Rusia paralajmëron “përgjigje simetrike” ndaj testit raketor të SHBA-së

Presidenti rus Vladimir Putin udhëzoi Ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes të vendit të tij “të marrin masa gjithëpërfshirëse për përgatitjen e një përgjigjeje simetrike” ndaj testit raketor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Të hënën, Pentagoni njoftoi se ushtria amerikane ka kryer një test të një versioni tokësor të raketës kryeqëzuese detare Tomahawk, transmeton AA.

Në një takim të Këshillit të Sigurisë së Rusisë në kryeqytetin Moskë, Putin theksoi se përdorimi i armëve të ndaluara nën Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF) dhe përdorimi i lançuesit universal MK-41 “konfirmon plotësisht vlefshmërinë e pohimeve që pala ruse ia kishte përcjellur SHBA-së gjatë periudhës së traktatit”.

Ai shtoi gjithashtu se vendosja e lançuesve amerikanë në tokë në bazën e mbrojtjes ajrore në Rumani dhe vendosja e tyre e ardhshme në Poloni janë “shkelje e drejtpërdrejtë, e konsiderueshme dhe e rëndë e Traktatit INF”.

“Duke marrë parasysh rrethanat e reja, unë udhëzoj Ministrinë e Mbrojtjes së Federatës Ruse, Ministrinë e Jashtme dhe institucionet e tjera përkatëse, të analizojnë nivelin e kërcënimit të paraqitur nga veprimet e lartpërmendura të Shteteve të Bashkuara për vendin tonë, dhe të marrin masa gjithëpërfshirëse për të përgatitur një përgjigje simetrike”, tha Putin.

Putin tha se Rusia nuk dëshiron të përfshihet në një garë armësh që është “e kushtueshme dhe shkatërruese” për ekonominë e saj.

Më 2 gusht, SHBA u tërhoq zyrtarisht nga Traktati INF, pas një lufte disamujore verbale ndërmjet Moskës dhe Washingtonit.

Traktati u nënshkrua në vitin 1987 nga lideri i atëhershëm sovjetik Mikhail Gorbachev dhe presidenti i amerikan Ronald Reagan, duke i zvogëluar gjasat për një luftë bërthamore në Evropë.

Sipas traktatit, të dy palët shkatërruan tërë klasën e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi brenda një periudhe prej katër vitesh.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet