 deputetë të pakicave jo-serbe ku shtohet edhe një deputet i SLS-së. Kjo do të garantonte se vendi nuk do të varej nga kërkesat e Beogradit.

GeR: Asociacioni dhe demarkacioni, kanë qenë krye-tema politike, a ka Kosova çështje më të mëdha se sa këto?

Bytyçi: Në pothuajse çdo sondazh të bërë në 10 vitet e fundit, qytetarët deklarojnë se problemet më të mëdha janë papunësia, varfëria dhe korrupsioni. Pra është e pandershme që të u imponohen qytetarëve çështje tjera në diskurs publik. Kur duhet të diskutojmë se si t’i zgjidhim ato probleme ne diskutojmë për tema që imponohen pa nevojë përmes kompromiseve të paarsyeshme në negociata. Prandaj, prioritet i qeverisë së ardhshme duhet të jetë zgjidhja e atyre tri problemeve: papunësisë, varfërisë dhe korrupsionit.

GeR: Dhe për fund, çështja e formimit të ushtrisë, a do të duhej të shndërrohej në agjendë shtetërore?

Bytyçi: Kjo është temë e ndjeshme sepse për këtë kërkohet shumica e dyfishtë në kuvend, pra e deputetëve shqiptarë dhe të pakicave. Kështu që nëse kjo gjë do të nënkuptonte kompromis të dhimbshëm që do ta dëmtonte funksionin e shtetit atëherë nuk ia vlen. Ndërkohë duhet të ndërmerren hapa tjerë për të përmirësuar sigurinë dhe mbrojtjen që mund të bëhen pa e themeluar ushtrinë formalisht. Nuk duhet pritur formimi i ushtrisë formalisht për të rritur kapacitetet e FSK-së në fushën e mbrojtjes./Gazetaere.com

Kategoritë
INTERVISTA JAVORELajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet