Samiti i Parisit, cilat opsione do të hidhen në tavolinë?

Askush nuk e di me saktësi, ç’agjendë do të ketë Samiti i Parisit. Përkundër kësaj, mediat janë përplot artikuj që rreken ta trajtojnë këtë temë. E vërteta është që kësaj mjegullnaje i kanë kontribuar edhe vet politikanët e vendit – shkruan Gazeta e Re.

E cilat do të jenë opsionet e gabuara, që mund ta dëmtojnë qenësinë e Kosovës, e të cilat (shtruar në mënyrë hipotetike), mund t’u servohen palëve në tavolinën e Parisit? Sipas pjesës më të madhe të opinionit publik në Kosovë, idetë rreth korrigjimit dhe ndryshimit të kufijve, apo, apo shkëmbimit të territoreve, janë të rrezikshme. Për këto variante, që nga koha kur u plasuan për herë të parë nga vet Presidenti Hashim Thaçi e deri më sot, ka pasur një mori reagimesh, duke i cilësuar ato si të rrezikshme dhe të papranueshme.

Në këtë kontekst, analisti Florim Zeqa konsideron që palët kanë qenë të pabarabarta deri më tani, ndërsa fakti që Gjermania dhe Franca kanë marrë përsipër përgjegjësinë e vet procesit të dialogut, kjo do të thotë shumë për ne:

“Tetë vite të dialogut të pabarabartë në Bruksel, e dëshmuan sesa e vështirë është zgjidhja e problemit qindra vjeçar mes Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht mes serbëve dhe shqiptarëve. Ngrirja e dialogut të Brukselit, nuk është pasojë e taksës, siç po trumbetohet në media, por është problem shumë më i madh dhe i komplikuar. Avancimi i Serbisë në dialogun e Brukselit, e ka vënë Kosovën e përgjakur në pozitë inferiore. Mosvënja e asnjë kushti nga pala kosovare në dialogun e Brukselit, ka bërë që Serbia t’iu prijë temave që çojnë drejt ndarjes territoriale të vendit tonë. Nënshkrimi lehtësisht i marrëveshjes fatkeqe për Asociacionin e Komunave Serbe nga dy kryeministrat kosovarë (përkatësisht nga Hashim Thaçi me 19 Prill 2013 dhe Isa Mustafa me 25 Gusht 2015), ka bërë që Serbia të shtojë akoma më tepër orekset e saj grabitqare ndaj Kosovës. Duke qenë se është kështu, Serbia tashmë, më kartën e asociacionit në xhep, është duke provuar të realizojë diçka më tepër se kaq! Projekt-Marrëveshja në mes Vuçiqit e Thaçit, e publikuar në mediat vendore dhe ndërkombëtare, i tejkalon përmasat e spekulimeve. Bashkësia ndërkombëtare, duke e parë rrezikun nga një marrëveshje e tillë, i ka aktivizuar mekanizmat shtesë për menaxhimin e situatës konfliktuoze që mund të prodhojë një marrëveshje e mundshme për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë. Samiti i Berlinit, shënon fillimin e një formati të ri të bisedimeve Kosovë-Serbi, me një ndërmjetësim më të zgjeruar nga dy shtetet më të fuqishme dhe më me ndikim të Bashkimit Evropian, pra Kosova po kthehet në agjendën politike të shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian siç janë Franca dhe Gjermania.”

Sipas tij “Samiti i Parisit, mund të shënojë hapjen e një kapitulli të ri të negociatave shqiptaro-serbe, me qëllim të përmbylljes së një kapitulli të gjatë armiqësie mes dy popujve të Ballkanit. Nëse Samiti i Parisit iu referohet të “arriturave” të Dialogut të Brukselit, atëherë zgjidhja finale do të jetë tepër e dhimbshme për Kosovën. Nëse del të jetë e vërtetë projekt-marrëveshja Vuçiq-Thaçi për korrigjimin e kufijve e publikuar në mediat ndërkombëtare, atëherë kjo do të jetë “Patatja e nxehtë” e Samitit të Parisit dhe kafshatë e hidhët për qytetarët e Kosovës.”

Analisti tjetër Blerim Burjani, ruan qëndrimin që për t’i zbutur dallimet dhe për t’i ofruar palët, më mirë do të ishte që këto bisedime të prodhonin një dokument krejt teknik, i cili do ta sqaronte përfundimisht pozicionin e Kosovës dhe Serbisë, për sa i përket vijës kufitare.

“Një dokument teknik (një kornizë), për shënimin e kufirit është i domosdoshëm, por jo negociatat substanciale që zgjaten me vite kështu siç i mendojnë palët, ajo kosovare dhe serbe. Pra nuk ka dialog politik, për mendimin tim, por dialog që çon drejt hartimit të një drafti – teknik, kufitar, për të shënuar kufirin ndërmjet shteteve. Përndryshe ky do të ishte fundi i problemeve kur ata do të pajtoheshin për një kufi. Pjesa e dytë do të ishte njohja reciproke” – u shpreh ndër të tjera Burjani për Gazeta e Re.

Për më shumë, sipas Burjanit, “opsionet e tjera janë të pamundshme dhe spekulative, e për më shumë edhe bjerrje e kohës.” Vazhdimi i procesit të dialogut, sipas tij, nuk mund të bëhet siç ka qenë deri më tani, do të ishte vetëm bjerrje e kohës. Nuk mund të arrihet asgjë nëse njëri president (i Kosovës, apo Serbisë), del me një deklaratë një ditë dhe tjetri me një tjetër në ditën tjetër, duke dëshmuar kështu hendekun që i ndanë të dy vendet.

Ndërkaq Zeqa në tërë këtë histori, sheh diçka pozitive: “Pavarësisht epilogut të Samitit të Parisit, pozitivë konsiderohet fakti, që për herë të parë pas 9 viteve poshtërim nga Serbia, Kosova do të prezantohet si palë e barabartë në bisedime. Secili kompromis i palës kosovare në formatin e ri të bisedimeve, do të jetë tepër i dhimbshëm për Kosovën, ndërkaq do të thotë shpërblim përrallorë për Serbinë gjakatare, shkaktaren e katër luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë, shkaktaren e qindra mijëra viktimave dhe dëmeve të pallogaritshme materiale katër popujve të Ballkanit.”

Në opinionin publik në Kosovë, ekziston një dozë skepticizmi për sa i përket të ashtuquajturit: akt final i marrëveshjes me Serbinë. Sipas pjesës më të madhe të njohësve të zhvillimeve, por edhe vet qytetarëve, është pak e besueshme që Samiti i Parisit, do të jetë “kapaku mbi tenxhere”. Megjithatë, mbetet të shihet se ç’do të ndodhë./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet