Sa ndryshon qasja e Prishtinës në raport me dialogun pas zgjedhjeve?

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, e kanë vendosur si fituese të zgjedhjeve Lëvizjen Vetëvendosje, të pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dy këto subjekte politike, gjatë mandatit të fundit, ishin në opozitë, ndërkohë që tani ndodhen në rrugë drejt formimit të një koalicioni të përbashkët qeverisës. Në rast të krijimit të qeverisë së përbashkët ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, një nga çështjet dhe sfidat e para për qeverinë e re besohet të jetë vazhdimi i dialogut me Serbinë.

Në bazë të deklaratave të përfaqësuesve të këtyre dy partive për dialogun, si Vetëvendosje ashtu edhe LDK kanë qëndrim të përbashkët se në planin e brendshëm, fillimisht duhet të zvogëlohet roli i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kompetencat kryesore në këtë proces t’i marrë qeveria.

Ndërsa sa i takon taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria në largim e Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, e cila nga Beogradi është parë si pengesë për vazhdimin e dialogut, as Vetëvendosje e as LDK-ja nuk janë të gatshme që ta shfuqizojnë atë, të paktën pa e vendosur një masë të reciprocitetit.

Në planin e saj qeverisës sa i takon dialogut me Serbinë, Vetëvendosje e Albin Kurtit, fillimisht kërkon vlerësimin e marrëveshjeve të arritura nga viti 2011 e deri më 2017.

Albin Kurti, i cili në bazë të rezultatit preliminar ka paralajmëruar të jetë mandatar për formimin e qeverisë së ardhshme, ka thënë se ai do të udhëheqë delegacionin e Kosovës dhe parasheh ta përfshijë edhe opozitën.

“Ne pajtohemi atëherë kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është e gatshme të na e njohë edhe të drejtën e suksesionit edhe në pasuri edhe të drejtën e reparacionit për shkak të dëmeve, humbjeve dhe vuajtjeve të luftës që na i ka shkaktuar”, kishte deklaruar Kurti gjatë një diskutimi të organizuar nga Lëvizja “FOL”.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka qenë pjesë e procesit të bisedimeve, gjatë kohës sa Isa Mustafa ishte kryeministër në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, thotë se nuk do të ngutet për arritjen e marrëveshjes.

Sa i takon taksës për produktet me origjinë nga Serbia, në LDK kanë qëndrim se taksa mund të hiqet për t’u zëvendësuar me reciprocitet.

Në platformën qeverisëse të LDK-së, me të cilën kjo parti garoi në zgjedhje, sa i takon dialogut thuhet se përveç se kjo parti e kundërshton negocimin për territore, po ashtu kërkohet edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani, gjatë fushatës zgjedhore insistonte në vazhdimin e procesit të dialogut të udhëhequr nga qeveria.

“Arsyeja pse jemi në dialog është se besojmë sinqerisht, jo pse dikush të futë me zor të ulesh me Serbinë të dialogësh, por pse t’i beson se ajo është e domosdoshme për paqen dhe prosperitetin në gjithë Ballkanin. Presidenti ka një rol krejt tjetër dhe ajo është që pasi ne si qeveri ta negociojmë, në bashkëpunim me Parlamentin, pasi të ratifikohet ajo marrëveshje në Parlament, presidenti e ka një detyrë ceremoniale ta nënshkrimin në dekretin për ratifikimin e marrëveshjes”, ka deklaruar Osmani gjatë diskutimit “Fol hapur”.

Drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, Naim Rashiti, beson se kushdo që të jetë në qeveri, do të ketë presion të menjëhershëm për rifillim të dialogut.

Rashiti thotë se partitë fituese të zgjedhjeve kanë qëndrime të ngurta sa i takon dialogut, por se, sipas tij, nga ta pritet që sa më shpejtë të formësojnë qëndrimet për këtë proces.

“LDK-ja dhe VV-ja nëse e krijojnë qeverinë, do të jenë në presion shumë të shpejtë që në javën e parë që të krijojnë parakushtet për dialog, të formësojnë qëndrimet dhe të bashkëpunojnë me presidentin dhe opozitën për këtë proces. Rruga më e mirë, më e drejtë do të ishte që Albin Kurti si kryeministër, bashkë me presidentin të krijonin një trup shumë të fuqishëm politik parlamentar që shkon përtej kompetencave të qeverisë, për t’u marrë me procesin e dialogut. Nëse qeveria formohet me kohë, para fundit të vitit do të kemi një samit në Paris ku kryeministri dhe presidenti i Kosovës, pavarësisht se kush janë, do të marrin pjesë dhe do të jetë fillimi i një procesi mjaft dinamik i dialogut mes vendeve”, tha Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht qëndrimeve që palët paraqesin në Kosovë, në BE presin formim të shpejtë të Qeverisë së Kosovës dhe rinisje të dialogut.

Shefi i ri i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, tha se vizitën e tij të parë do ta realizojë në Kosovë.

“Udhëtimi im i parë do të jetë atje, sepse unë besoj se nëse ne si evropianë nuk mund t’i zgjidhim këto probleme në një të ardhme të afërt është shumë e vështirë të besojmë se do të jemi një fuqi gjeopolitike. Nuk është me rëndësi se si po vepron Spanja, pasi derisa Kina, India dhe Rusia nuk e njohin Kosovën, Kosova nuk do të jetë shtet. Ne na duhet të punojmë shumë në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet. Kosova duhet t’i largojë tarifat për mallrat dhe Serbia duhet të angazhohet në dialog të plotë dhe të thellë e të sinqertë”, tha Borrell.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë lëvizje në drejtim të rritjes së rolit të tyre në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke emëruar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar special të presidentit Donald Trump, për negociatat paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.

Muaj më parë, SHBA-ja po ashtu emëroi Matthew Palmer, si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Procesi i bisedimeve u ndërpre pasi Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar vendosi taksë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia.

Bashkimi Evropian, nga ajo kohë kërkoi vazhdimisht heqjen e tarifës si dhe kthim në tavolinë të dialogut, mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi pasi qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj kundërshtoi heqjen e taksës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet