“RTK-ja përmes fondeve publike dezinformon publikun me lajmet shpifëse”

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka reaguar pas lajmeve të fundit që janë shpërndarë në portale të ndryshme kryesisht në Radio Televizionin e Kosovës

Me titullin ” Asambleistja e PDK-së denoncon Haskukën: I dha para biznesit të babës “, RTK-ja ka publikuar një lajm ku bëhet fjalë për postimin e asambleistes të PDK-së në Prizren, për këtë ka reaguar Haskuka duke thënë se RTK-ja po bën lajm shpifjet e një asambleisteje

“Në vend që RTK-ja ta informojë publikun që Komuna e Prizrenit si pako emergjente për pandeminë ka ndarë mbi 1 milion euro, që do të shpërndahen për 1105 biznese, 65 organizata që merren me kulturë, 29 organizata rinore dhe 43 klube sportive, RTK bën lajm shpifjet e një asambleisteje, e cila po të kishte drejtësi, tani do të ishtë në burg për shkak të keqpërdorimeve që i ka bërë si ish-drejtoreshë e PDK-së” ka shkruar Haskuka.

Postimi i plotë

Radio Televizioni i Kosovës, me fondet publike, bën dezinformim të publikut dhe i paraqet shpifjet si lajme.

Për nivelin e gazetarisë së portaleve të paguara nga krimi i organizuar, i cili ka kapur shtetin, nuk kemi çka të flasim, por kur këtë e bën një medium i cili paguhet nga buxheti i Republikës së Kosovës, kjo është e papranueshme.
Në vend që RTK-ja ta informojë publikun që Komuna e Prizrenit si pako emergjente për pandeminë ka ndarë mbi 1 milion euro, që do të shpërndahen për 1105 biznese, 65 organizata që merren me kulturë, 29 organizata rinore dhe 43 klube sportive, RTK bën lajm shpifjet e një asambleisteje, e cila po të kishte drejtësi, tani do të ishtë në burg për shkak të keqpërdorimeve që i ka bërë si ish-drejtoreshë e PDK-së.
Duke shënuar tituj bombastik dhe duke mohuar të dhënat bazike në lajm, RTK-ja nuk tregon që nga 1476 aplikime të bizneseve kanë përfituar të gjitha bizneset e Prizrenit që kanë qenë të ndikuar negativisht nga masat e qeverisë kundër pandemisë dhe që kanë plotësuar kriteret.
Për kriteret, punën e komisionit dhe listat preliminare, RTK-ja mund të informohej nga ueb-faqja e Komunës, por ja që nuk është e interesuar për të vërtetën, por për shpifjet.
Për shkak të numrit të madh të aplikimeve dhe faktit se çdo biznes që ka aplikuar dhe që përmbush kriteret do të përfitojë, shuma e ndihmave për biznese do të jetë simbolike por ne ndajmë atë që e kemi me qytetarët e jo me kriminelët.
Për të gjitha shpifjet që po na bëhen jemi duke përgatitur padi për shpifje dhe kompenzim të dëmit. Gjykatat një ditë do të funksionojnë dhe nga kompensimi monetar nga RTK-ja dhe asambleistja në fjalë planifikoj ta bëj atë që babai im i ndjerë ka bërë shumë, t’i ndajmë personave në nevojë.
Kategoritë
LajmeVendi