Sead Morina: Vet populli po i kërkon partitë opozitare në pushtet

Sead Morina është i lindur në Dardanë. Pas përfundimit të shkollës së mesme ka vijuar studimet në Turqi, saktësisht në ‘Universitetin e Trakisë – Edrine’. Karriera e tij profesionale përfshinë edhe angazhimin në Qendrën Klinike Universitare, pastaj në IIARC, Junus Emre etj. Aktualisht ai e udhëheqë Kompaninë ‘Ortoprotech’, e cila ofron shërbime në lëmin e ortopedikës.

 Morina është duke i vazhduar studimet për PhD në ‘Universitetin e Ulugag’ në Bursa, në drejtimin – Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Tema e disertacionit të tij është: ‘Politikat e Sigurisë së Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor’. Ai është i martuar dhe ka një vajzë.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, Morina ka reflektuar mbi raportet shqiptaro-turke, gjendjen aktuale politike e ekonomike, si dhe vizionin për një të ardhme politike të republikës.

GER: Z. Morina, a vijon të mbetet Turqia një partner strategjik për Kosovën?

S.Morina: Po, Turqia vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm strategjik, jo vetëm i Republikës së Kosovës, por edhe gjithë popujve që jetojnë në Ballkan.

Strategjia politike, e ekonomike e Turqisë në Ballkanin Perëndimor, daton që nga fundi i luftës së ftohtë, por angazhimi i saj konkret vërehet në konfliktet e fundshekullit të kaluar, konkretisht në Slloveni, e Kroaci. Megjithatë, aktivitetet e saj kanë shënuar rritje në procesin e pavarësimit të Bosnjës, Maqedonisë, si dhe në demokratizimin e shtetit shqiptar.

Natyrisht që gjatë kësaj periudhe ka pasur rënie dhe ngritje të interesimit për Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Kosovën. Pikërisht gjatë marrjes së vendimeve të rëndësishme që lidheshin me sulmet e caqeve Serbe, Turqia ishte shumë aktive. Ajo ka marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Kosovën e pasluftës, me investime për krijimin e institucioneve të rëndësishme të republikës. Një kujdes të veçantë Turqia ka pasur në profesionalizimin e zyrtarëve policorë, por në përgjithësi investimet turke vërehen edhe në shumë institucione të tjera. Natyrisht që edhe në të ardhmen, bashkëpunimi me Turqinë, si vend mik dhe partner strategjik, do ta ndihmonte Kosovën në aspektin e sigurisë nacionale, dhe do ta forconte ekonomikisht vendin.

GER: Influenca ekonomike turke është duke u vërejtur dekadave të fundit në tërë Ballkanin Perëndimor, a e ka shfrytëzuar mjaftueshëm Kosova këtë gatishmëri të turqve për të investuar?

 S.Morina: Edhe pse influenca e ekonomisë turke në Ballkanin Perëndimorë çdo vit rritet, në Kosovë kjo influencë nuk është duke u vërejtur. Përveç produkteve bazë nga sektorët e ushqimeve dhe të farmacisë, kjo influencë po vjen në formë importesh me produkte të tjera që ne i blejmë nga Turqia.

Ajo që duhet bërë, është një qasje tjetër e Kosovës ndaj tregut turk. Futja e produkteve kosovare në tregun turk, duhet të jetë një hap i radhës. Në Turqi në 10 vitet e fundit ka mungesë të madhe të mishit, Kosova ka resurse për të bërë prodhimin e mishit dhe kjo jo vetëm që do të zbuste papunësinë, por në të njëjtën kohë do të ndikonte në hapjen e kanaleve të reja për bashkëpunim ekonomik në mes të dy vendeve. Në anën tjetër nuk kemi prodhues turq që kanë hapur fabrika tek ne, ndërsa në Bullgari, Maqedoni, Serbi e Rumani po. Për këtë janë fajtore qeveritë kosovare, në mënyrë të drejtpërdrejt. E gjithë kjo përbënë një ndërlikim marrëdhëniesh në mes të dy vendeve. Ne e dimë që diaspora shqiptare në Turqi, është shumë aktive dhe ajo do ta ndihmonte sektorin ekonomik në Kosovë, që të ndërtojë raporte të shkëlqyeshme në mes të dy shteteve. Megjithatë, gatishmëria kosovare është shumë larg  nga ajo që duhet të jetë.

GER: Konteksti politik e ekonomik në Kosovë, megjithatë mbetet i brishtë dhe për këtë s’mund të fajësohet askush tjetër përpos krerëve të shtetit. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare po përmenden përditë e më shpesh, a besoni që ato janë opsioni i vetëm për ta nxjerr vendin nga ky kontekst i brishtë ekonomik e politik?

 S.Morina: Kosova që nga pavarësia, faktikisht që kur PDK-ja   filloi të dilte e para në zgjedhje dhe në një formë kishte të drejtë të formonte koalicione qeverisëse, asnjëherë, asnjë qeveri nuk ka arritur që të përfundonte mandatin qeverisë. Ka shumë arsye pse PDK-ja, shpeshherë si bartëse e koalicioneve, nuk ka arritur që t’i përfundojë mandatet, por një nga arsyet kryesore është dhe vazhdon të jetë – mos-profesionalizimi i kuadrove shtetërore.

Gjithashtu,  gjatë gjithë këtyre viteve kemi qenë përballë nepotizmit që është lidhur me grupe të interesit brenda partisë së PDK-së. Aktualisht, jemi shumë pranë bankrotimit të kompanive shtetërore. Madje, as shteti nuk është jashtë këtij rreziku të bankrotimit, si pasojë e prokurimeve të shtrenjta. Por çka është më e keqja këtu ka bakrotu edhe njeriu, kur bankroton njeriu aty humb edhe shteti.

Zgjedhjet e reja do të ishin zgjidhja, por fatkeqësia e tyre do të jetë ndoshta moszgjidhja e problemeve. Deri më tani përveç dy ose tri partive opozitare, të tjerat, e sidomos ato që janë në pushtet, duket që nuk janë të gatshme për zgjedhje, ani që nuk e kanë shumicën në parlament.

GER: A mund të befasohemi nga rezultatet?

 S.Morina: Do të ishte mirë të befasohemi me ndryshim, ndryshimet sjellin emocione të reja dhe një vullnet për punë e cila Kosovës edhe i duhet. Por kur sheh nivelin e ulët intelektual në një masë të gjerë të popullatës, ku për një vend pune shitet vota, ose edhe për një metër dru shitet vota, mendoj që nuk duhet të jemi shumë optimist  për një rezultat befasues. Në anën tjetër “populli opozitar” është duke migruar, andaj nëse migrojnë vetëm 10 mijë veta, opozita me vota do të dëmtohej seriozisht, ngase burimi kryesor i opozitës janë të pakënaqurit. Kështu që, për një rezultat befasues, partitë opozitare, duhet të punojnë më shumë.

GER: Si e shpjegoni fenomenin e rikthyer të migrimit, a ka ndonjë mënyrë për ta parandaluar atë?

S.Morina: Migrimet në dekadat e fundit, në aspektin sociologjik, nuk kanë dallim nga njëra tjetra, ngase të gjitha kanë ndodhur për të shpëtuar nga plumbi ose nga varfëria. Të dyjat janë vrastare, dhe të dyja kanë kriminelët e tyre. Sa i përket parandalimit të këtij fenomeni, është shumë e vështirë të parandalohet me këtë logjikë të udhëheqjes. Duhet qasje tjetër. Për këtë barrën kryesore e kanë pushteti, mësuesit, profesorët dhe prindërit. Pra është një lidhje shumë dimensionale për parandalim të këtij fenomeni.

GER: A jeni optimist?

S.Morina: Nuk jam shumë optimist për një periudhë afatshkurtër, por jam optimist për një periudhë më afatgjate.

GER: Krejt për fund, një elitë më e ndërgjegjshme politike e intelektuale, me siguri do ta shfrytëzonte kapitalin e miqësisë me vendet mike si ShBA, Turqia etj, dhe krizat ekonomike do të ishin më të përballueshme. A mendoni që Kosova e ka humbur hapin në këtë drejtim?

S.Morina: Po Kosova ka humbur hapin, por në anën tjetër miqtë tanë ndërkombëtarë nuk po kanë partner serioz që ua siguron atyre rrugën për një Kosovë të gatshme për të ndryshuar për të mirë. Natyrisht,  partitë opozitare si LVV-ja, LDK-ja dhe Lëvizja për Drejtësi, janë partnerë serioz për një udhëheqje të re të Kosovës, por në të njëjtën kohë partnerët opozitarë duhet të jenë më fleksibil në politikat qeverisëse dhe ndërkombëtare. Mendoj që fleksibiliteti i partive opozitare do t’i ndihmojë ato edhe për marrjen e pushtetit. Në anën tjetër edhe vet populli po i kërkon këto parti në pushtet, por këto parti në të njëjtën kohë duhet të japin një siguri të mjaftueshme për popullatën në mënyrë që të votohen masovikisht./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet