Sadiku nuk mund të luajë me kombëtaret e Shqipërisë dhe Kosovës

Futbollisti shqiptar, i cili luan në klubin e Super Ligës Turke, Kasimpasa, Loret Sadiku, thotë se për shkak të disa problemeve të çuditshme me FIFA-n ka qëndruar larg fanellës së kombëtares.

Sadiku karrierën e tij në futboll e ka filluar në Suedi, ndërsa që nga viti 2014 e vazhdon në Turqi. Në një prononcim për agjencinë turke të lajmeve AA (Anadolu Agency) mesfushori 27-vjeçar, i cili ka shtetësinë e Kosovës, Shqipërisë dhe Suedisë, thotë se për shkak të disa problemeve që pasur me FIFA-n ka qëndruar larg fanellës së kombëtares.

Pasi kishte luajtur për kombëtaren e Suedisë të moshës nën 21 vjeç, Sadiku ishte ftuar në kombëtaren e Shqipërisë, por pa e veshur fanellën e Shqipërisë ai luajti në ndeshjen e parë historike për përfaqësuesen e Kosovës.

“Nuk di çfarë të them në lidhje me këtë. Unë dhe kombëtaret, kemi disa probleme me FIFA-n. Një problem i çuditshëm. Pas kombëtares së moshës nën 21 vjeç të Suedisë zgjodha të luaj për kombëtaren e Shqipërisë. Por, më pas dëshiroja të luaj në një ndeshje të rëndësishme dhe historike për Kosovën. Këtë çështje e bisedova me trajnerin e atëhershëm të Shqipërisë. Ai më tha se do kishte problem nëse do të më lejonte. Por, unë në atë ditë historike luajta për Kosovën”, thotë Sadiku.

“Në atë periudhë Kosova nuk njihej nga FIFA dhe UEFA. Pastaj luajta edhe në disa ndeshje miqësore për Kosovën. Pas Suedisë kur erdha në kombëtaren e Shqipërisë, nuk i kisha gati dokumentet. Ndërsa Suedia e njoftoi FIFA-n se unë nuk do të mund të luaj për ndonjë kombëtare tjetër. Kosova nuk dëshironte të ketë probleme me Shqipërinë. Tani nuk e di se ku qëndron problemi”, u shpreh Sadiku, në lidhje me problemin e tij që nuk mund të luaj për asnjë kombëtare.

Duke folur edhe për gjendjen e klubit të tij aktual Kasimpasa, tha se e kanë filluar mirë sezonin në ligë, ndërsa më pas nuk kanë mundur të demonstrojnë lojë të mirë në fushë.

Sadiku tha se si klub kanë cilësi për të arritur të kualifikohen në kupat evropiane në fund të sezonit. “E dua shumë ekipin Kasimpasa. Me të vërtetë është një klub i mrekullueshëm. I kemi të gjitha mundësitë këtu. Jam shumë i lumtur këtu. Kontrata ime përfundon në fund të sezonit. Nëse vjen një ofertë për kontratë, do të doja ta vazhdoja”, tha futbollisti shqiptar.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet