Sa janë serioze kërcënimet e opozites?

Opozita (nuk) është e interesuar ta rrëzojë Qeverinë Haradinaj

Po bëhen disa javë qysh kur partitë opozitare kanë ndërmarrë një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve për ‘votë të mosbesimit’, kundër qeverisë aktuale. Në media dhe opinionin publik po thuhet që s’kanë mbetur vetëm edhe tri vota për ta plotësuar numrin e mjaftueshëm të deputetëve, me anë të të cilëve do të gjunjëzohet kjo qeveri dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare – shkruan Gazeta e Re.

Kryetari i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa, me iniciativën që e nisi, duke i takuar edhe krerët e partive të tjera opozitare, manifestoi një hap më serioz të kërcënimit ndaj pushtetit të pozitës. Me ç’rast ai vet e pat bërë të qartë që janë krejt afër koordinimit të hapave me partinë tjetër opozitare Lëvizjen Vetëvendosje. Edhe lideri i kësaj të fundit Albin Kurti, e ka pranuar që me Mustafën, kanë rënë dakort për shumë pika.

Sipas Mimoza Kusari Lilës nisma të këtilla – për mbledhjen e votave për rrëzimin e qeverisë, do t’i kishin arsyetuar shumë veprime të kësaj të fundit.

“ Unë besoj se nisma e opozitës do të duhej të ishte kohë më parë e prezantuar, pasi shumë herët qeveria “Haradinaj” ka dëshmuar se nuk e ka as kapacitetin dhe as mundësinë të qeverisë si duhet me vendin.”

Ajo ka thënë se kësaj radhe, medoemos do të ketë sukses, meqë të interesuar për shembjen e kabinetit haradinaj, janë edhe disa deputetë nga pozita:

“Besoj se do të ketë sukses dhe atë jo vetëm se partitë e opozitës e duan rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, por largimin e saj e duan edhe disa deputetë të pozitës. Mosmarrëveshjet në mes të palëve në qeverisje kanë qenë shumë të mëdha gjatë gjithë periudhës së qeverisë”.

Deputetë të tjerë nga opozita kanë konfirmuar që janë duke bërë përpjekje për t’i bindur deputetët që ta rrëzojnë qeverinë. Sikurse deputetja Kusari Lila, edhe deputetja tjetër nga “fronti” opozitar Arbërie Nagavci, për gazetën Zëri kanë thënë se vetëm edhe pak vota iu mjaftojnë për ta shembur këtë qeveri:

“Ne kemi filluar diskutimet për rrëzimin e Qeverisë dhe sa më shpejt që kjo të ndodhë është më mirë. Neve na nevojiten edhe 2-3 vota prej deputetëve të partive që janë në pushtet. Në momentin që do të arrijmë t’i kemi votat e mjaftueshme kjo do të procedohet më tutje”.

Por analistët mendojnë që një pjesë e opozitës është e hendikepuar në këtë pikë, për shkak të proceseve të brendshme nëpër të cilat po kalon ajo. Ndonëse LDK-ja, siç e dimë, është duke i mbajtur zgjedhjet e brendshme të saj, deputetët e këtij subjekti kanë mohuar që këto procese të ndikojnë në misionin e rrëzimit të qeverisë.

Nga ana tjetër, ata të pozitës, duket që nuk po ndihen të kërcënuar nga opozita. Kadri Veseli, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka cilësuar si joserioze këto lojëra. Në një intervistë për televizionin publik RTK ai ndër të tjera theksoi që për këso lloj matjesh ka pasur nevojë edhe vet pozita./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet