Rugova: Garda që e fundosi LDK-në po synon një kryetar formal dhe të kontrollueshëm

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka kritikuar procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj partie, duke thënë se “garda kanceroze që e fundosi LDK-në, po synon një kryetar formal”.

Rugova ka shkruar se tetë ditë para Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, po vazhdon heshtja dhe terri, duke përmendur marrëveshjen nën tavolinë dhe ndarjen e pushtetit brenda strukturave të kësaj partie.

“Një marrëveshje në tavolinë nuk është reformë, por është marrëveshje për ndarje pushteti, sistemim interesash të klaneve të ndryshme në stilin kush i pari, kush i dyti, ku jam unë dhe ku është ai tjetri”, ka shkruar ai.

Ish-deputeti i LDK-së tutje ka potencuar se “garda” po kërkon kryetar që mund ta kontrollojnë pasi që nuk e kanë synim fuqizimin e LDK-së por vetëm interesin e ngushtë.

“Si nuk kanë turp këta njerëz? A ngopen ndonjëherë?”, ka shkruar ai.

Javë me parë, Isa Mustafa kishte dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të LDK-së. Kjo dorëheqje është thënë se u bë pas rezultatit zgjedhor të kësaj partie, ku përfundoi e treta.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi