Seancë maratonike në Kuvendin e Kosovës, kreyetemë Projekt-Buxheti për vitin 2019

Propozim buxheti për vitin 2019-të, u diskutua sot gjerë e gjatë në parlamentin e Kosovës. Opozita e cilësoi si një projekt të stilit të vjetër, ku nuk parashihen plane për ngjalljen ekonomike të vendit, por mbetet në nivelin e një projekti i cili e mirëmban paqja sociale – shkruan Gazeta e Re.

Qenë Lumir Abdixhiku nga radhët e Lidhjes Demokratike dhe Dardan Sejdiu nga radhët e Partisë Socialdemokrate, të cilët ishin më të zëshmit me kritika, kundër Propozim-Buxhetit për vitin 2019. Me këtë, siç thanë ata, vetëm mirëmbahet paqja sociale.

Sipas tyre ky projekt buxhet, nuk premton ngjallje dhe zhvillim ekonomik të vendit.

“Në Kosovë janë ndërruar qeveritë por nuk ka ndryshuar orientimi qeveritar, buxheti është buxhet i shpenzimit qeveritar dhe jo i zhvillimit socio-ekonomik, është buxheti i shpenzimit ekonomik e që do ta gërryej edhe fondin e privatizimit. Numrat e buxhetit janë problematikë sepse korniza makroekonomike dhe makro fiskale është e gabueshme” – ka vijuar kritikat lideri opozitar Albin Kurti. I pari i Vetëvendosjes, sikurse kolegët e tij paraprak, konstatoi që mënyra se si është planifikuar të shpenzohet buxheti i republikës së Kosovës, nuk e çon vendin në një stad tjetër, të prosperimit ekonomik.

Përkundër kritikave Ministri i Financave Bedri Hamza, u përpoq që t’i demantonte të gjitha kritikat, duke përmendur që matjet e trendeve ekonomike, e tregojnë të kundërtën:

“Nuk ka zvogëlim të vendeve e të punës kur ka rritje ekonomike për 4.1 %. Të dhënat e trustit tregojnë se kemi rritje të punësimit. Ka zvogëlim të atyre që kërkojnë punë.” Por ai pranoi që norma e papunësisë është evidente veçanërisht te kategoria e të rinjve dhe grave.

Opozita, përkatësisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, konfirmuan fillimisht që këtë projekt-buxhet, nuk do ta votojnë, përderisa është në këtë formë.

GDP-ja më e ulëta në rajon, numri i vogël i vendeve të hapura të punës etj, qenë pikat kyçe në të cilat mori shkas opozita ta kritikonte qeverinë aktuale, të cila sipas tyre nuk është treguar e aftë as të hartojë një projekt më premtues për vitin e ardhshëm.

Në ndihmë Qeverisë Haradinaj, përkatësisht Ministrit Hamza, i dolën deputetët e mazhorancës të cilët kritikuan ata opozitarë, për standarde të dyfishta. Sipas tyre, në njërën anë po e akuzojnë qeverinë për projekte të tilla buxhetore që manifestojnë politika populiste, ndërsa në anën tjetër janë vet ata që përdorin më së shpeshti parulla të tilla populliste.

Diskutimi maratonik, nuk është pasuar nga votimi në parim i projektligjit. Seanca pritet të vazhdojë nesër punimet nga ora 11:00.

Sipas të dhënave, ky projektligj do të jetë në pikëpyetje nëse do të kalojë pa vështirësi, duke qenë që partitë opozitare nuk janë deklaruar pro votimit.

Në rast se ky projekt-propozim për buxhet nuk do të kalojë, kriza parlamentare do të thellohet edhe më tej, ndërsa opozita do ta shfrytëzojë si një levë të re për ta rrëzuar qeverinë aktuale nga pushteti./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet